Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë përuruan sot përfundimin e punimeve në tri ndërtesa sociale shumëbanesore në Komunën e Skenderajt, nga të cilat përfitojnë 100 familje në nevojë.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë ceremonisë theksoi rëndësinë e investimeve në energji eficience për përmirësimin e jetës së banorëve. Ajo sqaroi se ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë që po zbatohet në nivel vendi, duke përfshirë renovimin e 28 ndërtesave sociale në 13 komuna, me vlerë totale 6 milionë euro. Përveç 693 mijë eurove të investuara në Skenderaj, projekti përkrahet financiarisht nga Bashkimi Evropian me 90%, ndërsa komunat kontribuojnë me 10%.
“Ky është pjesë e një programi më të gjerë në nivel vendi, ku tashmë është duke u punuar edhe në 12 komuna të tjera, në renovimin total të 28 ndërtesave sociale me një vlerë totale prej 6 milionë euro. Ndërsa investimi këtu është rreth 693 mijë euro. Këto investime po realizohen me përkrahje financiare të BE-së në masë 90 përqind dhe bashkëfinancim të komunave prej 10 përqind. Këto janë investime të rëndësishme që janë përtej infrastrukturës – kursimi i energjisë do të jetë 75‑85 përqind më pak konsum. Kjo do të thotë kushte më të mira për banorët, më të shëndetshme për familjet e tyre dhe një jetë më dinjitoze dhe më e sigurtë. Përveç investimeve që janë bërë në hyrje, dysheme, izolim të çatisë, ndërrimin e dritareve dhe dyerve, izolimin e ndërtesës, gjithashtu është instaluar sistemi i interfonisë që mundëson siguri më të lartë,” ka deklaruar Rizvanolli.
Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi, theksoi rëndësinë e mbështetjes së BE-së në këtë projekt, duke shtuar se masat për eficiencë të energjisë janë një mënyrë efektive për të ndihmuar familjet në përballimin e krizës energjetike dhe për të mbrojtur konsumatorët më në nevojë.
“Një ndërtesë në Skenderaj me vlerë rreth 700,000 euro, nga e cila përfitojnë rreth 100 familje në nevojë sociale. Projekti u mundësua nga financimi i Bashkimit Evropian në kuadër të Pakos së Mbështetjes për Energjinë, me një shumë totale prej 75 milionë eurosh, i cili po zbatohet nga Qeveria e Kosovës dhe Fondi për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë, si dhe falë kontributit të komunës. Qëllimi i kësaj pakove ishte të ndihmojë familjet dhe bizneset të përballojnë ndikimin e krizës energjetike, por gjithashtu të përmirësojë përballueshmërinë e energjisë dhe të mbështesë familjet më të ndjeshme. Masat për eficiencë të energjisë janë një mënyrë shumë efektive për të ndihmuar dhe mbrojtur konsumatorët në nevojë,” deklaroi Bianciardi.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin dhe suksesin e projektit, duke theksuar ndikimin pozitiv në reduktimin e shpenzimeve për energjinë elektrike dhe investimin në komunitetin në nevojë, si komuna e parë që përfundon një iniciativë kaq të rëndësishme.
“Një bashkëfinancim dhe bashkë-koordinim që po japim këtu në Skenderaj ka dy elemente kryesore: do të ndikojë në reduktimin e shpenzimeve të energjisë elektrike, dhe njëkohësisht kemi investuar në një pjesë të komunitetit që ka pasur nevojë. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që jemi komuna e parë që po implementon dhe finalizon një projekt kaq të rëndësishëm,” shtoi ai.
Ky projekt sinjalizon përkushtimin dhe përpjekjen sistematike për të përmirësuar kushtet e jetesës për familjet më të ndjeshme në Kosovë, përmes investimeve të qëndrueshme në eficiencën e energjisë dhe rinovimin e infrastrukturës sociale.