Sport

Pas Rrahmanit, edhe Hadërgjonaj largohet përkohësisht nga Kosova

Published

on

Pas Amir Rrahmanit, Florent Hadërgjonaj është futbollisti i radhës që nuk do të jetë në dispozicion të Përfaqësueses së Kosovës.

Ndryshe nga Rrahmani, i cili doli publikisht kundër udhëheqësisë së FFK-së, Hadërgjonaj ka vendosur të tërhiqet përkohësisht për shkak të pakënaqësive me stafin teknik të Kombëtares.

“Pas shumë mendimesh, kam marrë vendimin që, për momentin, të mos jem më në dispozicion të Kombëtares së Kosovës nën drejtimin e stafit aktual teknik”, ka shkruar Hadërgjonaj në një postim të gjatë në rrjetet sociale.

Mbrojtësi i Alanyasporit ka theksuar se është krenar për çdo paraqitje me fanellën e Kosovës dhe për gjithçka që ka dhënë për Përfaqësuesen, por ka lënë të kuptohet se nuk është ndier i vlerësuar pavarësisht formës së mirë që ka treguar në klub.

“Gjatë dy viteve e gjysmë të fundit kam zgjedhur të mos flas publikisht, por të vazhdoj punën time dhe të përgjigjem me paraqitjet e mia në klub. Besoj se forma dhe paraqitjet e mia flasin vetë. Megjithatë, me kalimin e kohës është bërë e qartë për mua se me trajnerin aktual nuk ekziston më baza e nevojshme e respektit të ndërsjellë dhe besimit për të vazhduar një bashkëpunim profesional”, ka shkruar ai.

Hadërgjonaj, 32-vjeçar, luan në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe deri më tani ka regjistruar 39 paraqitje dhe një gol me fanellën e Kosovës.

Në këtë edicion të Superligës së Turqisë, ai ka zhvilluar pesë ndeshje dhe ka dhënë dy asistime. Ndërsa sezonin e kaluar ishte një prej lojtarëve më produktivë të Alanyasporit, me nëntë gola dhe 11 asistime në 35 paraqitje në të gjitha garat.

Me Kosovën, në kampanjën e kualifikimeve për Botërorin 2026, Hadërgjonaj ka luajtur vetëm një minutë, në fitoren 4:3 ndaj Sllovakisë, në gjysmëfinalen e plejofit.

Megjithatë, Hadërgjonaj ka bërë të qartë se vendimi i tij nuk përbën një tërheqje përfundimtare nga Përfaqësuesja dhe as nuk është një qëndrim kundër Kosovës. Sipas tij, bëhet fjalë vetëm për raportin me stafin aktual teknik.

“Për Kosovën do të jem gjithmonë krenar dhe i gatshëm të jap gjithçka, kur të ekzistojnë përsëri kushtet e duhura. Bashkëlojtarëve të mi dhe Kombëtares u dëshiroj nga zemra çdo sukses”, ka përfunduar Hadërgjonaj.

D.L

Continue Reading

Sport

Raheem Sterling dënohet me 12 muaj burgim me kusht për vozitje të rrezikshme

Published

on

By

Ish-futbollisti i Manchester Cityt, Raheem Sterling, është dënuar me 12 muaj burgim me kusht, pasi ka pranuar fajësinë për vozitje të rrezikshme nën ndikimin e oksidit të azotit.

31-vjeçari është paraqitur të mërkurën para Gjykatës së Magjistraturës në Basingstoke të Anglisë, ku përveç dënimit me burgim me kusht, i është shqiptuar edhe ndalesë dyvjeçare për drejtimin e automjetit. Gjithashtu, ai është urdhëruar të kryejë 100 orë punë në shërbim të komunitetit.

Ngjarja ka ndodhur më 28 maj të këtij viti, kur Sterling po drejtonte një veturë Lamborghini në Angli.

Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, futbollisti ishte parë duke thithur oksid azoti përmes një balone, ndërsa automjeti i tij po lëvizte në mënyrë të rrezikshme, duke ndërruar vazhdimisht korsitë dhe duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Pamjet e kamerave të automjeteve kanë dëshmuar se Lamborghini kishte kaluar disa herë nga njëra korsi në tjetrën, përpara se të përplasej me një objekt në anë të rrugës.

Sterling kishte pranuar fajësinë në shtator për vozitje të rrezikshme, posedim të oksidit të azotit me qëllim të inhalimit të paligjshëm dhe refuzim për të dhënë mostër gjaku për analiza.

D.L

Continue Reading

Sport

KB Vëllaznimi ndan rrugët me trajnerin Alek Jonçevski, Nikola Bozinovski merr drejtimin e ekipit

Published

on

By

KB Vëllaznimi ka njoftuar zyrtarisht përmes faqes së saj se ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Alek Jonçevski.

Sipas njoftimit të klubit, ndarja ka ardhur me marrëveshje të dyanshme, ndërsa Vëllaznimi e ka falënderuar Jonçevskin për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë kohës sa ishte pjesë e ekipit.

Në të njëjtin njoftim, klubi ka bërë të ditur se pozitën e trajnerit kryesor tashmë do ta marrë Nikola Bozinovski.

Vëllaznimi i ka uruar suksese Bozinovskit në drejtimin e skuadrës, ndërsa Jonçevskit në vazhdimin e karrierës së tij profesionale.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Napoli dhe Tottenham në garë për Joao Felixin, Al Nassr kërkon 45 milionë euro

Published

on

By

Sulmuesi portugez Joao Felix ka tërhequr vëmendjen e Napolit dhe Tottenham Hotspurit në prag të afatit të ardhshëm të transferimeve. Futbollisti 27-vjeçar synon rikthimin në futbollin evropian, por klubi i tij aktual, Al Nassr, kërkon rreth 45 milionë euro për ta lënë të lirë.

Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, Napoli e sheh reprezentuesin portugez si një përforcim ideal për repartin ofensiv, falë aftësisë së tij për të luajtur si në krahun e majtë ashtu edhe pas sulmuesit. Megjithatë, çmimi i lartë i vendosur nga klubi saudit përbën pengesën kryesore për drejtuesit italianë. Felix e njeh mirë kampionatin italian, pasi ka veshur fanellën e Milanit në gjysmën e dytë të sezonit 2024/2025 gjatë një huazimi nga Chelsea.

Në anën tjetër, TEAMtalk raporton se edhe Tottenham Hotspur po shqyrton mundësinë e transferimit të tij, duke vlerësuar përvojën e tij të mëparshme në Premier League me Chelsean. Ndonëse vetë lojtari ka shprehur publikisht dëshirën për t’u rikthyer te Barcelona — ku në sezonin 2023/2024 regjistroi 10 gola dhe 6 asistime në 44 ndeshje — klubi katalunas ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret.

Forma e mirë e Joao Felixit në Arabinë Saudite ka rikthyer interesimin e klubeve evropiane. Këtë sezon ai ka realizuar tre gola dhe shtatë asistime në 11 ndeshje kampionale, ndërsa së fundmi vendosi fitoren 2-1 të Al Nassr kundër Al Sadd në Ligën e Kampionëve të Azisë me një gol akrobatik. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

KOK-u ftohet në Athinë për të diskutuar vonesat e Lojërave Mesdhetare 2030

Published

on

By

Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka ftuar Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) në një takim zyrtar në Athinë, më 3 dhe 4 dhjetor, ku do të shqyrtohen vonesat dhe ngecjet e deritanishme në procesin e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sipas njoftimit të zyrës për informim të KOK-ut, pas përfundimit të takimeve në Greqi, drejtuesit e komitetit do të raportojnë para Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” lidhur me diskutimet e zhvilluara dhe hapat e mëtejmë që duhet të ndërmerren.

Pavarësisht sfidave dhe vonesave aktuale, KOK-u ka rikonfirmuar vendosmërinë që kjo ngjarje madhore sportive të mbahet në Kosovë, duke bërë thirrje për mobilizim të përbashkët institucional.

“Komiteti Olimpik i Kosovës mbetet plotësisht i përkushtuar që Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 të mbahen në Kosovë. Suksesi i LM Prishtina 2030 do të varet nga përkushtimi i të gjitha institucioneve të përfshira”, thuhet në reagimin e KOK-ut.

Takimi i fillimit të dhjetorit në Athinë vlerësohet vendimtar për të analizuar gjendjen reale të përgatitjeve dhe për të përcaktuar dinamikën e ardhshme të punëve për projektin më të madh sportiv të planifikuar ndonjëherë në vend. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara