Lajmet

PDK themelon Këshillin Politik

Koordinator i Këshillit Politik do të jetë akademik Arsim Bajrami.

Published

on

Në 23-vjetorin e themelimit të partisë, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me vendim të Kryesisë ka themeluar sot Këshillin Politik, një organ këshillëdhënës i partisë. Këshilli Politik ka 31 anëtarë, ndërsa përbëhet nga koordinatori dhe 30 anëtarë të Partisë.

Koordinator i Këshillit Politik do të jetë akademik Arsim Bajrami, ndërsa anëtarë të Këshillit janë: Agim Çeku, Agim Zogaj, Avni Kastrati, Bajram Mulaku, Basri Musmurati, Daut Xhemaili, Drita Kadriu, Fadil Beka, Flora Brovina, Gani Koci, Hasime Krasniqi, Ismail Syla, Kadri Kryeziu, Latif Gashi, Laura Guguli, Lumnie Morina, Lumnije Rama, Mehdi Bektashi, Mexhide Topalli, Minir Krasniqi, Ramadan Muja, Ramiz Fazliu, Sabri Tahiri, Sala Ahmeti, Salie Mustafa, Selvie Halimi, Shaban Shabani, Shemsi Veseli, Skender Ahmeti dhe Zahrie Isufi.

Në njoftim bëhet e ditur se anëtarët e Këshillit janë personalitete që kanë kontribuar në Partinë Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj, në pozicione dhe kapacitete të ndryshme – si deputetë, kryetarë komunash, ministra, themelues të partisë, etj.

Në mbledhjen konstituive të Këshillit Politik, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i ka falënderuar të gjithë anëtarët e Këshillit për punën e tyre që nga themelimi i partisë e deri sot, ndërsa i ka ftuar që përvojën e tyre politike të vazhdojnë ta japin tani nëpërmjet punës në Këshillin Politik, për të ardhmen e gjeneratave të reja.

“Në këtë ditë të shënuar të 23-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, po konstituojmë edhe Këshillin Politik, i cili është një organ këshillëdhënës statutar i PDK-së dhe që përmbledhë një numër të jashtëzakonshëm të personaliteteve të rëndësishme të të gjithë rrugëtimit të PDK-së, të cilët që nga themelimi e tutje, kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm kombëtar, institucional e politik në detyra të ndryshme udhëheqëse brenda PDK-së, por edhe në institucionet e nivelit qendror dhe nivelit lokal. Për mua ishte vërtetë një ndjenjë e nderit të madh, sepse kam punuar me shumë prej tyre dhe ruaj respektin dhe konsideratën maksimale duke e ditur nga dora e parë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, Koordinatori i Këshillit Politik, Arsim Bajrami u shpreh falënderues për besimin e dhënë në udhëheqje të këtij organi, i cili do ta këshillojë dhe ndihmojë lidershipin e partisë.

“Si një prej themeluesve të parë të PDK-së, jam jashtëzakonisht i nderuar me propozimin e kryetarit dhe kryesisë për të qenë pjesë e Këshillit Politik, sidomos në këtë kohë kur udhëheqja e re dhe lidershipi i partisë është duke punuar jashtëzakonisht mirë në reformimin e partisë për të kompensuar edhe mungesën e madhe të dy liderëve, themelues dhe historikë”, theksoi Bajrami.

Kompetencat e Këshillit Politik të PDK-së do të jenë të ndihmojë organet qendrore të partisë (Kryetarin, Kryesinë dhe Këshillin Drejtues) me këshilla, rekomandime, analiza dhe ide, të prodhojë dokumente për nevoja të partisë, të japë rekomandime për përmirësimin e akteve juridike të partisë dhe mënyrës së funksionimit efikas.

Lajmet

Protestat vazhdojnë në Prishtinë dhe Ferizaj deri në përmbushjen e kërkesave për drejtësi për Arlinda Zekajn

Published

on

Protestat për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe për të gjitha gratë e vrara në Kosovë do të mbahen sot, më 29 tetor, në Prishtinë dhe Ferizaj, me kërkesa për llogaridhënie institucionale dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave nga dhuna.

Në Prishtinë, protesta kombëtare do të nisë në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”. Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit për të kërkuar drejtësi për Zekajn dhe përgjegjësi nga institucionet përkatëse.

Përmes një njoftimi për media, organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë dhe se do të ketë bllokim të institucioneve deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Sot, në orën 16:00, në sheshin Zahir Pajaziti, mblidhemi prapë për të kërkuar drejtësinë që Arlinda na e la amanet dhe drejtësi për të gjitha gratë e vrara”, thuhet në njoftim.

Ata kanë kërkuar solidaritet qytetar dhe përgjegjësi institucionale, duke theksuar rëndësinë e garantimit të sigurisë dhe lirisë për gratë, si dhe të drejtësisë për viktimat e dhunës.

Ndërkohë, në Ferizaj protesta do të nisë në orën 12:00, para objektit të Komunës. Sipas organizatorëve, pas tubimit do të ketë ndalesa para Qendrës për Punë Sociale, Stacionit Policor dhe Gjykatës, ku do të kërkohet përgjegjësi institucionale për rastin e Zekajt.

Organizatorët u kanë bërë thirrje edhe mediave që ta përcjellin protestën dhe kërkesat e tyre për drejtësi e llogaridhënie.

Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka nxitur reagime publike dhe protesta, me kërkesa për hetimin e veprimeve të institucioneve përgjegjëse dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e grave nga dhuna.

Para se të vritej, Zekaj kishte paraqitur një parashtresë në Prokurorinë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte kërkuar masa urgjente, duke shprehur shqetësime për sigurinë e saj.

Protestuesit kërkojnë që rasti të trajtohet me seriozitet dhe që institucionet të japin llogari për veprimet e tyre, si dhe të ndërmerren masa konkrete për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bebe Rexha: “Meant to Be” e meritonte një çmim Grammy

Published

on

Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha ka rikthyer në vëmendje suksesin e hitit të saj “Meant to Be”, në bashkëpunim me grupin amerikan Florida Georgia Line, duke deklaruar se kënga meritonte të fitonte një çmim Grammy në vitin 2019.

Me rastin e nëntëvjetorit të publikimit të bashkëpunimit, Rexha ka reaguar përmes një postimi në platformën X, ku ka shprehur pakënaqësinë për faktin që kënga nuk u shpërblye me çmimin prestigjioz.

“‘Meant to Be’ duhej ta kishte fituar një Grammy. Më falni, por nuk më vjen keq”, ka shkruar këngëtarja.

Ajo gjithashtu ka pyetur ndjekësit se kush e fitoi çmimin në kategorinë përkatëse në vitin kur kënga ishte e nominuar. Pasi një fans i kujtoi se çmimi për performancën më të mirë country nga një dyshe ose grup iu nda Dan + Shay për këngën “Tequila”, Rexha reagoi shkurt: “Këngë e mirë”.

E publikuar më 24 tetor 2017, “Meant to Be” u shndërrua në një nga hitet më të mëdha të karrierës së këngëtares, duke ndërthurur elemente të muzikës pop dhe country. Kënga u përfshi në EP-në e saj “All Your Fault: Pt. 2” dhe më vonë në albumin debutues “Expectations”, të publikuar në vitin 2018.

Suksesi ishte i dukshëm edhe në listat muzikore. “Meant to Be” arriti vendin e dytë në Billboard Hot 100, renditja më e lartë e Bebe Rexhës në këtë klasifikim.

Ndërkohë, në Billboard Hot Country Songs, kënga qëndroi për 50 javë radhazi në vendin e parë, duke shënuar një sukses të veçantë për një bashkëpunim mes muzikës pop dhe country.

Në vitin 2020, “Meant to Be” mori certifikimin Diamond nga Shoqata Amerikane e Industrisë së Incizimeve (RIAA), që dëshmon arritjen e pragut prej 10 milionë njësive të shitura dhe të barasvlershme me shitjet në Shtetet e Bashkuara.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci viziton përgatitjet për festivalin “Akordet e Kosovës”

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vizituar sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po zhvillohen përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, që organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Gjatë vizitës, ajo ka parë nga afër skenografinë e realizuar nga Vesë Kraja dhe punën e ekipit organizues, vetëm dy ditë para nisjes së festivalit.

“Me një pjesë të ekipit të festivalit ‘Akordet e Kosovës’, duke parë nga afër përgatitjet dhe punën e mrekullueshme që po bëhet për festivalin, i cili nis këtë të premte në sallën ‘1 Tetori’”, ka shkruar Bogujevci në Facebook.

Ajo është pritur nga drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, drejtoresha e festivalit, Arta Avdiu, u.d. kryeredaktorja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, si dhe punonjës të tjerë të transmetuesit publik.

Festivali i këtij viti do të zgjasë tri net, duke sjellë interpretime muzikore dhe artistë mysafirë. Një hapësirë e veçantë do t’u kushtohet edhe talenteve të reja përmes Festivalit të Fëmijëve, që do të mbahet më 1 nëntor.

Rikthimi i emrit historik “Akordet e Kosovës” synon të nderojë artistët që ndër dekada kanë kontribuar në zhvillimin e muzikës shqipe.

Organizatorët kanë paralajmëruar tri mbrëmje muzikore në Prishtinë, me synimin që festivali të sjellë para publikut artistë të njohur dhe zëra të rinj.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sot seancë në Kuvend: Buxheti dhe Byroja për Konfiskimin e Pasurisë në rend dite

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të rregullt plenare, e cila pritet të nisë nga ora 10:00.

Pikët kryesore të këtij takimi përfshijnë shqyrtimin e dytë të Projektligjit për rishikimin e Buxhetit të vitit 2026, si dhe shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gjithashtu, deputetët do të votojnë edhe për propozimin e Listës Serbe lidhur me emërimin e deputetëve të saj në komisionet parlamentare.

Rendi i ditës:

  1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme
  2. Deklarimet jashtë rendit të ditës
  3. Pyetjet parlamentare
  4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026
  5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme
  6. Votimi i propozimit të GP – Lista Serbe për emërimin e deputetëve në komisione parlamentare

 

Continue Reading

Të kërkuara