Lajmet

Pas pushimit dimëror, sot në Speciale vazhdon gjyqi ndaj Pjetër Shalës

Ndërsa në rastin gjyqësore ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, seancat do të fillojnë më 15 janar.

Published

on

Pas pushimit dimëror në Dhomat e Specializuara të Kosovës sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës. Gjatë javës janë paraparë të mbahen katër seanca në rastin “Shala”.

Gjatë pushimit kur nuk janë mbajtur seanca gjyqësore dhe disa nga shërbimet jothelbësore kanë qenë në minimum.

Megjithatë gjykata ka mbetur plotësisht funksionale dhe puna ka vazhduar në të gjitha seksionet e DHSK-së. Gjatë pushimit kanë mund të paraqiten parashtrime dhe përveç nëse gjykatësit kanë urdhëruar ndryshe, afatet gjyqësore vazhdojnë të jenë në fuqi.

Ndërsa në rastin gjyqësore ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, seancat do të fillojnë më 15 janar.

Gjatë muajit janar sipas kalendarit të Dhomave të Specializuar, do të jenë në tërësi 16 seanca gjyqësore, në dy rastet gjyqësore Hashim Thaçi dhe të tjerët’ dhe ‘Shala’.

Ndryshe sipas aktakuzës, Pjetër Shala ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’) i stacionuar në Kukës, Shqipëri. Aktakuza kundër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i redaktuar u bë publik më 15 prill 2021. Më 18 tetor 2021, gjykatësi i pocedurës paraprake miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të ndryshojë aktakuzën në mënyrë që të ofrojë nivelin e kërkuar të konkretitetit dhe të qartësisë lidhur me pjesëmarrjen personale të të akuzuarit në incidente. ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e korrigjuar më 1 nëntor 2021. Kjo ishte aktakuza në fuqi në këtë çështje.

Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Më 15 dhjetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesën e një individi për t’u pranuar si viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Më 11 gusht 2022, në vendimin e tij të dytë në lidhje me pjesëmarrjen e viktimave,

Gjykatësi i Procedurës Paraprake pranoi një person tjetër si viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor në këtë çështje.

Gjashtë viktima të tjera u pranuan më 19 shtator 2022. Më 9 shkurt, Trupi Gjykues vendosi që procedurat për dëmshpërblim dhe ato penale do të zhvillohen njëkohësisht në këtë çështje dhe se, në rast të shpalljes fajtor, Trupi Gjykues nuk do t’i referojë viktimat për padi civile në gjykatat e Kosovës, në përputhje me nenin 22(9) të Ligjit dhe rregullës 167 të Rregullores, por do të nxjerrë një Urdhër për Dëmshpërblim, në përputhje me nenet 22(8) dhe 44(6) të Ligjit. Në vendimin e vet, të bërë publik më 6 mars 2023, Trupi Gjykues e zgjati afatin për dorëzimin e kërkesave të viktimave për pjesëmarrje në procedura deri në mbylljen e paraqitjes së provave nga ZPS-ja.

Më 28 janar 2022, ZPS-ja e dorëzoi si rreptësisht konfidenciale dhe ex parte dosjen e vet paraprake. Versioni konfidencial i redaktuar i dosjes paraprake të Prokurorisë u dorëzua më 31 janar ndërsa versioni me më pak redaktime (ende konfidencial) u dorëzua më 8 shkurt 2022. Më 14 prill 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi versionin e redaktuar publik të dosjes paraprake të saj. Më 21 prill 2023, u dorëzua versioni i redaktuar publik i dosjes paraprake të Mbrojtjes.

Më 14 prill 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, në urdhrin e tij gojor, caktoi 31 gushtin si datë paraprake për kalimin e dosjes trupit gjykues. Më 20 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake caktoi 21 shtatorin 2022 si datë të re paraprake. Më 15 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake njoftoi Kryetaren se dosja e çështjes do të jetë gati për t’u kaluar më 21 shtator 2022.

Më 21 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I. Konferenca përgatitore për gjykimin u mbajt brenda periudhës 18-20 tetor 2022.

Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar, të përfaqësuesit të viktimave dhe të Mbrojtjes. Më 6 korrik 2023, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.

Më 21 gusht 2023, Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat. Konferenca Përgatitore e Mbrojtjes u mbajt më 24 dhe 25 gusht 2023. Më 15 shtator 2023, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme (pika 4), në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së. Paraqitja e provave prej Mbrojtjes nisi më 20 shtator 2023.

Vendi

Sulmet e Iranit, Konjufca: Kosova krah Emirateve të Bashkuara

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan.

