Sindikata e Policisë së Kosovës ka dënuar aktet e dhunës gjatë protestave të fundit në Prishtinë, duke shprehur mbështetje për zyrtarët policorë të angazhuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
Në një komunikatë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, Sindikata ka theksuar se e drejta për protestë, shprehje të lirë dhe tubim paqësor është e drejtë themelore që duhet të respektohet, por nuk duhet të shndërrohet në dhunë ndaj policëve, institucioneve apo qytetarëve.
“SPK dënon fuqishëm çdo akt dhune, hedhjen e mjeteve piroteknike, mjeteve të forta dhe çdo sulm ndaj zyrtarëve policorë që janë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në komunikatë.
Sindikata ka theksuar se policët nuk janë palë në debatet politike, por profesionistë që kanë për detyrë zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë për të gjithë.
Ajo ka shprehur mbështetje për zyrtarët policorë të angazhuar në terren dhe ka bërë thirrje që dallimet politike të mos shndërrohen në përplasje me ta.
“Policët janë bijtë dhe bijat tuaja, vëllezërit dhe motrat tuaja. Shumë prej tyre kanë qenë bashkëluftëtarë tuaj dhe sot vazhdojnë t’i shërbejnë vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në reagim.
Sipas SPK-së, çdo polic i lënduar gjatë kryerjes së detyrës është anëtar i një familjeje që pret të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi pas përfundimit të ndërrimit.
Në fund, Sindikata ka bërë të ditur se do të vazhdojë të qëndrojë pranë zyrtarëve policorë dhe të mbrojë të drejtat dhe dinjitetin e tyre profesional, duke theksuar se çdo veprim ndaj tyre duhet të vlerësohet në bazë të ligjit dhe jo të përkatësisë apo qëndrimeve politike./A.K/