Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon qëndrimin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, me kërkesën e njëjtë drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të rikthehet në Kuvend. Përmes një postimi në Facebook, PDK-ja i ka kërkuar atij të hapë rrugën për funksionimin e institucioneve.
“Edhe sot jemi para Qeverisë: Albin, eja në Kuvend dhe hape rrugën për rikthimin e rendit kushtetues. Mos e mbaj peng shtetin, institucionet dhe interesin e qytetarëve për kalkulimet e tua politike”, thuhet në postimin e këtij subjekti politik.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar me kërkesën për vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit, ndërsa kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të procesit. Të dielën, deputetët kanë tentuar të hyjnë në sallën e Kuvendit, por dera ka qenë e mbyllur. Ligjvënësit e këtij blloku kanë theksuar se nëpërmjet këtyre veprimeve po thellohet kriza shtetërore.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar krerët e partive politike në takim, porse të gjithë e kanë refuzuar. Të dielën ajo ka shprehur keqardhje që Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë refuzuar ftesat për takimin e së martës. Ajo ka deklaruar se vullneti i qytetarëve është shprehur qartë përmes proceseve zgjedhore dhe se udhëheqësit politikë e kanë për detyrë ta jetësojnë atë.
Deri më tani, deputetët janë thirrur dy herë për konstituimin e legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Edhe pse ligjvënësit kanë dhënë betimin zyrtar, procesi ka ngecur te propozimi për kryetarin e Kuvendit. Kurti e ka arsyetuar mospaqitjen e propozimit nga ana e vet me mungesën e një marrëveshjeje politike për postin e presidentit, duke argumentuar se pa këtë ujdi rrezikohet konsumimi i afatit 60-ditor dhe shkuarja e sërishme në zgjedhje të parakohshme.
Nga ana tjetër, kryesuesi i seancës konstitutive, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë thirrje për dialog. Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka paralajmëruar: “Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”.
Pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje bashkë me komunitetet i posedon votat e nevojshme për konstituimin e parlamentit dhe votimin e ekzekutivit, zgjedhja e presidentit kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në dy raundet e para, çka në rast dështimi brenda 60 ditësh do ta çonte vendin automatikisht në zgjedhje të reja. Skena politike në vend mbetet e bllokuar në një cikël të vazhdueshëm krizash institucionale që prej fillimit të vitit 2025, çka ka sjellë dështime të njëpasnjëshme në formimin e institucioneve të qëndrueshme. /E.A/