Lajmet

Partitë komentojnë listat zgjedhore, të gjitha optimiste për rezultate pozitive

Published

on

Subjektet politike shprehen optimiste për rezultate pozitive në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Një ditë pasi shpallën listat e kandidatëve për deputetë, ato thonë se përbërja e tyre ofron përfaqësim gjithëpërfshirës dhe kualitativ. Ndërsa analistë politikë thonë se në listat e partive nuk ka ndonjë befasi, me përjashtim të mos përfshirjes së Liburn Aliut në listën e LVV-së dhe Agim Veliut në listën e LDK-së.

Anëtari i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, thotë  se lista e partisë aktuale në pushtet përmban emra të dëshmuar në skenën politike kosovare, derisa nënvizon se e njëjta do të jetë fituese.

“Do të jetë një listë padyshim fituese. Një listë që unë do të thosha e një plebishiti të dytë pas 14 shkurtit 2021. Është një listë gjithëpërfshirëse në kuptimin edhe të përfaqësimit politik dhe institucional, por edhe të kategorive shoqërore sikurse edhe të komunave në kuptimin gjeografik të fjalës dhe profileve profesionale. Është një përpjekje për t’i dhënë përgjigje asaj çka pritet nga LVV-ja në kuptimin e përfaqësimit politik dhe qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ne jemi të bindur se përmes kësaj liste do të dalim fitues të zgjedhjeve me rezultatin mbi 50 për qind, aq sa është e nevojshme për të krijuar institucionet”, tha ai.

Në superlativ për listën e PDK-së, flet edhe Hisen Berisha, deputet i kësaj partie. Ai thotë se përbërja e listës është kualitative dhe do të çojë përpara objektivat e programit qeverisës të kandidatit për kryeministër Bedri Hamza.

“Kriteret e vendosura për t’u përfshirë në listën e Partisë Demokratike garantojnë një përbërje, strukturë politike që do t’i çojë përpara objektivat e vendosura në programin qeverisës nga kandidati për kryeministër. Po ashtu, edhe objektivat që i ka PDK-ja për shtet-ndërtim, ashtu siç është dëshmuar që nga lufta e këndej”, thekson ai.

Në anën tjetër, anëtari i kryesisë së LDK-së, Armend Zemaj, thotë se lista e tyre është gjithëpërfshirëse sa i përket ideologjisë dhe filozofisë politike. Sipas tij, në listë ka njerëz të dëshmuar në aspektin profesional dhe intelektual.

“Lista është gjithëpërfshirëse edhe sa i përket ideologjisë dhe filozofisë politike të LDK-së, duke ruajtur pjesën përmbajtjesore që ka me identitetin tonë dhe karakterin që posedon LDK-ja. Në pjesën profesionale, njerëz të dëshmuar në aspektin intelektual, por edhe profesional dhe politik. Për mendimin tonë është një ndër listat më përfaqësuese që i ofrohen qytetarëve të Kosovës, jo vetëm elektoratit tonë”, deklaron Zemaj.

Besnik Tahiri nga AAK thotë se lista e tyre është “më e forta”, reprezentative dhe “magnetike” për të marrë votën e elektoratit në ditën e zgjedhjeve.

“Lista e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pa asnjë dyshim, është lista fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Tash ndonjë qytetar i Kosovës mund të thotë se çka po them? Aleanca me këtë listë, me këto koalicione dhe këta burra dhe gra që i ka në listë, e ka listën më të fortë, reprezentative dhe më magnetike për të marrë votë”, thekson Tahiri.

Analisti politik Albinot Maloku thotë se përbërja e listave zgjedhore është më shumë vazhdimësi e së kaluarës, pa emra kualitativë që mund të bëjnë diferencën. Megjithatë, sipas tij, në secilën parti politike ka dhjetë kandidatë të mirë që qytetarët mund t’i votojnë më 9 shkurt.

“Procesi aktual i rregullt ka pasur një dinamikë tjetër. S’ka pasur atë pjesën e aderimeve pompoze apo të ngjashme. Listat e prezantuara prej atyre që janë brengosëse janë disa që janë përmendur që kanë probleme me drejtësinë. Kjo lista e partisë në pushtet mban primatin e këtyre emrave. Ka larguar disa siç është parë me emrin e Liburn Aliut, i cili është efekt interesant mes mospërputhjes që ndodhi mes Kurtit e Aliut. Në anën tjetër, LDK-ja përjashtoi Agim Veliun, i cili është një faktor i rëndësishëm i vazhdimësisë së LDK-së. Subjektet të tjera politike, përgjithësisht, janë munduar të ruajnë një vijë të liderit se sa kualitetit në kuptimin e njerëzve që janë në skenën politike në Kosovë. Ka pasur aderime të panatyrshme…Befasi nuk shoh shumë. Secili subjekt në formën e re të votimit të dhjetë emrave që mund të votojnë, besoj se do të mund të gjejnë nëse ata janë gjykues të mirë”, thekson Maloku.

Partitë politike më 11 dhjetor kanë dorëzuar në Komisionin Qendror Zgjedhor listat e kandidatëve për deputetë që do të jenë pjesë e garës zgjedhore për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt.

Lajmet

25 vjet nga 11 Shtatori, Haxhiu dhe Kurti: Kosova gjithmonë qëndron përkrah Amerikës

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në 25-vjetorin e sulmeve që tronditën SHBA-në dhe botën, Haxhiu dhe Kurti kanë vënë në pah solidaritetin e qytetarëve të Kosovës me popullin amerikan, duke theksuar lidhjen e veçantë mes dy vendeve dhe mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në periudhat më të vështira të historisë së saj.

U.d. e Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se dhimbja e 11 shtatorit kishte kaluar kufijtë e SHBA-së dhe se qytetarët e Kosovës e kishin përjetuar tragjedinë me një afërsi të veçantë.

“Sulmet e 11 shtatorit ishin sulm ndaj shteteve të Bashkuara të Amerikës, por dhimbja megjithatë kaloi menjëherë kufijtë e saj. Në qytete anembanë botës, njerëzit u mblodhën në heshtje, ndezën qirinj dhe e dërguan mesazhin ngushëllimi. Në Prishtinë dhe në qytetet tjera të Republikës së Kosovës, njerëzit dolën për të shprehur solidaritet me popullin amerikan, ndezën qirinj, u mblodhën tubime në marsh dhe u paraqitën për të dhuruar gjak. Rrugët u mbushën me qytetarë që mbanin flamuj amerikanë dhe pankarta ku shkruhej ‘Amerikë jemi me ty’. Në shenjë solidaritetit me popullin amerikan, në atë ditë zie, Kosova e vitit 2001 ende po e merrte veten nga lufta. Vetëm 2 vjet më herët, Shtetet e Bashkuara kishin qenë pranë nesh në një nga periudhat më të rënda të historisë sonë. Historitë tona janë të ndryshme dhe secila bart dhimbjet e veta, por ne e dinim nga përvoja jonë e afërt çfarë peshe ka prania e mikut sidomos në ditët e vështira. Prandaj, kur Amerika u godit më 11 shtator, qytetarët e Kosovës nuk e përjetuan atë si një tragjedi, e një vendi tjetër, një vendi të largët, dhimbja e asaj dite hyri në shtëpitë tona, në bisedat tona dhe u përjetua me një afërsi të veçantë, si dhimbja për një mik të madh. Ndërsa vetë sulmi u kuptua si sulm ndaj lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, vlerat që kishin qenë edhe në themel të mbështetjes amerikane për Kosovën. Disa qytetarë të Kosovës shkuan deri te zyra amerikane në Prishtinë dhe u paraqitën si vullnetarë për të luftuar përkrah ushtarëve amerikanë. Ishte një reagim i jashtëzakonshëm dhe spontan. Që tregonte se afër e ndjente Kosova dhimbjen e Amerikës”, tha Haxhiu.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri të ditur se shteti i Kosovës gjithmonë do qëndrojë krah Amerikës.

“Mbi të gjitha aspektet e sulmeve të asaj dite. Sot jemi mbledhur këtu për të shënuar përvjetorin e 25 të atyre sulmeve. Para një çerek shekulli, katër avionë ishin shndërruar në armë të shkatërrimit masiv, me pasoja të tmerrshme. 2 mijë e 977 ishte numri i të vrarëve atë ditë. Por numri i viktimave është edhe më i lartë. Sipas studiuesve, mbi 5 mijë persona kanë vdekur nga sëmundjet dhe komplikimet e 11 shtatorit. Dhe mijëra e mijëra të tjerë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga këto pasoja. Para 25 vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pësuan sulmin më vdekjeprurës në historinë e vet. Dhe bota pësoi ndër goditjet më të rënda ndaj vlerave demokratike. Kosova qëndron përkrah SHBA-ve, jo vetëm se SHBA-ja kurrë nuk e ka braktisur Kosovën. Ne qëndrojmë dhe gjithmonë do të qëndrojmë me Amerikën, sepse përkushtimi ynë ndaj lirisë dhe demokracisë janë për ti mbrojtur këto vlera”, tha ai. /Kosovapress/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti nuk tregon nëse do të marrë pjesë në marshin për ish-krerët

Published

on

Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ka treguar se a do të merr pjesë në marshin për ish-krerët e UÇK-së, e cila do mbahet të shtunën.

Ai tha se më vonë do ketë përgjigje për çështje, që nuk kanë të bëjnë me 25-vjetorin e 11 shtatorit, raporton KosovaPress.

“Më vonë përgjigjemi për çështje të tjera, këtu jemi për 25-vjetorin e 11 Shtatorit”, tha ai.

 

Continue Reading

Lajmet

Tre persona arrestohen për një rast të vjedhjes së rëndë në Mitrovicë

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për një rast të vjedhjes së rëndë në Mitrovicë.

Sipas raportit policor, më 10 shtator janë kontrolluar pesë shtëpi të personave të dyshuar në rrugën “Shala e Bajgorës”, ku janë gjetur dhe konfiskuar disa dëshmi që ndërlidhen me rastin.

Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Rasti po trajtohet nga organet kompetente./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Katër raste me narkotikë në Prishtinë, konfiskohen mbi 300 gramë marihuanë dhe kokainë

Published

on

Katër raste të lidhura me posedim të paautorizuar të substancave narkotike janë raportuar më 9 dhe 10 shtator në Prishtinë, sipas raportit të Policisë së Kosovës.

Në rrugën “Abdyl Frashëri”, gjatë kontrollit të dy personave që ndodheshin në një motoçikletë, policia ka gjetur dhe konfiskuar 11.99 gramë marihuanë, 0.93 gramë kokainë dhe një telefon. Pas intervistimit, njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në rrugën “Hekurudha”, gjatë kontrollit të një personi dhe automjetit të tij, janë gjetur 52.29 gramë marihuanë. I dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në rrugën “Ramë Govori”, gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari, policia ka konfiskuar 19 fishekë, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, tri peshore digjitale, një telefon, para të gatshme dhe një pako me qese të vogla të zbrazura. Sipas raportit policor, sasia e marihuanës është raportuar në 252 gramë. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Në rrugën “Holger Petersen”, gjatë kontrollit në shtëpinë e një shtetasi të huaj, është gjetur dhe konfiskuar 3.95 gramë marihuanë. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara