Lajmet

Paqartësi rreth aplikimeve në organizata ndërkombëtare

Emini: Qeveria nuk e shfrytëzoi moratoriumin për t’i bërë gati aplikimet

Published

on

Në gati 12 muajt e fundit, Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kjo ka ndodhur pasi në shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Kosova u pajtua që të respektojë një moratorium njëvjeçar, përmes së cilit, nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kjo pikë ishte pjesë e Marrëveshjes për normalizim ekonomik, e cila u nënshkrua nga Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësim të administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Marrëveshja obligon edhe Serbinë që të pezullojë iniciativën e saj për t’i bindur shtetet e ndryshme të botës që të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Moratoriumi njëvjeçar, që rrjedh nga Marrëveshja e Uashingtonit, skadon në fillim të muajit shtator.

Megjithatë, të pyetur nga Radio Evropa e Lirë se kur do të fillojë aplikimi në organizata ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

REL ka pyetur qeverinë nëse gjatë kësaj periudhe të moratoriumit janë bërë përgatitje për anëtarësim në ndonjë nga organizatat ndërkombëtare si dhe për faktin se cilat prej tyre konsiderohen me prioritet.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kanë konfirmuar se janë duke u bërë gati disa aplikime, por nuk kanë dhënë detaje të tjera.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Punëve të Jashtme është duke u përgatitur për procesin e aplikimit në disa prej organizatave ndërkombëtare. Parapërgatitjet në këtë drejtim po bëhen nga ekipet përgjegjëse në mënyrë që të jemi gati kur të hapen afatet e aplikimeve nga organizatat”, tha për REL zyra për informim e MPJD-së.

Emini: Qeveria nuk e shfrytëzoi moratoriumin për t’i bërë gati aplikimet

Drejtoresha ekzekutive e Platformës Civikos, Donika Emini, beson se Qeveria e Kosovës është dashur që ta shfrytëzojë periudhën njëvjeçare që jetë e gatshme, para shtatorit, për aplikim në organizata si Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

Në të kaluarën, institucionet e Kosovës kishin dështuar në momentet e fundit që të merrnin përkrahjen e nevojshme për t’u bërë pjesë e këtyre dy organizatave.

“Askush nuk e ka penguar Kosovën prej përgatitjes së aplikimeve, koordinimit të brendshëm, koordinimin ndërinstitucional për përgatitje në këtë drejtim, sepse ka qenë e qartë se ky afat hiqet në shtator, e në shtator mund të jemi komplet gati, vetëm të fillojnë procedurat”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.

Emini thotë se qeveria deri më tash ka folur vazhdimisht për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, e që sipas saj, për momentin janë të paarritshme si dhe pengohen për shkak të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Qeveria është dashur që nga fillimi ta ketë të qartë në vija shumë të detajuara se ku synon të anëtarësohet, se cilat janë ato institucione si dhe kush e udhëheq procesin prej institucioneve të Kosovës për anëtarësim në mekanizma të bashkëpunimit ndërkombëtarë”, thekson Emini.

Më 22 korrik janë bërë 11 vjet prej se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) konfirmoi se pavarësia e Kosovës nuk binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Në GJND ishte ankuar Serbia, që vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë përbërëse të saj.

Përkundër vendimit pozitiv të GJND-së, Kosova vazhdon të sfidohet në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Njohja e fundit është ajo e Izraelit, më 1 shkurt të këtij viti. Kjo njohje erdhi pas gati tri vjetësh pa asnjë njohje të re. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kosova aktualisht njihet nga 117 shtete.

Premtimi i Erdoganit për njohje trazoi presidentin Vuçiq

Por, për sigurimin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës tha se do të angazhohet presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Ai tha se këtë do ta bëjë së bashku me presidentin amerikan, Joe Biden. Kjo deklaratë acaroi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të enjten, më 22 korrik, deklaroi se kushdo që merr vendim për njohjen e Kosovës, Serbia menjëherë do të rifillojë fushatën për tërheqje të njohjeve.

“E respektoj shumë presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe dëshirojmë marrëdhënie sa më të mira me Turqinë, por ne kemi shtetin dhe interesat tona dhe në pajtim me to do të sillemi”, ka deklaruar Vuçiq lidhur me deklaratën e presidentit turk Erdogan se do të punojë për sigurimin njohjeve të reja për Kosovën.

Vuçiq gjatë një vizite në Karagujevc të Serbisë, ka përkujtuar obligimin e Kosovës dhe Serbisë që të mos zhvillojnë fushata për njohje apo për tërheqje të njohjeve.

Por, premtimi i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, se do të punojë së bashku me SHBA-në për sigurimin e njohjeve të reja për Kosovës nga analisti politik nga Turqia, Hamdi Firat Buyuk nuk po shihet si iniciativë që vërtetë mund të sjellë rezultate.

Buyuk thotë se Erdogan më shumë e ka përmendur Kosovën në kontekstin e përpjekjes së tij për të ndërtuar lidhje me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.

“Ndoshta Turqia dhe SHBA-ja mund të punojnë bashkërisht në këtë pikë, por kjo nuk është një temë e re për të dyja vendet, Turqinë dhe SHBA-në dhe nuk jam shumë i sigurt se çfarë mund të bëjnë më shumë së bashku, sa i takon pavarësisë së Kosovës, në arenën ndërkombëtare.Për të qenë i sinqertë kjo mund të mbetet vetëm retorikë”, thotë Buyuk për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se çfarëdo iniciative e presidentit Erdogan në mbështetje të Kosovës nuk do t’i prishë raportet e Turqisë me Serbinë.

Sipas tij, viteve të fundit, shkëmbimet ekonomike në mes të këtyre dyja shteteve janë shtatë apo tetëfishuar, kështu që interesi ekonomik dominon atë politik.

“Raporti mes të dyja vendeve është në një nivel shumë të mirë, por po ashtu të dy liderët janë shumë pragmatikë. Ata i njohin fushat në të cilat mund të punojnë së bashku, njëjtë siç i njohin fushat në të cilat nuk mund të punojnë bashkërisht. Kosova është një prej fushave në të cilën nuk mund të bashkëpunojnë dhe që të kenë agjendën e njëjtë për shkak të politikave të jashtme që i kanë të ndryshme”, shprehet Buyuk.

Buyuk thotë se Erdogan mund të ushtrojë ndikimin e tij në sigurimin e ndonjë njohjeje të re për Kosovën, por thotë se një gjë të tillë nuk mund ta bëjë te shtetet arabe, pasi ndikimi atje ka rënë për shkak të manovrave ushtarake të Turqisë në Siri dhe Libi e po ashtu për shkak të pozicionit ndaj zhvillimeve në Egjipt.

Së fundmi, një nga pesë shtetet mosnjohëse të Kosovës në kuadër të BE-së, Greqia, ka dhënë sinjale se mund të lëvizë pozicionin e saj drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Njohja e mundshme e shtetit të Kosovës nga Greqia, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti do të mund të konfirmonte rolin udhëheqës të këtij shteti në rajon.

Lajmet

Policia e Kosovës apelon për kujdes nga mesazhet mashtruese dhe dokumentet e falsifikuara

Published

on

By

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar pasi janë diktuar mesazhe mashtruese dhe dokumente të falsifikuara, të cilat po qarkullojnë duke keqpërdorur në mënyrë të paautorizuar emrin, logot, vulat dhe nënshkrimet e institucioneve vendëse.

Autoritetet sqarojnë se dokumentet e tilla nuk përfaqësojnë njoftime zyrtare të Policisë së Kosovës, ndaj u kërkohet qytetarëve që të mos u përgjigjen kërkesave të dyshimta, të mos ndajnë të dhëna personale apo bankare dhe të mos dërgojnë informacione përmes adreshash të paverifikuara.

