Lajmet

Palestinezët evakuohen në jug teksa Izraeli zgjeron ofensivën në Gazën qendrore

Forcat izraelite më 29 dhjetor kanë vazhduar të sulmojnë zonat në Gazën qendrore, duke vrarë dhjetëra persona.

Published

on

Dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur janë nisur drejt qytetit Rafah në jug ditëve të fundit, kanë thënë Kombet e Bashkuara, përderisa forcat izraelite më 29 dhjetor kanë vazhduar të sulmojnë zonat në Gazën qendrore, duke vrarë dhjetëra persona.

Ofensiva e paprecedentë e Izraelit nga toka dhe ajri kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – ka zhvendosur rreth 85 për qind të popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh, të cilët po kërkojnë strehim në zonat që Izraeli i ka cilësuar si të sigurta, por të cilat janë bombarduar nga ushtria. Kjo ka bërë që palestinezët të mos jenë të sigurt në asnjë pjesë të enklavës së vogël.

Fushata ushtarake e Izraelit veçse ka rrafshuar pjesë të mëdha në veri të Gazës dhe tani ushtria është përqendruar në zonat në Gazën qendrore, ku avionët izraelitë dhe artileria po sulmojnë kampet e refugjatëve Burej, Nuseirat dhe Magazi, duke shkatërruar ndërtesat, kanë thënë banorët.

Por luftimet janë përhapur në shumë zona të Gazës. Në veri, Hamasi ende po lufton me trupat izraelite me një rezistencë të fuqishme. Në qytetin e dytë më të madh të Rripit të Gazës, Han Junis në jug, ku Izraeli beson se liderët e Hamasit fshihen, po ashtu ka beteja.

Lufta tashmë ka vrarë mbi 21.300 palestinezë dhe ka shkaktuar një krizë humanitare, gjë që ka bërë që një e katërta e popullsisë së Gazës të përballet me uri.

Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin dhe do të lirojë mbi 100 pengje që ende mbahen nga grupi radikal, që kur ai kreu sulme në jug të Izraelit më 7 tetor. Nga këto sulme, u vranë 1.200 persona në Izrael, shumica civilë.

Zyrtarët e Izraelit kanë refuzuar thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim, duke thënë se një ndalje e luftimeve do të përbënte fitore për Hamasin.

Të enjten mbrëma, OKB-ja tha se afër 100.000 persona kanë shkuar në Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin, gjatë ditëve të fundit.

Izraeli u ka thënë banorëve në Gazën qendrore që të evakuohen dhe të shkojnë në Rafah dhe në qytetin Deir al-Bala. Por, pavarësisht se ka urdhëruar evakuimin për në Rafah, ky qytet ka qenë cak i sulmeve izraelite.

Gjatë një sulmi mbrëmjen e së enjtes ndaj një ndërtese banimi, u vranë të paktën 23 persona, thanë zyrtarët e spitalit Al-Kuwaiti, që gjendet aty pranë./REL/

Lajmet

OKB paralajmëron se konflikti në Lindjen e Mesme paraqet rreziqe të mëdha globale

Published

on

By

Shefi i të drejtave të njeriut i OKB-së, Volker Turk, ka paralajmëruar se lufta ka krijuar një situatë “jashtëzakonisht të rrezikshme dhe të paparashikueshme”.

“Ky konflikt ka një fuqi të paparë për të zënë në grackë vendet përtej kufijve dhe në të gjithë botën”, tha ai.

Turk tha se shtetet në Lindjen e Mesme ishin pranë një “katastrofe të plotë”, ndërsa luftimet po i afrohen muajit të fundit, duke vrarë më shumë se 2,000 njerëz në të gjithë rajonin dhe duke shkaktuar çrregullime të mëdha globale në tregjet e energjisë.

“E vetmja mënyrë e garantuar për ta parandaluar këtë është t’i jepet fund konfliktit, dhe unë i bëj thirrje të gjitha shteteve, dhe veçanërisht atyre me ndikim, të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për ta arritur këtë.” /Euronews/

Continue Reading

Lajmet

Shiten të gjitha biletat për tifozët shqiptarë për ndeshjen në Poloni

Published

on

By

Biletat e ndara për tifozët shqiptarë për ndeshjen Poloni – Shqipëri janë shitur të gjitha.

Këtë e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit.

Ndeshja luhet të enjten mbrëma nga ora 20:45 dhe i takon gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në Botëror.

“FSHF-ja falënderon të gjithë tifozët për interesin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj Kombëtares në këtë përballje historike, duke i ftuar njëkohësisht të respektojnë dhe ndjekin të gjitha udhëzimet e përcaktuara nga Federata Polake”, shkruan në njoftim FSHF.

 

Continue Reading

Lajmet

Krusha e Madhe: 26 vite pritje, 26 vite qëndresë mbi hirin e krimeve serbe

Published

on

By

Sot mbushen plot 26 vite nga nisja e njërës prej masakrave më tronditëse të luftës së fundit në Kosovë, ajo e Krushës së Madhe, ku makineria vrastare serbe la gjurmë të pashlyeshme dhimbjeje dhe tmerri.

Më 25 mars të vitit 1999, vetëm një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat policore dhe ushtarake rrethuan fshatin dhe për tri ditë me radhë ushtruan terror dhe vrasje mbi popullatën civile të pambrojtur.

Gjatë kësaj periudhe të përgjakshme, u vranë dhe u masakruan mizorisht 241 banorë, në mesin e të cilëve shtatë fëmijë dhe pesë gra, ku njëra prej tyre ishte shtatzënë.

Nga ky ferr i vërtetë arritën të mbijetojnë me lëndime të rënda vetëm 25 persona, ndërsa fati i 64 të tjerëve vazhdon të mbetet i pazbardhur edhe sot e kësaj dite, duke e mbajtur hapur plagën e ankthit për familjarët që ende presin një përgjigje.

Ndonëse ngjarjet tragjike në Krushë të Madhe ishin pjesë qendrore e aktakuzës në Tribunalin e Hagës kundër Sllobodan Millosheviqit dhe krerëve të tjerë serbë, drejtësia për banorët ka mbetur në gjysmë të rrugës, pasi deri më tani asnjë proces gjyqësor nuk ka dënuar drejtpërdrejt ekzekutorët që kryen këto krime në terren.

Për këtë fshat të Rahovecit, i cili pas luftës u bë simbol botëror i qëndresës përmes forcës së grave të tij, dhimbja mbetet po aq e freskët sa në marsin e vitit 1999, ndërsa kërkesa për llogaridhënie dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve mbetet thirrja kryesore që ushton në çdo përvjetor mbi varret e martirëve.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Sllovakia në ankth para Kosovës

Published

on

By

Ballafaqimi i kësaj të enjteje mes Kosovës dhe Sllovakisë po merr vëmendje të madhe nga mediat në Sllovaki, të cilat po e konsiderojnë këtë përballje si tejet të vështirë dhe një “pagëzim me zjarr”.

Sipas analizave të fundit në shtypin sllovak, kjo është një ndeshje ku luhet gjithçka: ose do të shuhet shpresa për kampionatin veror të futbollit, ose ajo do të jetë gjallë edhe për pesë ditë të tjera deri në finalen e madhe kundër fituesit të çiftit Turqi – Rumani.

Të besuarit e Francesco Calzonas nuk konsiderohen favoritë para kësaj faze vendimtare të kualifikimeve, megjithëse në favor të tyre flet fusha vendase që ua caktoi shorti.

Pengesa e parë, Kosova, vlerësohet si jashtëzakonisht e vështirë pasi futbollistët nga Ballkani shënuan rezultate të jashtëzakonshme në grup, përfshirë fitoren në Suedi, ndaj nuk kanë asnjë arsye të ndihen si autsajderë në Bratislavë, shkruan gazeta sllovake Pravda.

Mediat sllovake theksojnë se Kosova do të jetë veçanërisht e fortë në sulm, duke pasur në përbërje dy emra të mëdhenj nga ligat kryesore si Vedat Muriqin e Mallorcës, golashënuesin e dytë më të mirë në La Liga, dhe Fisnik Asllanin, për të cilin po interesohen klube si Barcelona e Chelsea.

Ndërkohë që cilësia në sulm anon nga Kosova, Sllovakia shpresat i mban te mbrojtja e udhëhequr nga Milan Škriniar, nëse ky i fundit rikuperohet në kohë. Me një rekord prej vetëm gjashtë golash të shënuar në gjashtë ndeshje, formacioni i Calzonas do të kërkojë forcën te mbrojtja e organizuar dhe shfrytëzimi efikas i rasteve, duke tentuar të përsërisë sukseset historike si ai i vitit 2010.

Për Kosovën ky mbetet momenti më i rëndësishëm sportiv që nga pavarësia në vitin 2008, dhe duke qenë se skuadrat nuk janë ndeshur kurrë më parë, gjithçka mbetet e hapur deri në sekondën e fundit, ku nuk përjashtohet as mundësia e shtesave apo goditjes së penalltive.

Continue Reading

Të kërkuara