Marrëveshja prek lëvizjen e lirë të personave ose të drejtat e punonjësve – për vite Zvicra dhe BE kanë negociuar një marrëveshje që të rregullojë marrëdhëniet e ardhshme. Tani zviceranët i ndërprenë negociatat.
Pas shtatë vjet negociatash, Zvicra hoqi dorë nga një marrëveshje kornizë e planifikuar me BE për marrëdhëniet dypalëshe. Nuk ka pasur pajtim për pika vendimtare, tha Presidenti zviceran Guy Parmelin. “Këshilli Federal konstatoi që bisedimet me BE në tre fusha nuk çuan në zgjidhjet e nevojshme. Kjo është arsyeja pse Këshilli Federal vendosi t’u japë fund negociatave,” tha Parmelin.
Sidoqoftë, Zvicra do të mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian, siguroi Ministri i Jashtëm, Ignazio Cassis. Ai pret që marrëveshjet e tanishme bilaterale të vazhdojnë të zbatohen dhe që të vazhdojnë diskutime për marrëveshje të reja. Për më tepër, ekziston dëshira që në një “dialog politik” me BE bashkëpunimi të zhvillohet edhe më tej.
Zvicra dëshiron të bëjë përshtatje në ligjet për BE
Në të njëjtën kohë, Cassis premtoi të angazhohet në parlament për pagimin e një kontributi të mbajtur më parë nga Zvicra për të mbështetur anëtarët e rinj të BE. Bëhet fjalë për 1.3 miliardë franga zvicerane (1.2 miliardë euro). Përveç kësaj, Zvicra dëshiron të bëjë në mënyrë të njëanshme përshtatje në ligjet për BE në fusha të caktuara, në mënyrë që të shmangë pengesat tregtare, tha Ministrja e Drejtësisë, Karin Keller-Suter.
Me dhënien fund të negociatave, Zvicra e vë në provë marrëdhënien e saj tradicionalisht të ngushtë me BE. Edhe pa marrëveshjen kornizë, marrëveshjet bilaterale midis BE dhe Zvicrës do të qëndrojnë si janë, për shembull asgjë nuk do të ndryshojë për punonjësit ndërkufitarë për momentin. Sidoqoftë, këtë javë Bashkimi Evropian paralajmëroi për pasojat që Zvicra do të duhet të llogarisë pa përfundimin: nuk do të ketë marrëveshje të reja dhe marrëveshjet e vjetra mund të mos përtërihen.
Në përputhje me këtë, BE shprehu keqardhje për vendimin e Zvicrës. “Pa këtë marrëveshje kornizë, ky modernizim i vazhdueshëm i marrëdhënieve ekzistuese do të jetë i pamundur,” tha BE. “Marrëveshjet ekzistuese bilaterale do të vjetërohen në mënyrë të pashmangshme.”
BE do “kushte të barabarta për të gjithë”
BE dhe Zvicra kanë negociuar që në vitin 2014 për marrëveshjen kornizë, e cila synon të sjellë nën një çati marrëveshjet e mëparshme midis të dy palëve. Për marrëveshjen ka dakordim në të vërtetë që nga viti 2018 – por Zvicra kishte shqetësime masive, të cilat çuan në pretendime shtesë nga Berna.
Kohët e fundit, Zvicra këmbënguli në heqjen nga marrëveshja të çështjeve në lidhje me punëtorët e dërguar, ndihmën shtetërore dhe lëvizjen e lirë të personave. BE e refuzoi këtë.
Qëllimi i marrëveshjes është të zhvillojë dhe modernizojë më tej marrëdhëniet e ndërsjella, ka deklaruar Komisioni tani. Ajo do të garantonte “që të njëjtat kushte të vlejnë për të gjithë” që operojnë në tregun e brendshëm të BE-së. Qasja e privilegjuar në tregun e brendshëm presupozon “që të gjithë të respektojnë të njëjtat rregulla dhe detyra”.
Marrëdhëniet dypalëshe kanë nevojë për rregulla të reja
Brukseli vuri në dukje se kishin kaluar 50 vjet nga hyrja në fuqi e një marrëveshje të tregtisë së lirë me Zvicrën dhe 20 vjet që nga marrëveshjet e para bilaterale. “Edhe sot, kjo bazë nuk mund të ecë më me ritmin, me të cilin po zhvillohen marrëdhëniet midis BE dhe Zvicrës,” deklaroi Komisioni. Ai njoftoi se do të “analizonte me kujdes pasojat e këtij njoftimi”.
Zvicra nuk është anëtare e BE, por është e përfshirë në shumë projekte evropiane përmes marrëveshjeve bilaterale. Ajo ka gjithashtu qasje në tregun e brendshëm të BE dhe në kthim lejon lëvizjen e lirë të njerëzve. Sipas të dhënave të BE, në Zvicër jetojnë 1.4 milionë qytetarë të BE – përfshirë 300.000 gjermanë – dhe 340.000 qytetarë të BE-së udhëtojnë çdo ditë vajtje-ardhje në Zvicër. 400.000 zviceranë jetojnë në BE.
Tregtia me BE përbën 60 përqind të prodhimit të brendshëm bruto të Zvicrës, pasuar nga SHBA me pak më pak se dymbëdhjetë përqind. Anasjelltas, Zvicra është partneri i katërt më i madh tregtar i BE pas SHBA-së, Kinës dhe Britanisë së Madhe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.
Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.
“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.
Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/
Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.
Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.
Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.
Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.
Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.
“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.
Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.
Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.
“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.
Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/
Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.
Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.
Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.
“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/