Lajmet

PE: Kosova të bëjë reforma për t’iu afruar BE-së, të hapë kapitull të ri bisedimesh me Serbinë

Published

on

Deputetët e Parlamentit Evropian kanë miratuar një raport për Kosovën që inkurajon shtetin të bëjë reforma për të lëvizur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por po ashtu kërkon që Prishtina dhe Beogradi të hapin një kapitull të ri në bisedimet për normalizim.

“Është e qartë që procesi integrues i Kosovës ka nevojë për një momentum të ri – na duhet një kapitull i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Është jashtëzakonisht pozitive që të gjitha partitë e mëdha politike në Kosovë mbështesin fuqishëm integrimin në BE. E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane dhe ne do të punojmë së bashku në agjendën e reformave sepse çdo anëtarësim në të ardhmen duhet të bazohet në meritë”, tha raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras.

Sipas eurodeputetëve, dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, “fatkeqësisht nuk ka prodhuar rezultatet e pritura”, teksa ata u kërkuan të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.

BE-ja ka përsëritur vazhdimisht se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është parakusht për rrugën e të dyja vendeve drejt integrimit evropian.

Së voni, shefja për politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Kaja Kallas, ka thënë se Brukseli është duke analizuar gabimet në procesin e dialogut, që ka nisur më 2011.

Ndërkaq, në raportin për Kosovë, PE-ja tha se shteti ka bërë përparim të dukshëm në reformën zgjedhore, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.

Megjithatë, sfidat mbeten sa i përket reformave në gjyqësor, liri të medias, efikasitetit të administratës publike dhe digjitalizimit të shërbimeve publike. Eurodeputetët theksuan se përkushtimi i vazhdueshëm i reformave gjithëpërfshirëse dhe qeverisjes përfshirëse është thelbësore për përparimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.

Eurodeputetët thanë po ashtu se Kosova ka qenë cak i ndërhyrjeve të huaja dhe fushatave dezinformuese, veçmas nga Rusia dhe Kina, që kishin për synim destabilizimin e rajonit dhe pengimin e integrimit evropian të Ballkanit perëndimor.

Prandaj, “Parlamenti Evropian i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të forcojë kapacitetet e saj për të luftuar këto kërcënime”, tha PE-ja.

Më 7 maj, eurodeputetët po ashtu kanë miratuar një raport për Serbinë, të cilës iu kërkua që të përmirësojë dialogun e brendshëm politik, të mbrojë sundimin e ligjit dhe të bëjë reforma kundër korrupsionit.

Ndërkaq, sa i përket dialogut me Kosovës, në raport u tha se Serbia “duhet të punojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse të normalizimit me Kosovën”, por po ashtu edhe të “harmonizojë plotësisht politikën e saj të jashtme me atë të BE-së”./REL/

Lajmet

Dogana zbulon 150 mijë euro të padeklaruara në Vërmicë

Published

on

By

Zyrtarët e Sektorit të Antikontrabandës të Doganës së Kosovës kanë parandaluar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare në Pikëkalimin Kufitar të Vërmicës, duke zbuluar 150,000 euro të fshehura në një veturë.

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e 12 nëntorit, rreth orës 19:00, në hyrje të Republikës së Kosovës. Ndonëse drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për të paraqitur te doganierët, gjatë kontrollit të detajuar të veturës u gjetën paratë e padeklaruara. Fillimisht, shoferi kishte thënë verbalisht se shuma ishte 120,000 euro, por pas numërimit zyrtar rezultoi se ishin 150,000 euro, të gjitha në kartëmonedha prej 50 eurosh.

Në përputhje me procedurat ligjore për mosdeklarimin e mjeteve monetare, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë këto masa:

37,500 euro (25% e shumës) janë konfiskuar menjëherë për mosdeklarim.

112,500 euro (75% e shumës) janë ndalur për deponim dhe ruajtje deri në përfundimin e procedurave hetimore.

Në vendngjarje kanë dalë zyrtarët e Sektorit të Hetimeve të Doganës në koordinim me Prokurorinë kompetente në Prizren. Me udhëzim të prokurorit kujdestar, drejtuesi dhe automjeti janë liruar, ndërsa ai është obliguar të paraqesë dokumentacionin përkatës për të dëshmuar prejardhjen e parave.

Dogana e Kosovës u rikujton udhëtarëve se deklarimi i mjeteve monetare në vlerë prej 10,000 euro ose më shumë është detyrim ligjor gjatë hyrjes apo daljes nga vendi.

Continue Reading

Lajmet

Samiti i NATO-s në Tiranë nuk do të mbahet në vitin 2027

Published

on

By

Samiti i NATO-s nuk do të mbahet në Shqipëri vitin e ardhshëm, pavarësisht planeve të mëparshme. Lajmin e ka konfirmuar kryeministri shqiptar, Edi Rama, duke saktësuar se organizimi në Tiranë mund të zhvendoset për në vitin 2028.

Duke folur në Dublin përpara një takimi të liderëve evropianë, Rama deklaroi se ende nuk ka një dakordësi të përbashkët brenda aleancës se kur do të zhvillohet samiti i radhës, por përjashtoi kategorikisht vitin 2027.

“Çështja është se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të mbahet samiti, por me siguri jo në vitin 2027. Dhe në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të jetë në Tiranë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, një zyrtar i NATO-s deklaroi të enjten se “samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Shqipëri”, por shtoi se vendimi për datën ende nuk është marrë.

Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, planet për mbajtjen e samitit në Tiranë ishin vënë në dyshim që në muajin qershor, për shkak të rezistencës nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësive mes vendeve anëtare lidhur me nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen.

Gjithashtu, NATO po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së praktikës së samiteve vjetore, një lëvizje që shihet si mënyrë për të shmangur tensione të mundshme me presidentin Trump.

Ndërsa në deklaratën e samitit të Hagës në qershor 2025 parashikohej që takimi në Turqi në vitin 2026 të pasohej nga ai në Shqipëri, në deklaratën e samitit të Ankarasë të mbajtur në korrik të këtij viti, liderët e aleancës nuk përmendën as kohën dhe as vendin e takimit të ardhshëm. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

IQMT gjobit me 9 mijë euro tri kompani postare dhe ndëshkon tregtarët e paregjistruar online

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar 70 inspektime ndaj kompanive të shërbimeve postare që shpërndajnë porositë e realizuara përmes platformave online, duke shqiptuar masa ndëshkuese për shkelësit e ligjit.

Sipas njoftimit të IQMT-së, tri kompani postare janë gjobitur me gjithsej 9,000 euro, pasi kanë refuzuar të ofrojnë të dhënat për bizneset apo personat fizikë nga të cilët kishin pranuar mallrat për transport. Gjithashtu, nga monitorimi i rrjeteve sociale dhe platformave të shitjes, janë identifikuar dhe gjobitur dy persona fizikë që ushtronin veprimtari tregtare të paregjistruar, të cilët janë obliguar të regjistrojnë bizneset e tyre brenda afatit ligjor.

Nga ky aksion inspektues, mbi 100 biznese janë formalizuar duke u regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Njëkohësisht, IQMT bën të ditur se ka nisur kontrollet e rrepta për ofertat dhe zbritjet e promovuara me rastin e “Black Friday”. Inspektorati do të verifikojë nëse çmimet e reklamuara me zbritje përputhen me çmimet reale të shitjes, duke paralajmëruar gjoba konform Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit për çdo praktikë mashtruese. Kontrollet ndaj tregtisë online tashmë janë përfshirë në planin e rregullt të punës së këtij institucioni./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Vitia pranon mungesën e barnave onkologjike gjatë verës, njofton masa disiplinore ndaj zyrtarëve të vonuar

Published

on

By

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pranuar gjatë interpelancës në Kuvendin e Kosovës se në Klinikën e Onkologjisë ka pasur mungesë të medikamentit “Palbociclib” gjatë muajve korrik dhe gusht të këtij viti, si dhe vonesa në furnizimin me disa barna të tjera esenciale.

Duke sqaruar situatën, Vitia bëri të ditur se “Palbociclib” ishte futur në Listën Esenciale në vitin 2025 me planifikim fillestar për 40 pacientë, por dyfishimi i kërkesave bëri që kontrata të shpenzohej në masën 130% brenda nëntë muajsh. Sipas tij, pamundësia për të hapur procedura të reja pa miratimin e buxhetit dhe dështimi i tenderit të parë për mungesë ofertuesish shtynë furnizimin deri më 18 gusht, pas lidhjes së kontratës së përshpejtuar më 30 korrik 2026.

Bilanci i mungesave dhe masat disiplinore

Ministri pranoi se furnizimi i sivjetshëm në Onkologji nuk ka qenë në nivelin e viteve 2024 dhe 2025, duke paraqitur të dhënat mbi shtrirjen e mungesave:

Palbociclib: Mungoi për gati 9 javë, duke prekur 70 pacientë (dy cikle trajtimi).

Bevacizumab (Avastin): Mungoi për rreth 13 javë, duke prekur 70 pacientë.

Bicalutamide: Mungoi për 12 javë, duke prekur rreth 70 pacientë.

Dabrafenib: Mungoi për 20 javë, duke prekur 12 pacientë.

Sorafenib: Mungesa preku 14 pacientë.

Si shkaqe kryesore ai përmendi mungesën e autorizimeve të marketingut dhe vonesat procedurale. Vitia njoftoi se pas një auditimi të brendshëm janë iniciuar procedura disiplinore ndaj zyrtarëve që nuk kanë reaguar me kohë, ndërsa shtoi se tashmë janë nënshkruar kontrata afatgjata për stabilizimin e furnizimit.

/E.A/

Continue Reading

Të kërkuara