Lajmet

PDK e shqetësuar me masat e BE-së, Tahiri: Kemi hyrë në një shkallë të rrezikshme

Sipas PDK-së të njëjtat dëmtojnë rëndë raportin me Bashkimin Evropian.

Published

on

Opozita i konsideron shqetësuese masat e BE-së ndaj Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në vend. Sipas PDK-së të njëjtat dëmtojnë rëndë raportin me Bashkimin Evropian dhe se Kosova ka hyrë në një shkallë të rrezikshme të zhvillimeve.

Shefi i Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri konsideroi se zgjidhje është rrëzimi i qeverisë. Po ashtu, vlerësoi propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama për mbajtjen e një konference ndërkombëtare. Por, për këtë nuk është pajtuar pozita, e cila tha se ka kaluar faza e organizimit të tyre.

Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Kusari-Lila tha se synimi për t’u rikthyer në normalitet është i përbashkët edhe i bashkësisë ndërkombëtare. Sipas saj, hapat në këtë rrugëtim po dallojnë me të tjerët, në afate dhe kohës se si ato shtrohen.

“Besohet e shpresojmë të jenë të përkohshme, njëjtë sikur janë deklaruar edhe nga zyrtarët e BE-së. Vlera e projekteve për të cilat flasim ka të bëjë me projektet të cilat janë duke u shqyrtuar. Do të thotë që ndikimi i drejtpërdrejt nëse janë afatshkurta nuk është i ndjeshëm. Projektet e BE-së e kanë ciklin e tillë që janë prej momentit të miratimit deri te fillimi i realizimit kalon periudha kohore edhe mbi më shumë se 1 apo 2 mandate legjislative apo qeverisëse, varësisht prej mandatit të kuvendit dhe qeverisë. Parimi mbi të cilin janë marrë për ne mbetet dekurajues në kuptimin e sistemit vlerës. Kosova është rreshtuar si vend demokratik, si vend i përcaktuar për sundimin e rendit dhe ligjit, për funksionimin e mirëfilltë të demokracisë dhe shpejtësia, lehtësia apo diskutimi mbi të cilin është diskutuar për Kosovën përkundrejt faktit që ka qenë dhe mbetet Serbia ajo e cila edhe ka nxitur trazirat edhe ka ndikuar drejtpërdrejt në përshkallëzimin e situatës edhe ka ushtruar dhunë edhe mbi ushtarët e KFOR-it, gazetarët dhe zyrtarët policor dhe qytetarë të tjerë që janë atje, nuk është mbajtur në llogari ashtu siç po synohet apo mëtohet të mbahet Kosova”, deklaroi Kusari-Lila.

Shfi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri theksoi se qeveria tentoi t’i mbajë të fshehura masat e Bashkimit Evropian.

“Shpreh shqetësimin e thellë që Qeveria e Kosovës dhe kjo mazhorancë tentoi ta mbajë të fshehur komunikimin që kishte bërë BE nga data 28 qershor, që këto masa apo këto sanksione kanë hyrë në fuqi. Pra, qeveria Kurti, mazhoranca që drejtohet nga LVV tashmë për agjendën tonë evropiane, integruese përveç që nuk flitet për progres, mirëpo kemi hyrë në një shkallë shumë të rrezikshme të zhvillimeve me Bashkimin Evropian. Kjo është mjaft shqetësuese, masa të tilla e dëmtojnë rëndë të ardhmen tonë euroatlantike. Masa të tilla e dëmtojnë rëndë raportin tonë me secilin shtet veç e veç me Bashkimin Evropian. Prandaj konsideroj që tashmë edhe si opozitë jemi në prag të një udhëkryqi, të cilët do të na imponohet me siguri që të marrim vendime, të cilat konsideroj që janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë”, deklaroi ai.

Megjithatë, propozimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për organizimin e një konference ndërkombëtare, Kusari-Lila ka thënë se nuk e shohin zgjidhje.

“Kosova e ka kaluar fazën e mbajtjes së konferencave ndërkombëtare për gjetjet e zgjidhjeve të çështjeve të cilat kanë zgjidhje, por nuk ka vullnet nga pala tjetër. Ajo nuk është Kosova. Tashmë ka dy marrëveshje, është marrëveshja e Brukselit gjithashtu është marrëveshja e Ohrit për planin e zbatimit, të cilat Kosova në të dy rastet ka shprehur gatishmërinë dhe i ka qëndruar besnike zbatimit të marrëveshjes së arritur. Ka qenë pala serbe ajo e cila që pas përfundimit të dy takimeve ka mohuar zbatimin e tyre, e gjithashtu edhe në terren drejtpërdrejt ka bërë shkelje të tyre. Mos të harrojmë votimin kundër anëtarësimit në Këshillin e Evropës, e gjithashtu edhe ndërhyrjen e drejtpërdrejt në zgjedhjet lokale në veri të vendit, ku Serbia përveçse bëri thirrje publike në disa instanca prej presidentit e gjithë kabinetit qeverisës për mos pjesëmarrje në zgjedhje, gjithashtu ka bërë presion të drejtpërdrejt në terren përmes grupeve”, shtoi ajo.

Derisa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Tahiri, i cili e ka quajtur vullnet të mirë kryeministrin Rama.

“Angazhimin e kryeministrit Rama në këtë proces në agjendën e Republikës së Kosovës e vlerësojmë jashtëzakonisht lartë. Dhe mendoj që është fat për ne të paktën si komb shqiptar që kemi një zë të arsyeshëm, i cili i flet botës dhe nuk e lejon me aq mundësi sa ka, me aq fuqi sa ka me degradua komplet agjenda jonë. Ju e shihni që ne tashmë politikën e jashtme e kemi të suspenduar. Drejtohemi nga një kryeministër i izoluar, i sanksionuar, nga një mozharancë e dështuar. Pra, imagjinoni një republikë parlamentare ku nuk funksionon parlamenti”, u shpreh Tahiri.

Në takimin e sotëm të partisë, ai shtoi se do të marrin një vendim të qartë sa i përket të ardhmes së vendit.

“Zgjidhje është rrëzimi i kësaj qeverie, pastaj rrugën për të pasur sukses ne duhet ta diskutojmë. Ne e dimë aktualisht me numra se si jemi në këtë kuvend. Edhe ajo që është e rëndësishme është që ne të gjejmë rrugën ta gjejmë drejtimin dhe thjesht të mos vuajmë për protagonizëm që të bëjmë një ditë një lajm më shumë brenda një dite dhe në fund të dështojë”, u shpreh Tahiri.

Ditë më parë, Bashkimi Evropian ka njoftuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi më 28 qershor. Këto masa parashohin pezullimin e punës së organeve të MSA-së dhe programit të fondeve IPA dhe mos ftesa në ngjarje të nivelit të lartë.

Vendi

Prokuroria e Pejës kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj policëve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Published

on

By

Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.

Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /

Continue Reading

Vendi

IKSHPK: 10 raste të reja me kancer çdo ditë në Kosovë

Published

on

By

Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.

Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.

Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.

Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.

Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/

Continue Reading

lajme

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara