Shëndeti

Parandalimi dhe zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit

Edhe burrat sëmuren nga kanceri i gjirit.

Publikuar

Askush nuk mund të sigurojë mbrojtje njëqind për qind nga kanceri. Për zhvillimin e kancerit janë përgjegjës një numër faktorësh. Në Zvicër, për çdo vit nga kanceri i gjirit preken 6,200 gra dhe 50 burra. Kjo e bën kancerin e gjirit llojin më të shpeshtë të kancerit tek gratë ose, pothuajse një të treten e të gjitha diagnozave të kancerit.

Kanceri i gjirit është një temë tabu, dhe megjithëse është lloji më i shpeshtë i kancerit tek gratë, shumë njerëz i mbyllin sytë nga kjo sëmundje. Nëse keni pasur ndonjë përvojë me kancerin, do të dini se sa shumë prek kjo sëmundje të gjitha fushat e jetës. Pas përjetimit të kancerit, jeta nuk është më e njëjtë si më parë, raportojnë si të prekurit ashtu dhe të afërmit e tyre. Pasiguria dhe shqetësimi, por edhe dhimbja, lodhja dhe ndryshimet fizike peshojnë shumë. Për t`u ambientuar me këtë realitet të ri është zakonisht e vështirë dhe kërkon kohë të ndryshme për të gjithë të përfshirët.

Lidhja e Kancerit nuk shikon anash, për të përparësinë kryesore e ka sëmundja dhe mirëqenia e njerëzve. Ka shumë faktorë që mund të ndihmojnë në parandalimin e kancerit të gjirit. Si një organizatë e pavarur e pacientëve, Lidhja e Kancerit informon, mbështet dhe shoqëron falas të sëmurët me kancer dhe familjet e tyre. Në këtë tekst do të gjeni informacione që mund të jenë të dobishme për ju.

Edhe burrat sëmuren nga kanceri i gjirit

Gjinia është faktori më i rëndësishëm i rrezikut për kancerin e gjirit. Por edhe burrat ndodh të sëmuren nga kanceri i gjirit, ndonëse shumë më rrallë se gratë.

Këta janë faktorët e rrezikut:

Nuk mund të ndikohet: Gjinia, mosha, historia familjare (nëse një ose më shumë të afërm të shkallës së parë (nëna, motra, vajza) janë tashmë të sëmurë ose predispozitat trashëgimore.

Mund të ndikohet: Aktiviteti fizik, konsumimi i alkoolit / duhanit dhe dieta.

Procesi natyror i plakjes së trupit është një nga faktorët më të mëdhenj të rrezikut për kancer. Katër në pesë pacientë me kancer gjiri janë mbi 50 vjeç kur diagnostikohen. Nëse nëna, motra ose vajza e një gruaje në familje ka kancer të gjirit, ajo gjithashtu ka një rrezik në rritje të sëmundjes.

Jetesa e ekuilibruar

Disa faktorë rreziku për kancerin e gjirit janë të lidhur ngushtë me stilin e jetës personale dhe shpesh mund të shmangen ose të paktën të zvogëlohen: Gratë që ushtrojnë shumë kanë një rrezik më të ulët të kancerit të gjirit. Nga ana tjetër, konsumi i alkoolit dhe duhanit rrit rrezikun e kancerit të gjirit. Për këtë arsye, këshillohet që alkooli të konsumohet vetëm në sasi të vogla dhe jo çdo ditë, dhe të përmbaheni nga pirja e duhanit. Marrja e lartë e yndyrave dhe ushqimet e pasura me sheqer konsiderohen gjithashtu faktorë rreziku. Një dietë e ekuilibruar me shumë fruta dhe perime mund të ndihmojë në parandalimin e mbipeshës dhe në këtë mënyrë të zvogëlojë rrezikun e kancerit të gjirit. Gratë që ushqejnë me gji foshnjat e tyre për periudha më të gjata kohore kanë një rrezik më të ulët të zhvillimit të kancerit të gjirit më vonë në jetë sesa gratë që nuk ushqejnë me gji.

A mund ta zvogëloj rrezikun e shfaqjes së kancerit?

Metoda më e rëndësishme për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit në gratë e moshës mbi 50 vjeçe është mamografia. Lidhja Zvicerane e Kancerit rekomandon dhe mbështet zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit përmes kontrolleve të mamografisë tek gratë e moshës 50 e më shumë vjeçe. Në shumë kantone ka programe në të cilat gratë nga mosha 50 vjeç ftohen çdo dy vjet të bëjnë një mamografi të zbulimit të hershëm. Pjesëmarrja është vullnetare. Kompania e sigurimeve shëndetësore paguan koston e zbulimit të hershëm të mamografisë si pjesë e një programi ose nëse ekziston një rrezik familjar i rritur i kancerit të gjirit. Vetëkontrolli i gjirit është një mënyrë e thjeshtë për të vërejtur ndryshimet në gji. Megjithatë, ai nuk është zëvendësim për  ekzaminimin mjekësor ose mamografinë për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Studimet mbi vetë-ekzaminimet e rregullta nuk mund të tregojnë se kjo mund të zvogëlojë numrin e vdekjeve nga kanceri i gjirit. Sidoqoftë, nuk mund të përjashtohet që në raste individuale një grua mund të përfitojë nga vetë-ekzaminimet e rregullta të gjirit. Nëse jeni nga ato gra që rrezikohen nga kanceri i gjirit, kërkoni këshilla mjekësore. Pika e parë e kontaktit është mjeku juaj i familjes. Nëse përjetoni simptoma si një gungë ose dhimbje gjoksi, veproni shpejt. Nëse kanceri i gjirit zbulohet herët, trajtimi është shpesh më i lehtë dhe shanset e gruas së prekur për të mbijetuar janë përgjithësisht më të larta.

Hapini rrugë ndjenjave

Në rrjedhën e sëmundjes gjithmonë mund të ketë faza në të cilat lindin emocione si zemërimi, zilia ose vetë-keqardhja. Ndjenjat e tilla janë pjesë e kancerit – ashtu siç janë dhe pjesë e jetës. Ato janë, thjesht, pjesë e reagimeve normale njerëzore dhe në shumicën e rasteve ato zhduken përsëri. Po aq normale sa dëshira për mbështetje është edhe nevoja për pushim dhe vetmi. Shumica e përjetojnë periudhën midis diagnozës dhe fillimit të trajtimit si veçanërisht të vështirë. Pritja e rezultateve të mëtejshme të testit lë shumë hapësirë të hapur për spekulime, shpresa dhe frikë. Ndonjëherë do të ju ndihmojë mbajtja e një strukture të mirë dhe të rregullt të ditës dhe shpërqendrimi, përmes aktiviteteve. Kjo ju mundëson të pushoni nga mendimet shqetësuese. Kështu, ndonjëherë është një mbështetje e mirë nëse blini, gatuani, hani ose shëtitni në kohën e zakonshme, ashtu si keni bërë para diagnozës ose terapisë.

Gjatë trajtimit ka gjithmonë ditë “të mira” në të cilat ndiheni më mirë. Në ditët si këto, përpiquni të bëni diçka që ju jep energji dhe gëzim. Pranimi i situatës siç është në vend të “luftës” kundër saj mund të ndihmojë të ndieni përsëri tokën nën këmbët tuaja dhe të filloni përsëri nga vendi ku jeni tani.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Pacientët me diabet të tipit 1 në Angli, do të marrin ‘pankreas artificial’ si mjekim

NHS do të kontaktojë pacientët këtë muaj, përfshirë fëmijët, për t’u dhënë atyre sistemin që rregullon nivelet e glukozës dhe shpërndarjen e insulinës për herë të parë në botë.

Publikuar

nga

Pacientët me diabet të tipit 1 në Angli do të marrin një “pankreas artificial” për të përballuar gjendjen e tyre, njoftoi të martën Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS).