Gjatë këtij komunikimi, fokusi kryesor ishte te zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme, ku Kosova ka mbajtur një qëndrim të prerë ndaj akteve të fundit agresive.

Në emër të Republikës së Kosovës, ministri Konjufca ka dënuar fuqishëm sulmet e Iranit ndaj shteteve partnere në rajon, duke përfshirë këtu edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas njoftimit zyrtar të MPJD-së, këto sulme vlerësohen si cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë dhe stabilitetit rajonal, ndërsa Konjufca ka shprehur solidaritetin e plotë të Kosovës me këtë shtet mik në përballjen me këto kërcënime.

Përveç zhvillimeve gjeopolitike, në bisedë u vlerësua lart edhe marrëdhënia dypalëshe mes dy vendeve.

Konjufca ka falënderuar Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan për mbështetjen e vazhdueshme që Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë Kosovës përgjatë procesit të shtetndërtimit dhe zhvillimit ekonomik ndër vite.

Biseda u mbyll me një ftesë zyrtare për ministrin Konjufca që të vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe, ftesë të cilën ai e ka mirëpritur.

 

Continue Reading

Aktualitet

Gjykata urdhëron rikthimin e 1,000 punonjësve të “Zërit të Amerikës” në punë

Published

on

By

Gjyqtari federal Royce C. Lamberth ka marrë një vendim historik duke urdhëruar rikthimin e menjëhershëm në punë të mbi 1,000 punonjësve të “Zërit të Amerikës” (VOA), pasi e cilësoi përpjekjen për shkrirjen e këtij mediumi si të paligjshme.

Punonjësit e këtij transmetuesi ndërkombëtar kishin kaluar një vit të plotë në leje të paguar administrative, ndërkohë që administrata e presidentit Donald Trump po përpiqej ta zvogëlonte agjencinë në “minimumin e saj ligjor”.

Gjyqtari Lamberth ishte mjaft i ashpër në vendimin e tij, duke e quajtur mungesën e bashkëpunimit të zyrtares Kari Lake si një veprim të qëllimshëm dhe me mirëbesim të keq.

Në vendimin e shpallur të martën, gjykata konstatoi se procesi i mbylljes së operacioneve në Agjencinë e SHBA-së për Mediat Globale (USAGM), që është institucioni mëmë i VOA-s, binte ndesh me ligjin administrativ federal. Për këtë arsye, agjencia është urdhëruar që t’i kthejë të gjithë punonjësit me orar të plotë në vendet e tyre të punës më së largu deri më 23 mars.

Gjithashtu, institucionit i kërkohet të rifillojë transmetimet ndërkombëtare, të cilat ishin ndërprerë pothuajse tërësisht gjatë vitit të fundit, me përjashtim të disa programeve të kufizuara në gjuhë të huaja si farsi.

Gjyqtari Lamberth, i cili njihet si i emëruar i kohës së Ronald Reagan-it, kritikoi ashpër refuzimin flagrant të qeverisë për të zbatuar rregullat e përcaktuara nga Kongresi.

Ai drejtoi akuza të drejtpërdrejta ndaj Kari Lake, zyrtares që mbikëqyri çmontimin e agjencisë, duke thënë se ajo e ka drejtuar institucionin në mënyrë të paligjshme. Sipas gjyqtarit, fshehja e informacioneve kyçe nga ana e zyrtarëve gjatë këtij procesi gjyqësor ishte një përpjekje e qartë për të manipuluar të vërtetën.

Ky vendim erdhi pas dy padive të ndërlidhura, njëra prej të cilave u ngrit nga drejtori i VOA-s, Michael Abramowitz, dhe tjetra nga një grup punonjësish të agjencisë.

Gazetaret Patsy Widakuswara, Jessica Jerreat dhe Kate Neeper e mirëpritën vendimin duke e quajtur atë “monumental” dhe shprehën gatishmërinë për të nisur menjëherë punën për riparimin e dëmeve që i janë shkaktuar institucionit. Ato theksuan se synimi i tyre i parë është rindërtimi i besimit te audienca globale, të cilës nuk kanë mundur t’i shërbejnë gjatë vitit të kaluar.

Në anën tjetër, drejtori Abramowitz u shpreh i lumtur me këtë fitore ligjore, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e stafit dhe duke thënë se nevoja për “Zërin e Amerikës” nuk ka qenë kurrë më e madhe se tani.

Vendimi i gjykatës shfuqizon zyrtarisht një dokument të nënshkruar vitin e kaluar, i cili parashihte mbajtjen e vetëm 68 pozicioneve dhe shkarkimin e të gjithë të tjerëve. Deri më tani, as Agjencia për Mediat Globale dhe as Departamenti i Drejtësisë nuk kanë dhënë komente rreth këtij vendimi të ri. /Washington Post/

Continue Reading

Vendi

Pas bastisjeve në ARBK, reagon Ministria: Hetimet lidhen me një rast të ndryshimit të pronësisë së një biznesi

Published

on

By

Pas aksionit të hershëm të Prokurorisë dhe Policisë në ambientet e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), duke dhënë sqarime mbi natyrën e hetimeve.

Sipas Ministrisë, njësitë policore për krime ekonomike kanë qenë të pranishme në ARBK në kuadër të një rasti që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi, pas vdekjes së pronarit të tij.

Ministria ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një lëshim që ishte identifikuar më parë nga vetë stafi i tyre. “Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative”, thuhet në sqarimin e MINT-it, duke shtuar se institucioni mbetet plotësisht i përkushtuar për bashkëpunim me organet e rendit.

Ky reagim vjen si pasojë e një aksioni të gjerë të ndërmarrë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka bastisur objektet e ARBK-së nën dyshimet për vepra të rënda penale.

Sipas Prokurorisë, hetimet po zhvillohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”, ku dyshohet se zyrtarët kanë manipuluar dokumentacionin zyrtar brenda sistemit të regjistrimit të bizneseve.

Në mbyllje të reagimit, Ministria ka siguruar qytetarët dhe bizneset se po punon me vëmendje të shtuar në avancimin e sistemeve brenda ARBK-së, me qëllim rritjen e transparencës dhe sigurisë juridike. Ndërkohë, aksioni i Prokurorisë, i cili u realizua me urdhër të Gjykatës, është ende në zhvillim e sipër për grumbullimin e provave materiale që do të zbardhin plotësisht këtë rast.

 

Continue Reading

Lajmet

Izraeli vret ministrin e Inteligjencës së Iranit: Urdhër ushtrisë për eliminimin e çdo zyrtari të lartë

Published

on

By

Izraeli deklaroi të mërkurën se ka vrarë ministrin e Inteligjencës së Iranit, në sulmin e dytë brenda dy ditëve ndaj një figure të lartë udhëheqëse, dhe ka autorizuar ushtrinë që të shënjestrojë çdo zyrtar të lartë iranian që arrin të lokalizojë. Izraeli goditi gjithashtu Bejrutin qendror, duke shkatërruar ndërtesa banimi në disa prej sulmeve ajrore më intensive në kryeqytetin libanez në dekadat e fundit – ky një front tjetër i Izraelit në luftën e nisur bashkë me Shtetet e Bashkuara kundër Iranit.

Një ditë pas vrasjes së shefit të fuqishëm të sigurisë së Iranit, Ali Larijani – vrasja e nivelit më të lartë që nga ajo e liderit suprem në ditën e parë të luftës – Izraeli njoftoi se ka vrarë ministrin e Inteligjencës, Esmail Khatib.

“Askush në Iran nuk ka imunitet dhe të gjithë janë në shënjestër,” deklaroi ministri i Mbrojtjes, Israel Katz. “Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe unë kemi autorizuar Forcat Mbrojtëse të Izraelit që të shënjestrojnë çdo zyrtar të lartë iranian për të cilin paraqitet një mundësi inteligjente dhe operacionale, pa pasur nevojë për miratim shtesë.”

Kjo duket të jetë hera e parë që Izraeli deklaron publikisht se do të lejojë ushtrinë të godasë zyrtarët armiq pa kërkuar leje të veçantë nga udhëheqësit politikë për misionet. Katz nuk tregoi se kur ishte dhënë ky urdhër.

Në Teheran, mijëra njerëz dolën në rrugë për funeralin e Larijanit dhe figurave të tjera të vrarë në sulmet amerikano-izraele. Turma valëviti flamuj iranianë dhe mbante portrete të zyrtarëve të vrarë, ndërsa këndoheshin vargje për dëshmorët.

Irani u hakmor për vrasjen e Larijanit duke lëshuar raketa me mbushje të shumëfishta drejt Izraelit, sulme këto që sipas autoriteteve izraelite vranë dy persona afër Tel Avivit. Teherani njoftoi se gjatë natës ka goditur Tel Avivin, Haifën dhe Beershebën në Izrael, si dhe bazat amerikane në Bahrein, Irak, Jordani, Kuvajt, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se SHBA dhe Izraeli dështuan të kuptojnë se Republika Islamike është një sistem politik i fortë që nuk varet nga asnjë individ i vetëm. /Reuters/

Continue Reading

Të kërkuara