Kulturë

Paratë s’e blejnë lumturinë

Katër “të vërteta” për suksesin.

Published

on

Ne jetojmë në një kohë të paparashikueshme. Nuk ka pasur kurrë kaq shumë mjete dhe mundësi për një individ, pavarësisht arsimimit ose pasurisë tonë, për t’u bërë ndërmarrës. Falë internetit, ne kemi qasje në çdo temë. Ju mund të nisni një kompani nesër, të lansoni programin tuaj në radio ose emisionin me audio, të nisni seri web-i ose të bëheni yll në Instagram.

Mundësitë janë të pafundme, por a e bëjnë ato suksesin më të lehtë ose më të kënaqshëm?

Në një kohë të burimeve të pafundme, ju mund të krijoni pothuajse gjithçka. Si t’a dini nëse do ju bëjë të lumtur ose të suksesshëm? Çfarë konsideroni sukses? A është një zyrë në qoshe, fitimi i respektit nga kolegët apo udhëtimi nëpër botë dhe të paguheni për të?

Studimet kanë treguar se posedimi i më shumë mundësive nuk do të thotë se do të jemi më të lumtur, edhe pse shpesh mendojmë se po.

Psikologu Barry Schwartz e quajti këtë nocion Paradoksi i Zgjedhjeve. Kur kemi shumë zgjedhje, është më e vështirë të ndërmarrim veprim, dhe nëse vendosim, jemi më pak të kënaqur me zgjedhjen tonë.

Shumica definojnë suksesin e tyre nga një seri të titujve dhe çmimeve. Ata definojnë veten nga titujt ose nga pagesa e tyre. Është pothuajse klishe të diskutojmë milionerin e palumtur, kryeshefin Ekzekutiv të dërrmuar dhe akademikun e vetmuar. A jeni të suksesshëm nëse:

  • Ju keni 1 milion dollarë në bankë, por jeni të zemëruar me botën?
  • Ju keni një familje e cila ju do, por vazhdimisht frikësoheni se nuk do të keni ushqim të mjaftueshëm për t’i ushqyer ata?
  • Ju jeni Kryeshefi Ekzekutiv i një kompanie të suksesshme, por nuk ju kujtohet hera e fundit që keni shkuar në pushime?
  • Asnjë njeri nuk e konsideron suksesin njësoj. Por ende, ne flasim për të në bardh e zi, ju ose jeni të suksesshëm ose jo. Është më e komplikuar se aq.
  • Si një dijetar i shprehive njerëzore, unë udhëtoj botën për të bërë kërkime se çfarë shkakton jetët e përmbushura. Gjatë 10 viteve, unë kam testuar teoritë shkencore. Nga përvojat e mia, kam mësuar se ka katër të vërteta universale në lidhje me suksesin dhe lumturinë.

Paraja

A mund të blejë paraja lumturinë? Ju me siguri nuk prisni që të them këtë, por përgjigja është po, nën rrethana specifike. Nëse nuk keni para të mjaftueshme për të ushqyer familjen tuaj, më shumë para do të rrisin lumturinë tuaj. Sapo të përmbushni të gjitha nevojat bazë, paraja ka më pak ndikim.

Nëse nuk keni një karrierë e cila ju paguan mjaftueshëm për të jetuar rehat, ju nuk do të ndiheni të suksesshëm ose të kënaqur. GoBankingRates bëri një studim të qyteteve më të populluara në Shtetet e Bashkuara për të zbuluar se sa kushton të jetojnë rehat në secilin. Përdorni atë numër si bazë për ju.

Disa mund të mos jenë të kënaqur derisa të arrijnë pasurinë e tyre ideale. Pavarësisht se a është të fitoni 300 mijë dollarë në vit ose të keni 10 milion në bankë, dini se çfarë konsideroni sukses. Mbani në mend paraja nuk është faktori i vetëm.

Angazhimi dhe puna

Njerëzit janë më të lumturit dhe performojnë më të mirën e tyre kur janë të angazhuar aktivisht në atë që bëjnë. Pyetja magjike është, si arrini atë nivel të angazhimit? Përgjigja mund të gjendet në studimin e Mihaly Csikszentmihalyi. Sipas Csikzentmihalyi, një person hyn në gjendje të rrjedhshme kur bën aktivitete për të cilat ka aftësi por ende janë sfiduese për t’u përfunduar.

Për të gjetur lumturi në punën tuaj, çelësi është të keni projekte të cilat ju nxjerrin nga zona e rehatisë.

Marrëdhëniet

Cilësia e jetës tuaj definohet nga njerëzit të cilët ju rrethojnë. Njerëzit negativë nuk janë të dëmshëm vetëm për ju por për tërë komunitetin tuaj. Kjo u dëshmua nga Christakis dhe Fowler, të cilët studiuan ndikimin që rrjeti ynë ka tek ne. Ata zbuluan se gjithçka nga gjasat e mbipeshës në pirjen e duhanit dhe në gjasat e divorcit dhe lumturisë kalohet përmes rrjeteve tona.

Rrethoni veten me kolegë pozitivë dhe mbështetës të cilët vijnë nga prapavija të shumëllojshme. Kjo rrit gjasat tuaja të përjetimit të të njëjtës pikëpamje pozitive dhe ehap mundësi të gjera.

Shëndeti

Orët intensive mund të duken shpërblyese. Por, kur ju sakrifikoni shëndetin dhe mirëqenien tuaj, pengon suksesin tuaj. Stresi do të çrregullojë çdo pjesë të trupit tuaj. Mungesa e gjumit ndikon në aftësitë tuaja kognitive dhe mund të dërgojë në performancë të dobët dhe vendim-marrje të gabuar. Gjumi gjithashtu ka ndikimin më të madh në lumturi, kështu që bëni pushimin e nevojshëm.

Ju definoni suksesin tuaj. Nuk ka asgjë të gabuar të dëshironi një zyrë në qoshe ose të keni një pozitë ku krijoni ndikim, por mbani në mend këto katër të vërteta. Ato ndikojnë më së shumti në lumturinë tuaj.

Continue Reading

Kulturë

Kalaja e Prizrenit rihapet pjesërisht, por problemet mbeten

Published

on

By

Kalaja e Prizrenit është rihapur sërish pjesërisht për vizitorët, në episodin e tretë të mbylljeve dhe rihapjeve brenda katër muajve të fundit.

Ministria e Kulturës ka njoftuar se nga 7 shtatori 2026, Kalaja është e hapur për vizitorë nga ora 12:00, por disa pjesë të saj do të mbeten të mbyllura për shkak të punimeve që po vazhdojnë.

“Punimet në Kala do të vazhdojnë, për këtë arsye disa pjesë të hapësirës do të jenë të mbyllura për vizitorët”, thuhet në njoftimin e Ministrisë, e cila ka kërkuar nga vizitorët të respektojnë shenjat orientuese dhe kufizimet e vendosura.

Rihapja e pjesshme vjen pas një periudhe në të cilën Kalaja fillimisht ishte mbyllur pjesërisht, më pas plotësisht, ndërsa tani është sërish e qasshme vetëm në disa zona. Se kur do të hapet tërësisht, ende nuk dihet.

Ndërhyrje emergjente, por jo zgjidhje përfundimtare

Në fund të gushtit, Kalaja u mbyll tërësisht për vizitorët, ndërsa ndërhyrjet emergjente nisën pas një tenderi të dhënë në fund të korrikut.

Thirrja për punime, me titull “Masat emergjente në Kalanë e Prizrenit dhe Kalanë e Novobërdës”, kap vlerën prej 110 mijë e 820 eurosh. Për Kalanë e Prizrenit janë paraparë mbi 80 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër është dedikuar ndërhyrjeve në Kalanë e Novobërdës.

Punimet në Prizren përfshijnë pastrimin e terrenit, vendosjen e rrethojave mbrojtëse, kamerave të sigurisë dhe sistemit të monitorimit, zërimin, rregullimin e shtigjeve për vizitorë, tabelave informuese, ulëseve në amfiteatër dhe zhvendosjen e tualeteve jashtë hapësirës së mureve rrethuese.

Megjithatë, problemet e Kalasë janë shumë më të thella sesa ndërhyrjet aktuale emergjente.

Një raport i përgatitur nga ekspertë të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka evidentuar dëmtime serioze në strukturat e monumentit.

Në raport rekomandohet sigurimi i segmenteve të dobësuara të mureve, pastrimi dhe plotësimi i fugave me llaç origjinal, kufizimi i qasjes së vizitorëve në zonat e rrezikshme, si dhe hartimi urgjent i një programi të plotë për konservim dhe restaurim.

Rreziku nga degradimi i mureve

Sipas raportit të hartuar nga Veron Tara, Caner Tatar, Elvis Shala, Sara Sylejmani, Jusuf Xhibo dhe Besar Grazhda, në muret e larta rrethuese është konstatuar humbje e madhe e qëndrueshmërisë së llaçit lidhës me bazë gëlqereje.

Problemi lidhet me ndikimet atmosferike dhe depërtimin e ujit në brendësi të mureve. Si pasojë, janë krijuar zbrazëtira, ka humbje të materialit në mbushjet e brendshme dhe në disa pjesë janë evidentuar edhe rënie gurësh.

Raporti konstaton se në disa segmente tashmë ka pasur shembje të pjesshme dhe se procesi i degradimit është ende në zhvillim.

Kalaja e Prizrenit, një prej monumenteve dhe pikave turistike më të vizituara në Kosovë, është përballur kështu me mbyllje të njëpasnjëshme dhe ndërhyrje emergjente. Ndërsa vizitorët tash mund të rikthehen në disa pjesë të saj, mbetet e paqartë se kur do të bëhet një ndërhyrje e plotë që do t’i trajtonte problemet e trashëgimisë dhe mirëmbajtjes në mënyrë afatgjatë.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Muzetë e Gjirokastrës tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë

Published

on

Trashëgimia e pasur e traditës dhe folklorit, e ekspozuar në ambientet e Muzeut Etnografik të Gjirokastrës, po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj.

Ciceronët thonë se interesi për muzetë e qytetit është në rritje, ndërsa në itineraret turistike, përveç Muzeut Etnografik, përfshihen edhe Muzeu i Armëve, Muzeu i Luftës së Ftohtë dhe Muzeu “Kadare”.

Këto muze janë kthyer në pjesë të rëndësishme të vizitave turistike, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen më nga afër me historinë, traditën dhe mënyrën e jetesës së zonës ndër vite.

Në total, katër muzetë kanë pritur rreth 62 mijë vizitorë nga janari deri në fillim të vjeshtës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Matura Shtetërore 2026: Matematika me rezultatin më të ulët mesatar

Published

on

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore 2026, pas përfundimit të procesit të administrimit, vlerësimit dhe përpunimit të të dhënave.

Në këtë afat provimit iu nënshtruan gjithsej 4,433 kandidatë, ndërsa 2,444 prej tyre e kaluan me sukses, që përbën 55.1 për qind të numrit të përgjithshëm të kandidatëve. Të dhënat janë konfirmuar edhe në njoftimin zyrtar të ministrisë.

Arritshmëria mesatare e përgjithshme në test ishte 43.2 pikë.

Sipas lëndëve, rezultatet mesatare ishin:

Gjuhë amtare: 49.3 pikë

Gjuhë angleze: 44.1 pikë

Matematikë: 36.4 pikë

Lënda zgjedhore: 42.9 pikë

Rezultati më i lartë mesatar është shënuar në Gjuhën amtare, me 49.3 pikë, ndërsa rezultati më i ulët në Matematikë, me 36.4 pikë.

Gjatë administrimit të provimit, 18 kandidatë janë larguar nga testi për shkak të mosrespektimit të rregullave dhe procedurave të përcaktuara për administrimin e Provimit të Maturës Shtetërore.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka falënderuar të gjithë personat e angazhuar në organizimin dhe administrimin e provimit për kontributin në mbarëvajtjen e procesit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Jetimët” nga Prishtina drejt Londrës dhe skenave evropiane

Published

on

Shfaqja teatrore, një bashkëprodhim artistik Shqipëri–Kosovë, vjen më 7 shtator në Teatrin Dodona, ndërsa më 12 shtator prezantohet në Londër.

Shfaqja teatrore “Jetimët”, një produksion i realizuar përmes bashkëpunimit artistik mes Kosovës dhe Shqipërisë, do të ngjitet në skenën e Teatrit Dodona në Prishtinë, më 7 shtator 2026, ndërsa pesë ditë më vonë, më 12 shtator, do të prezantohet para publikut në Londër, në King Alfred Phoenix Theatre.


“Jetimët” është një tragjikomedi e fuqishme dhe emocionuese që sjell në skenë historinë e tre njerëzve të formësuar nga vetmia, mungesa dhe nevoja e thellë njerëzore për t’u dashur. Një takim i papritur i vendos ata përballë sekreteve, plagëve dhe të vërtetave që për një kohë të gjatë i kanë mbajtur të fshehura.

 

Duke ndërthurur humorin e zi, tensionin dhe momente thellësisht prekëse, shfaqja lëviz vazhdimisht mes së qeshurës dhe dhimbjes, duke ngritur pyetje mbi familjen, braktisjen, dashurinë dhe nevojën njerëzore për të pasur dikë që mund ta quajmë “tonin”.

 

Një tragjikomedi që të bën të qeshësh, të shqetëson dhe të fton të reflektosh, “Jetimët” vjen si një bashkëpunim artistik Shqipëri–Kosovë dhe bashkon në skenë artistë nga të dyja vendet.

 

Regjia e shfaqjes është e Ilir Bokshit, ndërsa në role interpretojnë Adrian Morina, Ylber Bardhi dhe Ledion Zoi. Asistent regjisor është Butrint Pasha, skenografinë dhe kostumet i ka realizuar Petrit Bakalli, muzika është e Butrint Pashës, ndërsa përkthimi është realizuar nga Artur Lena.

Producentë të projektit janë A&M Arts and Films dhe Teatri Dodona.

Një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij projekti ka pasur mbështetja e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, në kuadër të projektit CultAlb. Ekipi realizues shpreh mirënjohjen për këtë mbështetje, e cila kontribuon në forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe artistik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Bashkëpunime të tilla ndërmjet institucioneve dhe artistëve të të dyja vendeve krijojnë mundësi të reja për shkëmbim kulturor dhe për prezantimin e krijimtarisë shqiptare në skenat ndërkombëtare.

Pas prezantimeve në Prishtinë dhe Londër, shfaqja “Jetimët” pritet të vazhdojë rrugëtimin e saj ndërkombëtar, me prezantime të planifikuara në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, si dhe me pjesëmarrje në festivale dhe aktivitete të ndryshme teatrore në rajon dhe Evropë.

Përmes këtij projekti, “Jetimët” synon të sjellë para publikut një vepër të rëndësishme të dramaturgjisë bashkëkohore, por edhe të dëshmojë potencialin e bashkëpunimit artistik Shqipëri–Kosovë dhe kontributin e artistëve shqiptarë në skenat ndërkombëtare./RTK/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara