Kuriozitete

Pema më e bukur në botë, një ginko 860-vjeçare në Korenë e Jugut

Published

on

Çdo vit, në fund të vjeshtës, mijëra njerëz dynden në Bangye-ri, një fshat në Gyeongsang të Koresë së Jugut, për të qenë dëshmitarë të bukurisë së një peme madhështore ginko 860-vjeçare.

Pema ginko në Bangye-ri është një monument kombëtar i Koresë së Jugut, e famshme për kurorën e saj mbresëlënëse që aktualisht mbulon një perimetër prej rreth 17 metrash.

Me një lartësi rreth 32 metrash, ajo nuk është as pema më e lartë ginko në vendin aziatik, por mënyra se si janë shtrirë degët e saj e bën atë një nga pemët vizualisht më mbresëlënëse në Tokë.

Në Korenë e Jugut, pema ginko në Bangye-ri shpesh quhet pema më e bukur në botë.

Është interesante se pema më e bukur e Koresë së Jugut arriti kulmin e popullaritetit të saj gjatë pandemisë Covid-19, si pjesë e asaj që disa ekspertë e quajtën “tendenca e udhëtimit të epokës Covid”. Familjet filluan të udhëtonin drejt atraksioneve të jashtme me makinat e tyre në mënyrë që të minimizonin kontaktin me të huajt.

“Për shkak të pandemisë, është bërë zakon tani që një numër i vogël njerëzish si çifte apo familje të bëjnë udhëtime jashtë në natyrë”, tha profesori Lee Hoon i Shkollës së Turizmit të Universitetit Hanyang.  “Shëtitjet bëhen sidomos në makina, që ata të mos duhet të jenë në kontakt të ngushtë me të huajt.”

“Ky fshat ka qenë i qetë para pandemisë Covid-19, por vizitorët u trefishuan vitin e kaluar, pastaj u katërfishuan këtë vit”, tha Chae Beom-sik, kreu i fshatit Bangye-ri, në 2021. “Një mesatare prej 4,000 njerëz e vizitojnë një ditë, qoftë ditë jave apo fundjavë. Nuk ka restorante përreth, dhe dyqani më i afërt është 1.5 kilometra larg, por njerëzit grumbullohen vetëm për bukurinë e kësaj peme”./syri.net

Kuriozitete

Nga socializimi tek pasuria, si mund të ndikojë një gotë verë në karrierë?

Published

on

Edhe pse shumë studime paralajmërojnë për rreziqet e konsumit të alkoolit, nga sëmundjet e mëlçisë deri te kanceri, një studim i ri ofron një këndvështrim ndryshe: ai lidh pirjen e moderuar ose të tepërt të alkoolit gjatë të rinjve me suksesin profesional në të ardhmen.

Sociologu norvegjez Willy Pedersen dhe kolegët e tij në Universitetin e Oslos ndoqën për 18 vjet zakonet e konsumit të alkoolit të mbi 3,000 norvegjezëve, nga mosha 13 deri në 31 vjeç.

Ata zbuluan se personat që pinin shpesh në fund të adoleshencës dhe gjatë të njëzetave kishin, në përgjithësi, nivel më të lartë arsimimi dhe të ardhura më të mëdha krahasuar me ata që pinin rrallë ose aspak.

Në librin e tij të ri, “Bukuria dhe Dhimbja e Drogave”, Pedersen argumenton se substancat psikotrope, përfshirë alkoolin, mund të luajnë një rol të caktuar pozitiv në karrierën e të rinjve, duke i ndihmuar ata të kapërcejnë ndrojtjet dhe pengesat sociale.

“Shpjegimi më i mundshëm është se alkooli vepron si tregues i socializimit, i cili lidhet me disa përfitime specifike,” shpjegon ai e përmend Klubin Bullingdon në Universitetin e Oksfordit, i njohur për anëtarët e pasur dhe të shquar që shoqërohen shpesh duke pirë, përfshirë ish-kryeministrat britanikë Boris Johnson dhe David Cameron.

Megjithatë, Pedersen thekson se nuk ekziston asnjë lidhje midis pirjes së alkoolit në vetmi dhe suksesit profesional.

Në një artikull për Marie Claire, psikologia kliniko-sociale Elena Karageorgiou foli për marrëdhënien e grave me alkoolin: “Ndryshe nga brezat më të rinj dhe edhe gratë e mëparshme, gratë mbi të tridhjetat përdorin alkoolin më lirshëm në jetën e tyre shoqërore. Sot, imazhi i një gruaje që pi nuk ngjall më stigmën që dikur kishte. Megjithatë, kjo liri ka çuar në rritjen e konsumit të alkoolit mes grave, të cilat shpesh e përdorin si mënyrë për të përballuar presionet profesionale dhe familjare.”

Në këto raste, pirja shihet si një formë fuqizimi ose arratisjeje e përkohshme nga kërkesat e përditshme. Sipas Karageorgiou, është koha të flasim hapur për dimensionin gjinor të konsumit të alkoolit, në mënyrë që të mos mbetet më një tabu. /A.Z/UBT News/

 

Continue Reading

Automobilizëm elektrikë

Pse nuk duhet të lani veturën në temperatura shumë të ulëta?

Published

on

Ekzistojnë shumë mendime rreth mirëmbajtjes së veturës gjatë dimrit. Disa sugjerojnë larjen e shpeshtë për të ruajtur ngjyrën, ndërsa të tjerë këshillojnë të shmanget larja automatike për të mos dëmtuar sipërfaqen.

Në thelb, larja duhet të bëhet po aq shpesh sa gjatë verës – kur ndjeni se është e nevojshme për mirëmbajtjen e automjetit.

Papastërtitë dimërore, si lluga agresive dhe kripa, mund të jenë korrozive, por kjo vlen për sipërfaqet që kanë gërvishtje ose plasaritje të bojës. Sipërfaqet e paprekura zakonisht i përballojnë mirë depozitat e papastërtisë.

Nënstruktura e veturës rrallë ka probleme me korrozionin falë mbrojtjes moderne, metalit të galvanizuar dhe vulave të fabrikuara. Problemet më të mëdha prekin kryesisht veturat e vjetra.

Kur temperaturat bien nën -10°C, shmangni shokun termik: uji i ngrohtë i larjes (10-30°C) dëmton pjesët e ekspozuara në të ftohtë.

Para larjes, hiqni borën dhe akullin, sepse gërvishtjet mund të dëmtojnë ngjyrën.

Larja e thjeshtë dhe shpëlarja e mirë janë të mjaftueshme; programet e shtrenjta me dyll të ngrohtë ose mbrojtje të pjesës së poshtme nuk janë domosdoshmëri. Sidoqoftë, secili mund të zgjedhë mënyrën që i duket më e përshtatshme për veturën e tij.

Më e rëndësishmja është kontrolli periodik nga një specialist. Para dhe pas dimrit, dëmtimet e mbrojtjes së pjesës së poshtme mund të zbulohen dhe riparohen, duke eliminuar rrezikun e ndryshkut. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kuriozitete

13 vite kërkim! Lulja misterioze e Sumatras e çon shkencëtarin në lot

Published

on

Sipas Universitetit të Oksfordit, një nga bimët që shihen më shpesh nga tigrat sesa nga njerëzit është Rafflesia hasseltii, një nga lulet më të rralla në botë.

Një ekip shkencëtarësh udhëtoi në pyjet e dendura të Sumatrës në Indonezi për ta gjetur dhe, pas ditësh kërkimesh, arritën ta shihnin duke u hapur natën.

Videoja e postuar nga Universiteti i Oksfordit në TikTok tregon momentin emocionues kur Septian Andrikithat, shpërthen në lot, pasi kishte 13 vite që kërkonte këtë lule të jashtëzakonisht të rrallë.

Dr. Chris Thorogood nga Kopshti Botanik i Oksfordit e quajti takimin me Rafflesia hasseltii një përvojë që i ndryshoi jetën. Kjo bimë parazitare rritet në zona të largëta tropikale të mbrojtura nga tigrat e Sumatrës dhe mund të arrihet vetëm me leje të posaçme.

Rafflesia hasseltii njihet edhe si cendangan muca rimau, që do të thotë “kërpudha me fytyrë tigri”. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kuriozitete

Shkenca e shpjegon: Pse disa nuk mund të flenë pa zhurmë në sfond?

Published

on

Shumë njerëz nuk mund të mbyllin sytë në një dhomë plotësisht të qetë dhe u nevojitet patjetër një sfond i lehtë, si televizori, muzika e qetë, tingulli i ventilatorit apo “white noise”.

Ajo që duket si zakon i çuditshëm ka shpjegime të qarta psikologjike. Ekspertët shpjegojnë se në heshtje të plotë truri bëhet aktiv: mungesa e stimujve të jashtëm rrit mendimet, shqetësimet dhe ankthin, duke e bërë momentin para gjumit më stresues.

Një zhurmë e butë në sfond i jep trurit një objekt neutral ku të fokusohet, duke ulur “zërin e brendshëm” të mendimeve.

Psikologët theksojnë lidhjen me fëmijërinë: dikush që është mësuar të flejë mes zhurmës së shtëpisë, televizorit apo trafikut, e kodon mjedisin si të sigurt. Heshtja totale më vonë mund të ndihet e frikshme, ndërsa zhurma e lehtë sjell ndjesinë e pranisë dhe sigurisë.

Një efekt tjetër i zhurmës së njëtrajtshme është se ajo maskon tingujt e papritur, kërcitje, zhurma nga korridori apo makina jashtë që mund të zgjojnë trurin. Tingujt e ventilatorit, të detit apo white noise stabilizojnë “peizazhin akustik” dhe ndihmojnë që gjumi të mos ndërpritet.

Psikologët lidhin këtë edhe me ankthin: njerëzit që mendojnë shumë, kanë imagjinatë të gjallë ose priren të “overthink”, përdorin zhurmën si mënyrë për të qetësuar mendjen, për të ulur tensionin emocional e kaluar më lehtë nga aktiviteti në gjumë.

A është e dëmshme? Zakonisht jo. Zhurma e butë, e njëtrajtshme dhe në volum të ulët ndihmn shumë njerëz të flenë më shpejt dhe më thellë. Problem më i madh paraqet televizori me dritë të fortë, ndryshime të papritura volumi apo programe me zhurma të forta.

Specialistët rekomandojnë tinguj si white noise, pink noise apo tinguj natyrorë si opsion më i shëndetshëm.

Por, nëse dikush nuk mund të flejë fare pa zhurmë dhe kjo e pengon në udhëtime, ambiente të reja, apo rrit ankthin kur nuk ka sfond tingujsh, atëherë këshillohet konsultimi me një terapist gjumi ose psikolog për të kuptuar më mirë këtë nevojë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara