Një numër në rritje kompanish po zhvillojnë produkte që kanë në qendër mbrotjen e mjedisit. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Julie Taboh na sjell më shumë detaje rreth një pajisjeje që ndihmon për gjetjen e sendeve të ndryshme, e cila është prodhuar nga mbeturina që gjenden në oqean.
Nëse i takoni atij grupi njerëzisht që humbasin shpesh sende personale, pajisja e quajtur Chipolo, e cila punon duke përdorur teknologjinë Bluetooth është krijuar për t’u ndihmuar, duke gjetur sendet e humbura.
Chipolo i vendoset një objekti sikurse një portofol apo një çantë shpine. I lidhur përmes Bluetooth-it me aplikacionin Chipolo të shkarkuar në telefon, pajisja ndihmon në gjetjen e sendit të humbur, i cili nis të tingëllojë kur ju shtypni butonin “për të gjetur vendndodhjen”.
Por tregu është i mbushur me produkte të ngjashme sikurse Tile apo konkurrentë të tjerë, përfshirë Samsung-un. Por Chipolo ka gjetur një mënyrë për të rënë në sy. Pajisja është krijuar nga mbeturina që mund t’i gjesh në oqean, sikurse rrjetat e peshkimit të riciklueshme.
“Produket tona përbëhen nga plastika. Edhe pse janë shumë të vogla dhe nuk përdorim shumë plastikë, përsëri ndjejmë se duhet të jemi të përgjegjshëm e të vetëdijshëm për mjedisin”, thotë Nika Kramžar, shefe e marketingut, Chipolo
Me ndihmën e Oceanworks, një organizatë e cila synon të shpëtojë botën nga mbeturinat plastike, plastika e nxjerrë nga sipërfaqet e cekëta të ujit përdoren për të krijuar shtresën e jashtme të produktit.
“Duke përfshirë plastikën e oqeanit në produktin e tyre, ata u dërgojnë një mesazh jo vetëm konsumatorëve, por edhe bizneseve të tjera se çdo gjë është e mundur. Mund të filloni me një gjë të vogël e të keni rezultate të mëdha”, thotë Rob Ianelli, Themelues dhe President i Oceanworks.
Kohët e fundit Chipolo i dhuroi gjithashtu 10,000 dollarë Oceanic Global, një organizate jofitimprurëse që mbështet përpjekjet për pastrimin e oqeaneve.
“Një artikull plastik kërkon mesatarisht mes 500 deri në 1000 vjet për t’u shpërbërë. Kjo është arsyeja përse është kaq e rëndësishme që kompanitë si Chipolo po gjejnë mënyra inovative për të përdorur plastikën ekzistuese”, thotë Lea d’Auriol, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Oceanic Global.
Mbeturinat plastike të dëmshme që ndodhen në oqeanet dhe detet tona po rriten me një shpejtësi alarmante. Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Mbetjeve të Ngurta produktet plastike njëpërdorimshe, si dhe plastikat e gjetura në pajisjet e peshkimit që kanë humbur apo janë hedhur përbëjnë rreth 70% të të gjitha mbeturinave detare.
Disa kompani po ndërhyjnë për t’u dhënë zgjidhje këtyre shqetësimeve. Adidas ka tashmë një linjë këpucësh me plastikë që nxirret nga oqeani. Ndërkohë, Chipolo ndihet mirë për kontributin e saj modest ndaj një problemi të madh global.
“Ne nuk po shesim vetëm një produkt i cili përbëhet nga materiale të marra nga rrjetat e ricikluara të peshkimit, ne gjithashtu po ndërgjegjësojmë lidhur me ndotjen e oqeanit. Në këtë mënyrë mbase po inkurajojmë kompani të tjera që të fillojnë të mendojnë për të e të prodhojnë produkte që përbëhen prej plastikës së ricikluar në vend të materialeve të papërpunuara”, thotë Nika Kramžar, shefe e marketingut, Chipolo./VOA
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në takim Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics.Vizita e tij në Tiranë pason atë të Presidentit Begaj në Riga vitin e kaluar, e cila ishte vizita e parë shtetërore e një Presidenti të Shqipërisë në tre vendet baltike.
Si kryetarë shtetesh aleate në NATO, Presidentët Begaj dhe Rinkēvičs trajtuan se çështjet e mprehta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes vijnë në një kohë kur provokimet ruse u intensifikuan me shkeljet e hapësirës ajrore të disa shteteve.
Gjithashtu, gjatë takimit u bisedua edhe për marrëdhëniet politike, ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, për situatën në Ballkanin Perëndimor, dhe në rajonin baltik.
Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë për sigurinë, duke theksuar kontributin e Letonisë përmes trupave në KFOR në Kosovë, si dhe të trupave shqiptare në prezencën e përparuar të NATO-s në “Camp Adazi” të Letonisë.
Të dy Presidentët ndanë qëndrim të njëjtë për sa i përket shqetësimeve të sigurisë, duke përfshirë agresionin rus, kërcënimet hibride dhe bashkëpunimin për sigurinë kibernetike, keqinformacioni dhe dizinformimi, brenda kornizave të NATO-s dhe BE-së.
Po ashtu, ata kanë rikonfirmuar qëndrimin e njëjtë për të dënuar agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dukë shprehur angazhimin e palëkundur në mbështetjen e plotë për Ukrainën për ti dhënë fund luftës.
Presidentët Begaj dhe Rinkevics, pas takimit me delegacionet përkatëse mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat./S.K/KP/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Rusia dhe aleatja e saj, Serbia paraqesin kërcënim për Kosovën, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos e shpërbëjë Beogradin.
Para nisjes së samitit të Komunitetit Politik Evropian në Konpenhagë të Danimarkës, Osmani tha për gazetarët se Rusia paraqet kërcënim për Evropën, ndërkaq Serbia për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e akuzuar Beogradin se i kopjon veprimet e Moskës.
“Serbia i trajton shtetet fqinje si shtete që nuk ekzistojnë, si shtete të përkohshme, si shtete ndaj të cilave ajo vepron me agresion. Është kopje e metodave të Rusisë. Fatkeqësisht, Rusia e përkrah Serbinë në këto veprime. Tradicionalisht dhe për shekuj të tërë, ata kanë përdorur një koncept të ngjashëm: Rusia flet për Rusinë e Madhe dhe Botën Ruse, Serbia për ‘Serbinë e Madhe’ dhe ‘Botën Serbe’ dhe përdorin të njëjtat metoda. Për ne të dyja paraqesin kërcënim”, tha Osmani.
Osmani tha se në rajonin e Ballkanit Perëndimor kurrë nuk ka vakum të ndikimit.
“Nëse nuk ka ndikim perëndimor, sipas saj, “forcat malinje të ‘Trekëndëshit të Ligësisë’ që është Rusia, Kina dhe Irani gjithmonë vijnë aty jo për bamirësi, por kanë interesa dashakeq strategjikë. Prandaj është e rëndësishme që zgjerimi të shtyhet përpara dhe Ballkani Perëndimor, ato shtete të rajonit që i plotësojnë kriteret dhe punojnë me vlerat e BE-së, duhet të merren parasysh që të lëvizin përpara”, shtoi ajo.
Osmani tha se disa ditë më parë Kosova shënoi dyvjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.
Kosova e konsideron këtë sulm terrorist dhe akuzon shtetin e Serbisë për organizimin e tij.
“BE-ja vazhdon të kërkojë llogaridhënie. Ka pasur zero llogaridhënie dhe është koha që ata t’i shndërrojnë fjalët në veprime”, theksoi Osmani.
Këtë vit, Danimarka është mikpritëse e samitit të shtatë të Komunitetit Politik Evropian. Samiti mbledh 45 udhëheqës, përfshirë edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky./S.K/EO/
Gjatë ditës së sotme pritet të mbajë mot i vranët dhe me reshje bore.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale janë 1-4°C kurse temperaturat maksimale lëvizin 5-9 gradë Celsius.
“Mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu. Temperaturat minimale: 1-4°C. Temperaturat maksimale: 5-9°C. Era e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit”, thuhet në njoftim./S.K/EO/