Në episodin më të ri të podcastit të UBT News, i ftuar ishte prof. Ibush Luzha, një nga njohësit e teknologjisë inorganike, i cili solli një analizë të detajuar mbi sfidat mjedisore që e prekin drejtpërdrejt shëndetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve në Kosovë.
Në një bisedë të hapur, ai shpalosi problemet kryesore të ndotjes së ujit, ajrit dhe mbeturinave, si dhe theksoi rolin vendimtar që teknologjia moderne mund të luajë në zgjidhjen e tyre.
Prof. Luzha kujtoi se teknologjia inorganike ka qenë ndër drejtimet kryesore të industrisë kosovare që nga periudha para luftës e deri më sot. Ai theksoi se vendi ynë vazhdon të ketë potencial të madh natyror, por se ai mbetet shpesh i pamenaxhuar dhe i nënvlerësuar.
“Teknologjia inorganike ka qenë tradicionalisht një nga shtyllat industriale të Kosovës. Edhe sot kemi potencial të jashtëzakonshëm natyror, por sfida kryesore mbetet mungesa e menaxhimit modern dhe e standardeve që kërkon koha”, u shpreh ai.
Profesori theksoi se mineralet, burimet ujore dhe kapacitetet industriale të trashëguara nuk janë përdorur në mënyrën e duhur, duke lënë prapa pasoja serioze mjedisore.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte gjendja alarmuese e ujërave sipërfaqësore dhe atyre të pijshëm në Kosovë. Prof. Luzha u ndal te abuzimet që ndodhin në shumë kompani dhe institucione, ku trajtimi i ujit shpesh lihet pas dore.
“Në shumë zona të Kosovës, analizat tregojnë tejkalime drastike të parametrave të ndotjes, si në ujërat sipërfaqësore, ashtu edhe në ato të pijshëm. Problemi nuk është mungesa e pajisjeve, por fakti që shumë sisteme filtrimi anashkalohen plotësisht ose nuk mirëmbahen”, tha ai.
Sipas tij, komunat bartin përgjegjësi të madhe, por kontrolli mbetet i dobët, ndërsa monitorimet janë shpesh formale dhe jo të thelluara.
Ai shtoi se disa sisteme filtrimi të dhuruara nga Bashkimi Evropian janë lënë jashtë funksionit pa asnjë arsye teknike, duke u bërë shembuj të keqmenaxhimit institucional.
Gjatë podcastit u diskutua edhe për ndotjen e ajrit, një nga problemet më të mëdha të viteve të fundit. Prof. Luzha theksoi se ndotja rritet sidomos në dimër, si pasojë e djegies së materialeve të ndryshme dhe e emetimeve industriale.
“Kosova ka burime të mëdha ndotjeje të ajrit, por ka edhe potencial të madh për përmirësim. Me teknologji moderne dhe standarde të qarta të filtrimit industrial, ndotja mund të ulet ndjeshëm. Kërkohet vetëm vullnet dhe zbatim i vërtetë i ligjit”, u shpreh profesori.
Ai theksoi rëndësinë e filtrimit të gazrave industrialë dhe të implementimit të teknologjive që e reduktojnë ndotjen në burim, duke paralajmëruar se pasojat e mosveprimit do të jenë afatgjata dhe të dëmshme.
Podcastin e plotë mund ta ndiqni në këtë link: PODCAST