Sipas raportit të fundit të policisë, gjatë 29 prillit janë regjistruar disa raste të dhunës fizike dhe lëndimeve trupore në disa qytete të Kosovës, ku disa persona janë arrestuar dhe janë marrë masa nga prokuroria.
Në Prishtinë, në rrugën “Garibaldi”, janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët pas një mosmarrëveshjeje dyshohet se janë përleshur fizikisht mes vete. Si pasojë, dy prej tyre kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, njëri i dyshuar është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Në një rast tjetër në Prishtinë, në rrugën “Agim Hajrizi”, një femër kosovare është sulmuar fizikisht nga një mashkull kosovar pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, në Prizren, në rrugën “Edit Durham” , janë arrestuar dy meshkuj kosovarë të dyshuar se kanë sulmuar dhe therur me thikë një viktimë mashkull kosovar. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarit, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.