Lajmet

Paqeruajtësi norvegjez që mban lidhje të forta me Kosovën

Published

on

Në qershor të vitit 1999, norvegjezi Kenneth Andresen pranoi një thirrje nga ushtria e shtetit të tij për t’u bërë pjesë e një misioni ushtarak në Kosovë.

Kishte kaluar shumë pak kohë prej kur NATO përfundoi një fushatë ajrore të bombardimeve mbi ish-Jugosllavi, me qëllim të ndaljes së vrasjeve dhe spastrimit etnik në Kosovë. Qindra-mijëra shqiptarë ishin larguar dhunshëm prej shtëpive të tyre nga forcat paramilitare e ushtarake serbe.

Gjatë luftës së viteve ‘98-99, u vranë mbi 13 mijë persona, shumica ishin shqiptarë.

Por, ditën kur ushtria norvegjeze e kontaktoi Kenneth Andresenin, ai nuk kishte informacione të mjaftueshme se çfarë në të vërtetë po ndodhte në vendin e dalë nga lufta. “Jam munduar ta kuptoj situatën përmes leximit të lajmeve”, thotë Andresen.

I bombarduar nga informacionet në media si dhe diskutimet politike pro dhe kundër përfshirjes së Norvegjisë, në operacionet e bombardimit të ish-Jugosllavisë, Andresen, vendosi që të nisej për në Kosovë.

Kenneth Andresen gjatë shërbimit të tij në Kosovë në kuadër të KFOR-it më 1999.

“Ishte shumë e vështirë për ta kuptuar nga lajmet se çfarë po ndodhte, por ne pamë se në media kishte shumë artikuj për luftën e Kosovës, sepse Norvegjia ishte e përfshirë ne operacionet e NATO-s. Kishte shumë diskutime në Norvegji, shumica në mbështetje të luftës, por kishte dhe diskutime politike, për t’u bërë pjesë e luftës [bombardimit të ish-Jugosllavisë] apo jo”, thotë Andresen.

Së bashku me një kontingjent të trupave të ushtrisë norvegjeze, Kenneth Andresen, u fut në Kosovë në fund të muajit korrik 1999.

Kosova ishte e shkatërruar nga lufta.

“Nuk e dija se çfarë të prisja, por e dija që ishte e vështirë. Sigurisht, gjatë rrugës pashë shumë shtëpi që ishin të shkatërruara, rrugët e shkatërruara dhe urat, të gjitha këto… dhe vërtet nuk e kuptoja derisa mbërrita dhe pashë shkatërrimin në të gjithë Kosovën”, thotë Andresen.

Gjatë misionit të tij në kuadër të KFOR-it, Andresen, për gjashtë muaj ishte i uniformuar dhe ushtronte pozitën e zyrtarit për informim. Ai thotë se pa se si shumë njerëz ishte larguar nga luftimet drejt vendeve të rajonit, duke lënë pas vetes gjithçka.

Lidhja e Kennethit me Kosovën

Misioni i Kennethit në Kosovë në vitin 1999, zgjati gjashtë muaj, nga korriku 1999 deri janar 2000.

Gjatë shërbimit ai monitoroi vazhdimisht gazetat lokale dhe ishte shumë kureshtar se pse mediat në Kosovën e pasluftës, ndryshonin aq shumë me ato në Norvegji.

Kosovë: Kenneth Andresen para monumentit “NEWBORN” në Prishtinë.

“Pata mundësinë që të mësoj më shumë për median. Ne lexonim gazetat ditore me ndihmën e përkthyeseve dhe isha shumë kureshtar pse media është kaq ndryshe nga mediat në Norvegji. Si punojnë gazetarët në një situatë të pasluftës?! Dhe ky ishte vetëm fillimi i shumë projekteve të mëvonshme”, thotë Andresen.

Pikërisht media lokale u bë shkas që ai të krijonte një lidhje të veçantë për Kosovën. Që nga përfundimi i luftës, Andresen vizitoi shumë herë Kosovën.

Pas luftës, ai ndihmoi në ngritjen e kapaciteteve të mediave dhe gazetarëve, përmes trajnimeve të llojllojshme e më vonë po ashtu u përfshi në projekte të ndryshme.

Kosovë: Kenneth Andresen me kolegët e tij, Abit Hoxha nga Universiteti i Agderit dhe Profesor James Sweeney nga Universiteti i Lancasterit (Mitrovicë, 2018).

Çdo vit, më 29 maj shënohet Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara. Në këtë ditë kujtohen më shumë se 4,000 pjesëtarë të uniformuar dhe civilë, që kanë humbur jetën në misione paqeruajtëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – (OKB) që nga viti 1948.

Një prej ngjarjeve më tragjike të vdekjes së paqeruajtëseve ndërkombëtarë në Kosovë ishte vdekja e 42 ushtarëve sllovakë, që humbën jetën në një aksident ajror duke u kthyer në shtëpi nga misioni i tyre në kuadër të KFOR-it.

Që nga viti 1999, rreth 160 ushtarë të vendeve anëtare dhe jo anëtare të NATO-s, kanë vdekur kryesisht në aksidente dhe incidente të izoluara.

Rrugëtimi i Kosovës drejt misioneve paqeruajtëse

Në Kosovë ende vazhdojnë të jenë prezentë trupat paqeruajtëse të KFOR-it. Megjithatë, së fundmi, Forca e Sigurisë së Kosovës – FSK u bë pjesë e misioneve paqeruajtëse.

Më 9 mars 2021, një kontingjent i pjesëtarëve të FSK-së, zbarkoi në misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit. Kontingjenti i FSK-së që shkoi në Kuvajt, është pjesë e Gardës Kombëtare të Ajovas në kuadër të ushtrisë amerikane.

“Vendosja e Kosovës në hartën e paqeruajtëseve bashkë me shtete të tjera, është gjë e mirë, e natyrshme si dhe strategjike për një shtet të ri”, thotë Andresen.

Vendimi për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit, ishte marrë më 31 dhjetor 2020./Evrope e Lirë

Lajmet

UBT lanson Global Virtual Campus, një model i ri i arsimit pa kufij

Published

on

By

UBT ka lansuar zyrtarisht konceptin më të ri inovativ në fushën e arsimit, Global Virtual Campus, një platformë që synon të transformojë mënyrën se si ofrohet edukimi në nivel global, përmes partneritetit strategjik me EON Reality.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky model është një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së arsimit gjithëpërfshirës dhe të qasshëm për të gjithë.

Në këtë kontekst, Global Virtual Campus është një koncept dhe model i ri, modeli i së ardhmes, që mundëson ofrimin e të njëjtës përmbajtje dhe të njëjtës cilësi kudo në botë, me të njëjtin potencial dhe përvojë, pa humbur kohë dhe me kosto të përballueshme për të gjithë. Pra, kjo qasje e aksesueshmërisë dhe përballueshmërisë, kudo dhe në çdo kohë, është thelbi i Global Virtual Campus, të cilin po e ofrojmë përmes partneritetit tonë me EON”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi deklaroi se UBT ka një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në arsimin e lartë, duke u renditur ndër institucionet më të vlerësuara globalisht në fusha kyçe si inovacioni, qëndrueshmëria, ndërmarrësia dhe shkenca.

Ai nënvizoi se institucioni njihet për standarde të larta cilësie dhe është i akredituar nga mekanizma ndërkombëtarë, përfshirë British Accreditation Council, si dhe gëzon një validim të fortë në raport me sistemin amerikan të arsimit.

“Ne besojmë fuqishëm në rëndësinë e kontaktit njerëzor dhe bashkëpunimit fizik, por në të njëjtën kohë duhet të shfrytëzojmë maksimalisht potencialin që ofron inteligjenca artificiale për të rritur cilësinë dhe për të zgjeruar qasjen në arsim”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Një nga shtyllat kryesore të këtij transformimi është integrimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara të vizualizimit në procesin mësimor. Sipas Hajrizi, përvoja e gjatë e partneritetit me platforma inovative si EON ka mundësuar ndërtimin e një sistemi që garanton cilësi të lartë të mësimdhënies, pavarësisht vendndodhjes së studentëve.

Global Virtual Campus synon të ofrojë përmbajtje dhe standard të njëjtë edukimi kudo në botë, duke eliminuar barrierat gjeografike dhe kohore, dhe duke hapur një epokë të re të arsimit global.

Video e plotë

Continue Reading

Lajmet

Kryesia dështon të miratojë rendin e ditës: Mospajtime për rezolutën e luftës

Published

on

By

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka përfunduar pa një pajtim për rendin e ditës të seancës së radhës, pas mospajtimeve mes partive politike për pozicionimin e rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës.

PDK-ja, e mbështetur edhe nga opozita tjetër, ka insistuar që kjo rezolutë të jetë pika e parë e rendit të ditës për seancën e së premtes. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që ajo të trajtohet si pikë e fundit, duke kërkuar një dakordim më të gjerë paraprak.

Për shkak të kësaj bllokade, rendi i ditës pritet të miratohet në fillim të seancës plenare. Përveç rezolutës për luftën, në agjendë janë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, votimi për anëtarin e Këshillit Prokurorial, si dhe debati për rritjen e çmimit të naftës.

Continue Reading

Lajmet

Kurti pret drejtoren e NATO-s: FSK po përgatitet për mision në Gazë

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe sigurinë në vend.

Gjatë takimit, Kurti falënderoi aleancën veri-atlantike për rolin e saj në stabilitetin e Kosovës, ndërsa kërkoi më shumë mundësi trajnimi për pjesëtarët e FSK-së në institucionet e NATO-s.

Kryeministri njoftoi se Forca e Sigurisë së Kosovës, pas sukseseve në disa misione ndërkombëtare, aktualisht po përgatitet për të zbarkuar në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Kryeministri Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ndërsa, shtoi se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Ndërsa, përmendi edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Nga ana tjetër, zyrtarja e lartë e NATO-s vlerësoi lart këtë vendim dhe falënderoi Kosovën për bashkërendimin e ngushtë me aleancën në rrugën drejt integrimit.

 

Continue Reading

Lajmet

Vdes një punëtor në vendin e punës në Strellc të Deçanit, një tjetër i lënduar

Published

on

By

Një aksident fatal në vendin e punës ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Strellc të Ulët të Deçanit, ku si pasojë e lëndimeve ka vdekur një punëtor dhe një tjetër ka mbetur i lënduar.

Lajmi është konfirmuar nga Policia Rajonale e Pejës, sipas së cilës ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në një punëtori druri, ku disa materiale kanë rënë mbi dy punëtorët. Viktimat u dërguan menjëherë në Emergjencën e Spitalit të Pejës, ku mjekët konstatuan vdekjen e njërit prej tyre.

Njësitet kompetente kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Continue Reading

Të kërkuara