NHS do të kontaktojë pacientët këtë muaj, përfshirë fëmijët, për t’u dhënë atyre sistemin që rregullon nivelet e glukozës dhe shpërndarjen e insulinës për herë të parë në botë, sipas një deklarate.

“Teknologjia do të nënkuptojë se disa njerëz me diabet të tipit 1 nuk do të kenë më nevojë të injektojnë veten me insulinë, por të mbështeten te teknologjia për të marrë këtë ilaç që shpëton jetën”, shpjegoi NHS.

Partha Kar, këshilltarja kombëtare e NHS për diabetin, tha se “kjo teknologji inovative jo vetëm që përmirëson kujdesin mjekësor, por gjithashtu rrit cilësinë e jetës për të prekurit”.

NHS shpenzon pothuajse 10 miliardë £ (12.55 miliardë dollarë) në vit për “identifikimin dhe trajtimin e diabetit”./AA/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin

Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit.

Publikuar

nga

Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm. Vlerësohet se 1% e popullatës globale është autike.

Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës 3-vjeç.

Çfarë e shkakton autizmin? Shumë studime janë përpjekur t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Në pak raste autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, i tillë si X i Brishtë, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet. Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Ende nuk ka të dhëna që autizmi shkaktohet nga diçka që prindërit kanë apo nuk kanë bërë para apo gjatë shtatzënisë, apo ndërsa kujdesen për fëmijën e tyre.

Si diagnostikohet autizimi? Diagnoza e autizmit bazohet në sjelljet e fëmijës. Aktualisht, nuk ka ndonjë test mjekësor (për shembull analizë gjaku, rreze x etj.) që do të ndihmonte në diagnostikimin e autizmit. Mjekët mund të këshillojnë teste gjenetike për të gjetur një shkak gjenetik, si dhe mund të rekomandojnë teste apo studime të tjera që ndihmojnë në përcaktimin e kushteve të tjera shëndetësore të cilat mund të jenë të pranishme.

Kur profesionistët konstatojnë se fëmija ka autizëm apo diagnoza të lidhura me të, problemet vlerësohen në tri hapësira: ndërveprimi social, komunikimi dhe sjelljet/interesat jo të zakonshme.

Ndërveprimi social: Fëmijët me autizëm shpesh kanë vështirësi në krijimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve sociale. Krahasuar me fëmijët që zhvillohen normalisht, ata të diagnostikuar me autizëm mund ta kenë më të vështirë të vendosin dhe mbajnë kontakt me sy, të përgjigjen kur u flitet në emër, të luajnë lojëra të tilla si kukafshehti, apo të përfshijnë fëmijë të tjerë në lojë. Ata mund të pëlqejnë të jenë me prindërit apo të përfshihen në lojëra aktive, por shfaqin më pak interes dhe reagim krahasuar me fëmijët e tjerë me zhvillim normal.

Komunikimi: Fëmijët me autizëm janë përgjithësisht më të ngadaltë në përdorimin e fjalëve apo frazave të thjeshta që janë normale për atë moshë. Gjithashtu, ata kanë më pak të ngjarë të përdorin gjeste të zakonshme të tilla si të kërkuarit e diçkaje, apo të drejtojnë vëmendjen e dikujt drejt një pamje apo tingulli. Disa fëmijë mund të kenë një zhvillim gjuhësor në kohën e duhur, por mund të shfaqin kthim pas apo humbje të aftësive të komunikimit rreth moshës 18-24 muaj. Kjo humbje e aftësive mund të përfshijë ulje të interesave sociale, sikurse edhe humbje të fjalëve apo frazave të cilat i kanë përdorur më parë. Fëmijët që kanë zhvillim të gjuhës mund të shfaqin modele jo të zakonshme të të folurit, të tilla si përsëritja apo bërja jehonë e frazave që dëgjojnë nga të tjerët apo nga televizori. Ata mund të kërkojnë gjëra që dëshirojnë por e kanë shumë të vështirë të mbajnë një bisedë të thjeshtë.

Sjelljet dhe interesat: Fëmijët me autizëm përgjithësisht shfaqin një shkallë më të kufizuar lojërash krahasuar me moshatarët e tyre, dhe shfaqin më tepër sjellje përsëritëse; për shembull, ata mund të fokusohen më tepër në rreshtimin e objekteve sesa në ushqimin e një kukulle apo arushi. Gjithashtu, ata mund të jenë të interesuar për disa objekte të caktuara apo të këmbëngulin në ndjekjen e rutinave të caktuara, apo mund të përsërisin lëvizje specifike si përplasja e duarve, hedhja apo lëvizja para-mbrapa.

Koha: Përveç shfaqjes së diferencave zhvillimore në tri hapësirat e mësipërme, fëmijët me autizëm i shfaqin këto modele përpara moshës trevjeçare.

Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm. Kjo ditë është vendosur në 2 Prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas.

Vazhdo të lexosh

Shëndeti

Hurmat – fruti me vlera të larta ushqyese

Për shkak të vetive të tyre shumë të dobishme, vendet arabe çdo ditë i përdorin hurmat.

Publikuar

nga

Në të kaluarën ishin të njohura si “buka e shkretëtirës”. Tani është vërtetuar se hurmat njëjtë sikur bajamet dhe rrushi i thatë bëjnë pjesë në grupin e ushqimeve me vlera të shumta ushqyese.

Për shkak të vetive të tyre shumë të dobishme, vendet arabe çdo ditë i përdorin hurmat. Ato lehtë mblidhen, ruhen dhe transportohen, andaj edhe janë të disponueshme shumë lehtë në mbarë botën, ashtu edhe te ne.

Sheqerërat natyrale që përmbajnë në vete janë në formë të glukozës dhe fruktozës. Hurmat e thata të grira, të vendosura në ujë, i cili ka qëndruar gjatë tërë natës, paraqesin një ilaç shumë të mirë nëse dëshironi ta forconi zemrën dhe funksionet e saj vitale.

Hurmat gjithashtu janë një ilaç efektiv dhe shumë efikas kundër dhimbjes së kokës dhe kundër plakjes, shkruan femina.al. Ato i qetësojnë nervat dhe është e vërtetuar shkencërisht se për shkak të përmbajtjes së madhe të kalciumit, magnezit dhe fosforit mund të ndikojnë në mënyrë preventive kundër kancerit.

Hurmat e forcojnë trupin, zvogëlojnë kolesterolin në gjak, rregullojnë procesin e tretjes dhe e mbrojnë stomakun nga parazitët dhe bakteriet.

Megjithatë duhet të kemi kujdes në sasinë që konsumojmë, e veçanërisht nëse keni problem me peshën e shtuar, pasi që vetëm një hurmë përmban 20 kalori.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Studimi: Mbi 1 miliard njerëz në mbarë botën janë obezë

Normat më të larta janë në Tonga dhe Samoa Amerikane për gratë dhe Samoa dhe Nauru Amerikane për burrat.

Publikuar

nga

Mbi 1 miliard njerëz në mbarë botën po jetojnë me obezitet, thotë studimi i publikuar në The Lancet. Në mesin e tyre janë 880 milionë të rritur dhe 159 milionë fëmijë, sipas të dhënave të vitit 2022.

Normat më të larta janë në Tonga dhe Samoa Amerikane për gratë dhe Samoa dhe Nauru Amerikane për burrat, me rreth 70-80% të të rriturve që jetojnë me obezitet.

Nga rreth 190 vende, Britania e Madhe renditet në vendin e 55-të më të lartë për meshkujt dhe në vendin e 87-të për femrat.

Ekipi ndërkombëtar i shkencëtarëve thotë se ka nevojë urgjente për ndryshime të mëdha në mënyrën se si trajtohet obeziteti.

Obeziteti mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të shumë gjendjeve serioze shëndetësore, përfshirë sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2 dhe disa lloje kanceri./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara