Me emocione, buzëqeshje dhe energji pozitive, UBT International Smart Schools kanë nisur sot vitin e ri shkollor 2025/26. Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, qindra nxënës të rinj dhe aktual u mirëpritën nga mësuesit, prindërit dhe drejtuesit e shkollës, duke shënuar fillimin e një kapitulli të ri të mbushur me dije, risi dhe përvoja të paharrueshme arsimore.

Në këtë ceremoni të mbajtur në ambientet moderne të kampusit, nxënësit, prindërit dhe stafi patën mundësinë të njihen më afër me hapësirat inovative dhe programet e ofruara në drejtimet:
- Gjimnazi TIK
- Gjimnazi Natyror
- Gjimnazi Gjuhësor
- Asistent Dentar
- Bashkëpunëtor Profesional i Infermierisë
- Teknik i Farmacisë
- Teknik i Laboratorit Mjekësor
- Teknik i Optikës – Opticient
Themeluesi dhe Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, përshëndeti nxënësit dhe prindërit duke theksuar përkushtimin e institucionit për të ofruar një arsim të standardeve ndërkombëtare.
“Është kënaqësi e veçantë të shohim energjinë dhe entuziazmin e qindra nxënësve që sot nisin rrugëtimin e tyre në Shkollat e UBT-së. Ne ofrojmë jo vetëm një ambient modern, por edhe një përvojë arsimore që i përgatit ata për jetën, për sfidat profesionale dhe për të ardhmen. Ky vit i ri është një mundësi për të mësuar më shumë, për të krijuar më shumë dhe për të ndërtuar një të ardhme të ndritur”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Drejtoresha e UBT International Smart Schools, Hajrije Devetaku – Gojani, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes prindërve, nxënësve dhe stafit mësimor.
“Synimi ynë është të krijojmë një mjedis ku çdo nxënës ndihet i mbështetur dhe i motivuar. Në këtë vit të ri, ne do të punojmë së bashku për të zhvilluar aftësi, dije dhe vlera që do të shoqërojnë nxënësit gjatë gjithë jetës së tyre”, tha Devetaku – Gojani.
Ceremonia u shoqërua me një atmosferë festive dhe me pritshmëri të larta për një vit të suksesshëm, teksa nxënësit u drejtuan në klasat e tyre për orën e parë të mësimit.
UBT International Smart Schools edhe këtë vit riafirmojnë vizionin e tyre si institucionet më inovative në Kosovë, duke ofruar një arsim të cilësisë së lartë dhe duke përgatitur gjeneratat e reja për sfidat e së ardhmes.

