Lajmet

Për herë të parë në 100 vjet, dështon zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve

Udhëheqësi republikan, Kevin McCarthy, dështoi në përpjekjen e tij për t’u zgjedhur kryetar.

Published

on

Ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, diçka që nuk është parë në Kongres për një shekull.

Udhëheqësi republikan, Kevin McCarthy, dështoi në përpjekjen e tij për t’u zgjedhur kryetar – hera e parë që nga viti 1923, që asnjë kandidat republikan apo demokrat nuk u zgjodh që në raundin e parë të votimit në postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, e cila ka 435 anëtarë.

Ai nuk arriti të zgjidhet kryetar pas tre raundesh votimi, ku 20 ligjvënës konservatorë votuan kundër kandidaturës së kolegut të tyre republikan.

Kongresmeni nga Kalifornia nuk u votua tri herë radhazi dhe është e paqartë se cila mund të jetë rruga e tij drejt fitores kur Dhoma e Përfaqësuesve të kthehet të mërkurën për të provuar gjithçka nga e para. Ligjvënësit amerikanë do të vazhdojnë të votojnë derisa një kandidat të fitojë shumicën.

Ende nuk dihet nëse do të ndryshojë qëndrimi i grupit që e kundërshtoi McCarthy, apo nëse mund të shfaqet ndonjë kandidat i ri.

Por, edhe nëse McCarthy gjen një mënyrë për të fituar, paralajmërojnë analistët parashikojnë trazira në Dhomën e Përfaqësuesve.

Republikanët kanë fituar një shumicë të ngushtë 222-212 në Dhomën e Përfaqësuesve pas zgjedhjeve të mesmandatit, ndërsa një vend është momentalisht vakant.

McCarthy, i cili shërben prej 16 vitesh si ligjvënës nga Kalifornia, do t’i duhet të sigurojë të paktën 218 vota për t’u bërë kryetar.

Në raundin e tretë të votimit, 202 republikanë votuan për McCarthy, pra 16 më pak nga votat që i nevojiten për tu zgjedhur kryetar.

57-vjeçari McCarthy, është përpjekur prej vitesh të marrë drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve. Gjatë javëve të fundit, ai u takua në mënyrë të përsëritur me kundërshtarët e tij republikanë, për të siguruar mbështetjen e tyre për kandidaturën e tij për kryetar.

Kushdo qoftë ligjvënësi që republikanët do të zgjedhin për kryetar, McCarthy apo dikush tjetër, ai do të zëvendësojë Kryetaren demokrate në largim, Nancy Pelosi, e cila do të vazhdojë të jetë ligjvënëse.

Zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve ndodh përpara se ligjvënësit ta bëjnë betimin për mandatin e tyre dyvjeçar./REL

Lajmet

Russell Crowe luan rolin e një shqiptaro-amerikani në filmin e ri “The Get Out”

Published

on

Aktori i njohur Russell Crowe do të luajë rolin kryesor në filmin e ri kriminal “The Get Out”, ku interpreton Marco Kapak, një emigrant shqiptaro-amerikan.

Në film, personazhi i tij drejton një klub nate të suksesshëm në Los Angeles, por fshehurazi është i përfshirë në pastrim parash për një kartel droge. Pas një sulmi në zemër, ai vendos të largohet nga bota kriminale dhe të shesë klubin, por përfundon i përfshirë në një rrjet të rrezikshëm dhune dhe kërcënimesh.

Në kastin e filmit bëjnë pjesë edhe Luke Evans, Teresa Palmer, Aaron Paul dhe Nina Dobrev.

“The Get Out” paraqitet si një thriller i errët dhe plot tension, ku përplasja mes krimit dhe përpjekjes për shpëtim personal është në qendër të historisë./A.K/

Burimi: Collider

Continue Reading

Lajmet

Filmi “Michael” kalon 900 milionë dollarë të ardhura në kinematë botërore

Published

on

Filmi biografik “Michael”, i bazuar në jetën e legjendës së muzikës Michael Jackson, ka shënuar sukses të madh në kinematë botërore, duke kaluar shifrën prej 900 milionë dollarësh të ardhura globale.