Aktualisht, Policia po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës, ndërsa rikujton se çdo informacion zyrtar duhet të merret vetëm përmes kanaleve zyrtare institucionale.

Këshillat e Policisë për qytetarët:

Udhëzime të menjëhershme: Shmangni klikimin në linqe të dyshimta, mos jepni të dhëna bankare apo personale dhe mos hapni faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.

Veprimet në rast se pranoni mesazhe të tilla: Fshijeni mesazhin menjëherë, raportojeni te autoritetet dhe kontaktoni bankën tuaj nëse keni ndarë të dhëna financiare.

Rastet e mashtrimeve mund të raportohen në polici përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrin pa pagesë 192.

 

Continue Reading

Lajmet

Zbulime të reja arkeologjike në Bostan të Novobërdës

Published

on

Gërmimet arkeologjike që po zhvillohen në Bostan të Novobërdës po sjellin të dhëna të reja për këtë lokalitet të lashtë, i cili lidhet me periudhën e Mbretërisë Dardane.

Hulumtimet e zhvilluara gjatë viteve të fundit kanë konfirmuar praninë e një vendbanimi të fortifikuar, ku janë evidentuar gjurmë të një muri rrethues, një kulle dhe një porte.

Materialet arkeologjike të zbuluara dëshmojnë për rëndësinë e këtij lokaliteti gjatë periudhës klasike dhe helenistike.

Të dhënat e deritanishme e rendisin Bostanin ndër lokalitetet me rëndësi për studimin e jetës, ekonomisë dhe organizimit të vendbanimeve në Dardani gjatë periudhës së Mbretërisë Dardane./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Biblioteka Kombëtare e Kosovës merr pjesë në takimin vjetor të ISBN-së në Madrid

Published

on

Biblioteka Kombëtare e Kosovës po merr pjesë në Takimin e Përgjithshëm Vjetor të Agjencisë Ndërkombëtare të ISBN-së, i cili po mbahet në Madrid të Spanjës.

Takimi mbledh përfaqësues të agjencive kombëtare të ISBN-së nga vende të ndryshme të botës, me qëllim të diskutimit të zhvillimeve të reja në sistemin ndërkombëtar të identifikimit të botimeve.

Në fokus të takimit është edhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për sistemin ISBN dhe shkëmbimi i përvojave në këtë fushë.

Pjesëmarrja e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në këtë takim kontribuon në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në ndjekjen e zhvillimeve të reja në standardizimin dhe identifikimin e botimeve./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tubimet e 16 shtatorit, Franca u kërkon shtetasve të shmangin lëvizjet

Published

on

Ministria e Punëve të Jashtme e Francës u ka rekomanduar shtetasve francezë në Kosovë që të tregojnë vigjilencë më 16 shtator, pasi në të gjitha qytetet e vendit janë planifikuar tubime të mëdha me karakter politik.

Në një njoftim për sigurinë, autoritetet franceze u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që t’i shmangin protestat dhe lëvizjet jo të domosdoshme gjatë ditës.

“Më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00, në të gjitha qytetet e vendit janë planifikuar tubime të mëdha me karakter politik”, thuhet në njoftim.

Shtetasve francezë u rekomandohet të qëndrojnë larg këtyre tubimeve dhe të shmangin çdo lëvizje jo të domosdoshme në qytete dhe në të gjithë vendin deri në fund të ditës.

Një ditë më parë, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë lëshoi një njoftim për sigurinë, duke paralajmëruar për protesta të mëdha që pritet të zhvillohen më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të Kosovës.

Sipas Ambasadës amerikane, disa organizata kanë planifikuar demonstrata të mëdha, të cilat mund të shkaktojnë grumbullime të shumta të qytetarëve, mbyllje të rrugëve dhe pengesa serioze në qarkullimin rrugor./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara