Lajmet

PDK-ja kërkon komision hetimor për kontratat njëburimore

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se pushteti ka keqpërdorur 150 milionë euro përmes këtyre kontratave.

Published

on

Partia Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme në emër të 40 deputetëve për themelimin e komisionit hetimor lidhur me kontratat njëburimore.

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se pushteti ka keqpërdorur 150 milionë euro përmes këtyre kontratave.

“Pushteti i Albin Kurtit, vetëm në shtatë institucione, ka keqpërdorur mbi 150 milion euro taksa të qytetarëve përmes kontratave njëburimore që janë burim i korrupsionit. Ky skandal duhet dhe do të hetohet deri në fund. Jo vetëm këto kontrata por edhe miliona eurot e tjera, shpenzimi i të cilave është bërë në mënyrë të kundërligjshme”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social Facebook.

Sipas tij, shumica parlamentare e ka mundësinë që të votojë këtë komision e të dëshmojë vullnetin për t’u bashkuar në kërkesën për llogaridhënie që sipas tij duhet ta ushtrojë Kuvendi.

Lajmet

Gjashtë raste të dhunës në familje raportohen në Kosovë

Published

on

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar më 10 shtator në Prishtinë, Fushë Kosovë, Graçanicë, Malishevë, Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, sipas raportit të Policisë së Kosovës.

Në Prishtinë, një burrë kosovar është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. Pas intervistimit të palëve, viktima, me pëlqimin e saj dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Fushë Kosovë janë raportuar dy raste. Në njërin rast, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje, ndërsa rasti po hetohet në procedurë të rregullt. Në rastin tjetër, dy burra janë rrahur mes vete pas një mosmarrëveshjeje dhe kanë pësuar lëndime trupore. Të dy kanë marrë tretman mjekësor në QKUK dhe më pas janë arrestuar e dërguar në mbajtje.

Në Graçanicë, një grua dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje tjetër, e cila ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është dërguar në strehimore. Rasti është duke u hetuar.

Në Malishevë, një grua dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje tjetër, e cila ka marrë tretman mjekësor. E dyshuara është arrestuar dhe më pas, me urdhër të prokurorit kujdestar, është liruar në procedurë të rregullt.

Në Gjakovë, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një burri tjetër. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë automatike AK-47 me tre karikatorë, një pistoletë, 45 fishekë dhe një boks të hekurit. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Ndërkaq, në Mitrovicën e Jugut, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. I dyshuari ndodhet në kërkim policor, ndërsa rasti është në procedurë hetimore.

Sipas Policisë së Kosovës, rastet vazhdojnë të trajtohen nga organet kompetente./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Paranormal Activity” mbërrin në Broadway, producenti: Më në fund një horror që të frikëson

Published

on

Versioni teatral i filmit të suksesshëm horror “Paranormal Activity” ka mbërritur në Broadway, me autorët që pretendojnë se kanë arritur të sjellin në skenë një përvojë frikësuese që rrallë realizohet në teatër.

Producenti Jason Blum, themelues i Blumhouse dhe producent i projekteve si “Get Out” dhe “Five Nights at Freddy’s”, tha se prej vitesh kishte parë shfaqje që synonin të frikësonin publikun, por pa arritur gjithmonë efektin e dëshiruar.

“Unë nuk kam parë kurrë një shfaqje që më ka frikësuar vërtet dhe këta njerëz ia dolën ta realizonin”, tha Blum për adaptimin teatror.

Shfaqja ndjek një çift të sapomartuar që zhvendoset nga Çikagoja në Londër, ku nis të përballet me fenomene të pazakonta në shtëpinë e re. Ngjarjet ndikojnë edhe në marrëdhënien e tyre, duke vënë në pikëpyetje arsyen dhe duke hapur rrugën për situata që nuk mund të shpjegohen shkencërisht.

Ndryshe nga filmi, produksioni nuk mbështetet në montazh kinematografik, pamje nga afër apo efekte të papritura. Në vend të tyre, skena përdor elemente të thjeshta, si televizorë që ndizen, qirinj që fiken, hije dhe batanije që rrëzohen.

Regjisori Felix Barrett, krijuesi i shfaqjes “Sleep No More”, tha se çelësi ishte që historia të ndërtohej fillimisht si një dramë familjare bindëse.

“Kjo mund të funksionojë vetëm nëse shihni një çift që njihni përpara jush. Mund t’i kaloni pranë në rrugë. Madje mund ta shihni veten në atë çift”, tha Barrett.

Ekipi krijues, ku bëjnë pjesë edhe shkrimtari Levi Holloway dhe dizajneri i iluzioneve Chris Fisher, i ka integruar efektet brenda vetë skenografisë së ndërtesës së errët shumëkatëshe.

Sipas Barrett, gjatë procesit krijues ekipi kuptoi se “më pak është më shumë”, duke hequr disa nga skenat më ekstreme të versioneve të mëparshme për të ruajtur një efekt më të fortë te publiku./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Neighbours / From Motherland” hap edicionin e pestë të International Dance Festival of Tirana

Published

on

Edicioni i pestë i International Dance Festival of Tirana (IDFT) do të hapet këtë tetor me shfaqjen “Neighbours / From Motherland”, me koreografi të Brigel Gjokës dhe Rauf “RubberLegz” Yasit.

Shfaqja do të prezantohet më 3 dhe 4 tetor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, ndërsa më 7 tetor do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“From Motherland” trajton tema si identiteti, trashëgimia, përkatësia dhe kujtesa e përcjellë ndër breza, duke sjellë në fokus lidhjet mes individit, vendit dhe kujtesës kolektive.

Vepra vjen si bashkëprodhim mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Shqipërisë dhe Baletit Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja përfaqëson një kapitull të ri të projektit “Neighbours”, duke sjellë një tjetër bashkëpunim artistik mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe duke bashkuar në skenë performues nga të dyja vendet./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Thaçi nga Haga: Lufta e UÇK-së ishte vetëmbrojtje ndaj represionit serb

Published

on

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën ekskluzive për emisionin “Top Story” nga Haga ka folur për shumë çështje, duke filluar nga krijimi i Gjykatës Speciale, akuzat e Dick Martyt, pastaj pjesëmarrjen e tij në luftë, e shumë çështje tjera.

Vetëm disa ditë para 16 shtatorit, kur Gjykata Speciale do të jep vendimin e saj, Thaçi argumenton se UÇK-ja është hetuar dhe gjykuar më shumë se çdo palë tjetër e konfliktit, ndërsa thekson se lufta në Kosovë ishte një përpjekje për vetëmbrojtje ndaj represionit dhe masakrave serbe.

I pyetur se Prokuroria ka theksuar qëllimin për të marrë dhe ushtruar kontroll mbi Kosovën përmes krimeve ndaj kundërshtarëve të perceptuar dhe me çfarë e rrëzoni konkretisht në këtë tezë, Thaçi theksoi se Serbia për tetë dekada kishte instaluar, përmes dhunës dhe administratës, një pushtim klasik në Kosovë.

GRIDA DUMA: Prokuroria ka theksuar qëllimin për të marrë dhe ushtruar kontroll mbi Kosovën përmes krimeve ndaj kundërshtarëve të perceptuar. Çfarë rrëzoni konkretisht në këtë tezë? Ekzistencën e një qëllimi të tillë, mjetet që janë përdorur apo lidhjen tuaj personale me veprimet në terren?

HASHIM THAÇI:

Serbia për tetë dekada kishte instaluar, përmes dhunës dhe administratës, një pushtim klasik në Kosovë. Po ushtronte kontroll të plotë, pëllëmbë për pëllëmbë, në të gjithë territorin e saj.

Ushtria dhe policia serbe nuk ishin kundërshtarë të perceptuar. Ata përfaqësonin aparatin e aparteidit dhe të spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

Vetëmbrojtja ishte e drejta jonë morale dhe legjitime. Qëllimi i rezistencës kosovare ishte liria, paqja dhe ndërtimi i shtetit. Lufta nuk ishte qëllim në vetvete.

Për këtë e fituam edhe mbështetjen e botës demokratike.

Po të mos ndodhte rezistenca kosovare dhe pastaj intervenimi ndërkombëtar, nëse do të mbijetonte sot Kosova, do të ishte pothuajse e shpopulluar.

Pasi, si shumë njerëz në diasporë, edhe unë kontribuoja, por nuk isha pjesë e asnjërit prej fondeve të saj. Kishte edhe të tillë, jo të paktë, që nuk paguanin asnjërin./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara