Lajmet

PDK-ja kërkon shpërbërjen e Kuvendit, LVV thotë se kjo s’do të ndodhë

Mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës sërish ka dështuar në mungesë të kuorumit.

Published

on

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje po akuzojnë opozitën për mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, derisa përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, thanë se nuk ka kuptim të votohen marrëveshjet sepse vendi është i sanksionuar si pasojë e veprimeve të Qeverisë.

Mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës sërish ka dështuar në mungesë të kuorumit, pasi aty nuk kanë marrë pjesë nënkryetarët e Kuvendit nga PDK dhe LDK, të cilët po bojkotojnë punën e Kuvendit.

Ndërkohë, u tha se sot ose nesër presin që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të caktojë seancë për ditën e enjte.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se sot ose nesër presin që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të caktojë seancë për ditën e enjte, derisa është pyetur se deri kur do të vazhdojnë me mungesë kuorumi dhe moskordinim me opozitën.

“Besoj që kjo është pyetje për përfaqësuesit e opozitës, ne do të vazhdojmë me atë që na lejon rregullorja dhe Kushtetuta, që të sigurohemi që në veçanti disa ligje që janë tepër me rëndësi të miratohen gjatë kësaj periudhe kohore, edhe tri javë të mbetura që janë të sesionit pranveror. Jemi mobilizuara maksimalisht në mbajtje të korumit dhe votim të suksesshëm në seanca. Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, është fakt i ditur se pa qenë 80 deputetë, ato nuk mund të hedhen në votim, prandaj si të tilla mbesin në obligim dhe përgjegjësi të opozitës. Arsyet siç i keni parë nuk kanë qenë të artikuluara në formën që mund të ketë qartësi se kur mund të kryhet kjo. Fillimisht kanë mohuar zgjedhjet, pastaj kanë kërkuar zgjedhjet tjetri grup… ne i konsiderojmë totalisht të pa pranueshme, totalisht të paarsyeshme dhe natyrisht që ndoshta dëmi më i madh që i bëhet vendit“, tha ajo, derisa ka mohuar se mund të shpërbëhet kuvendi.

“Jo absolutisht, Kuvendi për shpërbërje duhet t’i ketë dy të tretat. Ne nuk shohim që ka telashe në Kuvendit përveç që ato që po i krijon opozita të paqena por puna jonë me pozitën do të vazhdojë. Sesioni pranveror vazhdon punën deri në fund të korrikut dhe pastaj në gusht shkohet në pushim siç është paraparë”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se ky Kuvendi nuk meriton asnjë ditë të vetme të shpenzojë taksat e qytetarëve kur është kaq jofunksional.

“Duhet të shpërbëhet sa më parë. I kemi dhënë mundësi edhe kryeministrit nga java e kaluar ose ta shpërbëj Kuvendit ose të jap dorëheqje dhe koha është që vendi ynë të shkoj në zgjedhje të parakohshme. Ju e shihni që çdo ditë e më shumë po thellohet kriza, ju e shihni edhe marrëzitë që i bëjnë qeveritarët tanë karshi partnerëve tanë, ju e shini që çdo ditë e më shumë vendi ynë po sanksionohet nga ShBA, BE dhe nga vendet e BE-së veç e veç, çdo ditë kemi lajme që vendet veç e veç siç ishte Gjermania para dy dite po marrin masa ndaj Republikës së Kosovës. Ne nuk të mbijetojmë të izoluar dhe as që e kemi ndërmend që ta ndihmojmë në izolimin e vendit…ne nuk do të votojmë. Tani e tutje nuk do t’i votojmë as marrëveshjet ndërkombëtare, as projektligjet dhe asgjë, me qëllimin e vetëm që sa më shpejt ta qojmë vendin në zgjedhje, që sa më shpejt ta largojmë një qeveri të paaftë, që tashmë ka krijuar një krizë jashtëzakonisht të madhe, një krizë që mundet me ardhë Republika jonë për të pas sanksione nga ShBA dhe BE“, tha ai, duke shtuar se njerëzit që fusin një vend në krizë, nuk janë më kredibil që ta nxjerr vendin nga kriza, prandaj, si në Kuvend, ashtu edhe jashtë do të angazhohen për zgjedhje të reja.

Ai shtoi se do t’i përdorin të gjitha masat e mundshme, të nevojshme që t’ia pamundësojnë punën Kuvendit, duke mos dhënë detaje nëse kjo i bije edhe në pengimin e mbarëvajtjes së seancave.

“Ne në ditët në vijim do t’ua bëjmë me dije për secilin hap që do të ndërmarrim. Tani për tani nuk do të votojmë asnjë projektligj, asnjë marrëveshje ndërkombëtare. Çfarë kuptimi ka kur jemi të sanksionuar të votojmë marrëveshje ndërkombëtare, edhe ashtu këto janë të fundit sepse kjo qeveri nuk mund të sjellë më marrëveshje ndërkombëtare, nuk ka asnjë shtet, asnjë organizatë ndërkombëtare që nënshkruan marrëveshje me këtë qeveri të sanksionuar”, tha ai.

Sipas tij, është detyrë e PDK-së për ta nxjerr vendin nga kjo krizë që ka shkaktuar pozita.

Vendi

Arrestohen pesë persona pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, një i lënduar dërgohet në QKUK

Published

on

By

Pesë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të dy lokaleve.

Si pasojë e incidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, 33-vjeçari me inicialet SH.A., për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku do të intervistohet nga policia posa t’i stabilizohet gjendja shëndetësore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë intervistimit njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ka përdorur një kaçavidë gjatë përleshjes, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën. Policia ka sekuestruar kaçavidën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka siguruar një incizim të ngjarjes që do t’i dorëzohet prokurorisë.

Të arrestuarit për këtë rast janë: D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç), A.A. (22 vjeç)

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë incident. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përfshihet nga zjarri një deponi me goma të vjetra në Sllatinë

Published

on

By

Një deponi për grumbullimin e gomave të vjetra në Sllatinë është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar tym të zi dhe të dendur që është përhapur në zonën përreth. Deponia ndodhet në afërsi të rrugës kryesore.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për zonën e Prishtinës, Abdusamed Shkodra, ka konfirmuar për mediat se ekipet janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të lokalizuar dhe shuar flakët.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera materiale, ndërsa zjarrfikësit po vazhdojnë punën në terren. /Ekonomia online/

Continue Reading

Rajoni

Ministri i Shqipërisë Hoxha i përgjigjet Gjuriqit: Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime

Published

on

By

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, nuk ka munguar as ai i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Kryediploti shqiptar i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, duke theksuar se e ardhmja e rajonit qëndron te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik, e jo te kërcënimet apo akuzat.

Përmes një reagimi lidhur me debatin për lumin Ibër, kryediploti shqiptar bëri të ditur se uji nuk duhet të përdoret si instrument ndëshkimi. Ndonëse Ibri nuk rrjedh përmes Shqipërisë, Hoxha nënvizoi se çfarëdo kërcënimi për ndërprerjen e ujit dëmton bashkëjetesën paqësore në të gjithë rajonin.

“Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime, ndërsa kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksione, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen”, ka deklaruar Hoxha.

Më tej, ai hodhi poshtë pretendimet për projekte të mëdha territoriale, duke potencuar se i vetmi projekt që e intereson Shqipërinë është një “Bashkim Evropian më i Madh”, që përfshin Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Kryediploti i Shqipërisë shprehu gatishmërinë e plotë për dialog dhe bashkëpunim konkret mes shqiptarëve dhe serbëve, duke bërë thirrje për më shumë fokus drejt së ardhmes evropiane dhe më pak drejt mitologjive të së kaluarës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja: Deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit duhet të shmangen

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian më 11 gusht.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.

BE-ja komentoi edhe rrënimet e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte lidhur deklaratën e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

“Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rrënimet e fundit”, thuhet në përgjigje.

Sipas Komisionit Evropian, çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procesin e rregullt ligjor.

“Personave të prekur duhet t’u jepet mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore para se masa të zbatohet”, thuhet në përgjigje.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit.

Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se devijimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundshëm, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do t’i shkaktonte dëme Kosovës, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Kjo konventë përcakton, mes të tjerash, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera.

Kosova nuk është palë në këtë konventë, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. /REL/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara