Lajmet

​Parlamenti Evropian para 34 vjetëve nderoi Adem Demaçin me Çmimin Saharov

Published

on

Parlamenti Evropian më 4 dhjetor 1991 i ndau Çmimin Saharov, veprimtarit Adem Demaçi, duke e konsideruar si luftëtar të paepur për lirinë e mendimit dhe mbrojtës të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Duke e pranuar çmimin si homazh për popullin e Kosovës, Demaçi tha se liria e fjalës është hapi i parë, vendimtar drejt demokracisë.

“Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog e vërteta nuk mund të vendoset dhe pa të vërtetën përparimi është i pamundur”, tha ai.

Këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Saharov, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel.

Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, Demaçi tha se duke e nderuar atë, kanë nderuar edhe popullin e shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar.

Çmimi Saharov për lirinë e mendimit, i pagëzuar sipas disidentit dhe shkencëtarit nga Bashkimi Sovjetik Andrej Saharov (Andrei Sakharov) është themeluar në dhjetor 1988 nga Parlamenti Evropian për të nderuar individët apo organizatat që i kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Çmimi Saharov ndahet çdo vit rreth datës 10 dhjetor, ditë në të cilën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, që është e njohur edhe si Dita e të Drejtave të Njeriut.

Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet serbe e akuzonin për luftënxitje.

Figura e Adem Demaçit

Demaçi është ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ishte bërë i njohur qysh në fëmijëri si zë revoltues në bankat e shkollës. Demaçi nuk hezitonte asnjëherë të dënonte padrejtësitë e shumta të regjimit serb.

Në vitin 1958 është dënuar 5 vjet me burg për shkak të shkrimeve dhe bindjeve të tij, politike e atdhetare. Në vitin 1963 ka themeluar në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo Lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav. Për shkak të vazhdimit të aktivitetit atdhetar, Adem Demaçi dënohet 15 vjet burg.

Edhe në vitin 1975 regjimi jugosllav e kishte dënuar 15 vjet burg. Demaçi ka mbajtur rreth 28 vjet, disa prej tyre në qeli i vetëm, gjatë kohës së regjimit të egër në RSFJ-së. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990 Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995.

Gjatë periudhës 1998-1999 ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij, në Prishtinë.

Pas luftës ai u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre. Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare.

Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Ai ishte autor i disa librave: Fërkime, Gjarpijtë e gjakut, Libër për Vet Mohimin, Heli e Mimoza, Nëna Shegë e pesë gocat, Shkrumbnajë e dashur, Dashuria Kuantike e Filanit, Alb Prometeu, Politika, Pushka dhe Tung vargu im. Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Kurti i thotë Sorensenit se ka “legjitimitet të ri” pas zgjedhjeve, i kërkon tërheqjen e letrës së Bërnabiqit e dorëzimin e Radoiçiqit

Published

on

By

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është takuar sot me emisarin evropian për dialog, Peter Sørensen.

Rreth këtij, takimi ka dalë me detaje edhe zyra e tij për media.

“Në takimin e parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kryeministri Kurti theksoi se rezultati zgjedhor ka prodhuar një legjitimitet të ri demokratik, i cili garanton parashikueshmëri politike dhe stabilitet institucional, duke forcuar më tej funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

“Ky legjitimitet i lartë, i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog. Sa i përket palës tjetër në dialog, Kryeministri vlerësoi se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lidershipin në Serbi”, theksohet në njoftim.

Mes tjerash u bë e ditur se në takim, Kurti shprehu gatishmërinë e Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel.

Ai theksoi edhe “ rëndësinë thelbësore të tërheqjes së letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), dorëzimit të kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara. Ai nënvizoi se me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, dialogu prodhon rezultate të qëndrueshme”.

Continue Reading

Lajmet

Rasti “Banjska”, seanca e radhës më 16 janar

Published

on

By

Seanca e radhës ndaj tre të akuzuarve, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, në rastin “Banjska” do të mbahet më 16 janar.

Seanca do të zhvillohet nga ora 09:30.

Ju njoftojmë se seanca gjyqësore në çështjen penale kundër të pandehurve B.S., V.T. dhe D.M., do të mbahet sipas planifikimit, me datë 16.01.2026, në ora 09:30”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Ndërkohë, Spasojeviq, Toliq e Maksimoviq, përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të policisë.

Continue Reading

Lajmet

Prishtina pa rrymë e në zhurmën e gjeneratorëve – Pësojnë bizneset

Published

on

By

Pa kaluar shumë orë nga njoftimi, vendi u përball me reduktime të energjisë elektrike, e nga kjo po pësojnë qytetarët.

Disa biznese, u detyruan të ndezin gjeneratorët, por disa të tjera nuk i posedojnë.

Rrobaqepësi, barnatore, furra, kafiteri, janë veç disa nga bizneset në Prishtinë të cilat që nga mëngjesi nuk kanë rrymë.

Ndërkohë që mbrëmjen e së martës Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT ka  njoftuar se do të ketë reduktime të rrymës për sot dhe nesër në vend. Në njoftimin e KOSTT thuhet se kjo do të bëhet “për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit”.

Continue Reading

Lajmet

Ambasadorët takojnë Kurtin, Orav: Nënvizuam rëndësinë e formimit të shpejtë të Qeverisë

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka bërë të ditur se së bashku me ambasadorët dhe shefat e misioneve të BE-së në Kosovë janë takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar zhvillimet pas zgjedhjeve.

Orav ka thënë se gjatë takimit është vlerësuar procesi zgjedhor, duke e cilësuar atë si një dëshmi të angazhimit të fortë të Kosovës ndaj parimeve demokratike, derisa është nënvizuar edhe rëndësia e formimit të shpejtë të qeverisë së re.

“Përgëzuam procesin zgjedhor që pasqyron një angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike dhe nënvizuam rëndësinë e formimit të shpejtë të qeverisë”, ka shkruar Orav në platformën “X”.

Ai ka bërë të ditur se ambasadorët e BE-së kanë kërkuar gjithashtu ratifikimin e shpejtë të marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes, me qëllim që përfitimet të arrijnë sa më shpejt te qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, Orav ka theksuar se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet thelbësor për përparimin e të dyja palëve në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Continue Reading

Të kërkuara