Që nga premiera më 24 prill, filmi ka dominuar box office-in ndërkombëtar dhe është shndërruar në projektin më fitimprurës në historinë e studios Lionsgate.

Nën regjinë e Antoine Fuqua, filmi rrëfen jetën dhe karrierën e Michael Jacksonit, nga vitet e tij me grupin The Jackson 5 deri te ngritja si “Mbreti i Popit”. Rolin kryesor e interpreton Jaafar Jackson, ndërsa në kast bëjnë pjesë edhe Colman Domingo dhe Nia Long.

“Michael” po konsiderohet një nga biografitë muzikore më të suksesshme të viteve të fundit, duke dëshmuar se trashëgimia artistike e Michael Jackson vazhdon të tërheqë miliona fansa në mbarë botën./A.K/

Burimi: CNN

Continue Reading

Lajmet

Pesë filma nga Kosova në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Al Este – San Marcos” në Peru

Published

on

Republika e Kosovës do të marrë pjesë në edicionin e 17-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Al Este -San Marcos”, i cili do të mbahet nga 18 deri më 28 qershor në Lima dhe qytete të tjera të Perusë.

Kosova do të përfaqësohet me pesë produksione filmike që pasqyrojnë krijimtarinë dhe zërin bashkëkohor të kinematografisë kosovare.

Filmi “HANA”, me regji të Ujkan Hysajt, është përzgjedhur në programin zyrtar garues të festivalit. Po ashtu do të shfaqet edhe filmi “The Beauty of the Donkey”, me regji të Dea Gjinovcit.

Në program janë përfshirë edhe filmat e shkurtër “SOS” nga Anita Morina, “Keep Going” nga Valmira Hyseni dhe “Sytë e Bernës” nga Ermal Gerdovci.

Sipas organizatorëve, pjesëmarrja e Kosovës në këtë festival paraqet një mundësi të rëndësishme për promovimin e kulturës dhe kinematografisë kosovare në Amerikën Latine, si dhe për forcimin e bashkëpunimit me institucionet kulturore dhe publikun peruan./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dorëhiqet Sekretari Britanik i Mbrojtjes, John Healey, pas përplasjeve për buxhetin e ushtrisë

Published

on

By

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, ka dhënë dorëheqjen nga detyra përmes një letre zyrtare drejtuar Kryeministrit Keir Starmer, duke shkaktuar një goditje të rëndë politike për qeverinë e re laburiste.

Në letrën e tij te publikuar në rrjetin X, Healey ka akuzuar hapur kryeministrin dhe Ministrinë e Financave (Thesarin) se kanë refuzuar të ndajnë burimet financiare të mjaftueshme për mbrojtjen e vendit, në një kohë kur kërcënimet globale po rriten me shpejtësi.

Ish-sekretari shpjegoi se vendimi i tij erdhi pas muajsh bisedimesh të tensionuara lidhur me Planin e Investimeve në Mbrojtje, të cilin e konsideron krejtësisht të pamjaftueshëm për të garantuar sigurinë kombëtare.

Sipas tij, buxheti i parashikuar për të arritur në vetëm 2.68% të GDP-së deri në vitin 2030 është një masë e vonuar, ndërkohë që nevojat për të rritur gatishmërinë luftarake të forcave të armatosura janë emergjente për dy vitet e ardhshme.

Healey deklaroi se nuk kishte asnjë opsion tjetër përveç largimit, pasi nuk mund të pranonte një marrëveshje financiare që lë ushtrinë dhe vendin të ekspozuar ndaj rreziqeve në këtë periudhë të paqëndrueshme gjeopolitike. Kjo dorëheqje vjen në një moment mjaft delikat, duke rritur presionin mbi qeverinë e Starmer-it dhe duke nxitur reagime të ashpra edhe nga industria britanike e mbrojtjes. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara