Lajmet

​Osmani paralajmëron masa ligjore ndaj atyre që po përndjekin fëmijët e saj

Published

on

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore ndaj të gjithë atyre që përndjekin fëmijët e saj, duke thënë se edhe ka pasur tentime për incizime të paautorizuara të tyre.

Në një reagim në Facebook, e para e vendit ka theksuar se incizimet e paautorizuara, shpesh deri në nivel të përndjekjes, për fëmijët krijojnë jo vetëm rrezik fizik, por edhe psikologjik, me pasoja afatgjata.

“E vetmja gjë që bënin disa nga këta të ashtuquajtur gazetarë, ishte rrezikimi i sigurisë së vajzave të mia, të cilat shkonin çdo ditë në shkollë publike, duke publikuar vendndodhjen e tyre, klasat e tyre, incizime të paautorizuara të fytyrës së tyre, pa asnjë leje paraprake, e përkundër moshës së tyre të mitur, dhe faktit se, ashtu siç e parasheh ligji dhe siç ka qenë rasti edhe me familjet e tjera të presidentëve, policia është prezentë”.

Reagimi i plotë:

REAGIM NDAJ PËRNDJEKJES SË VAZHDUESHME, TË KUNDËRLIGJSHME E TË RREZIKSHME QË MEDIA TË CAKTUARA I BËJNË VAJZAVE TË MIA TË MITURA

Për pesë vite me radhë, vajzat e mia kanë shkuar në shkollën publike “Ismail Qemali” në Prishtinë. Jam falënderuese përjetësisht ndaj mësueses së tyre të shkollës fillore, e cila, sikurse edhe për çdo nxënës tjetër, është siguruar që vajzat tona të mësojnë maksimalisht e të marrin hapat e parë e të sigurt drejt zhvillimit të tyre profesional. Falënderuese edhe ndaj pjesës tjetër të stafit të shkollës dhe udhëheqjes së shkollës për bashkëpunimin e tyre me prindërit.

Përgjatë këtyre pesë viteve, sikurse edhe nxënësit e tjerë në këtë shkollë, edhe vajzat e mia janë përballur me probleme me kanalizime, ndërprerje të ujit, rrymës e ngrohjes, bllokada totale të tualeteve, mungesë pastrimi për muaj të tërë, mungesë sigurie në shkollë (me rreth 4 mijë nxënës në shkollë, rreth 40 nxënës në një klasë), konfiskim të mjeteve të rrezikshme nga disa nxënës, e çka jo tjetër.

Por asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se Presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë. Asnjëherë nuk kanë shkruar për plot politikanë të tjerë, e në veçanti për gazetarët e shumtë që i dërgojnë fëmijët në shkolla private, brenda e jashtë vendit.

E vetmja gjë që bënin disa nga këta të ashtuquajtur gazetarë, ishte rrezikimi i sigurisë së vajzave të mia, të cilat shkonin çdo ditë në shkollë publike, duke publikuar vendndodhjen e tyre, klasat e tyre, incizime të paautorizuara të fytyrës së tyre, pa asnjë leje paraprake, e përkundër moshës së tyre të mitur, dhe faktit se, ashtu siç e parasheh ligji dhe siç ka qenë rasti edhe me familjet e tjera të presidentëve, policia është prezente. Njësoj, pra incizime të paautorizuara të fëmijëve të mitur, ata tentuan të bëjnë edhe sot.

Natyrisht që policia është prezente, sepse kjo u kërkohet me ligj dhe, sipas vlerësimit të vetë policisë, vajzat e mia hyjnë në kategorinë e rrezikshmërisë së lartë. Këto ligje nuk i kam hartuar unë dhe këtë vlerësim të rrezikshmërisë nuk e kam bërë unë. Kjo praktikë ekziston kudo në botë.

Por çka dihet qartë është se një pjesë e rëndësishme e këtij rreziku shkaktohet pikërisht nga disa prej këtyre të ashtuquajtur gazetarë. Në cilin vend demokratik ekspozimi dhe rrezikimi i jetës së fëmijëve bie brenda suazave të lirisë së shprehjes? Në asnjë.

Fëmijët e mitur, të kujtdo qofshin ata, nuk janë subjekt i interesit publik politik, por imazhet dhe incizimet e paautorizuara të tyre në rrethana private shkaktojnë rrezik për sulme, kanosje e kidnapime eventuale, duke i bërë publike rutina dhe lokacionet e tyre – përkundër vlerësimit të policisë se një gjë e tillë është në kundërshtim me rregullat e sigurisë.

Prandaj, do të ndërmarr çdo masë ligjore për të mbrojtur fëmijët e mi nga këta të ashtuquajtur gazetarë, të cilët nuk e kanë qëllimin të informojnë publikun, por të rrezikojnë jetën e fëmijëve që nuk u kanë asnjë faj. Këto incizime të paautorizuara, shpesh deri në nivel të përndjekjes, për fëmijët krijojnë jo vetëm rrezik fizik, por edhe psikologjik, me pasoja afatgjata.

Ndryshimi i lokacionit të shkollës është bërë për shkak të problemeve të shkaktuara nga niveli i rrezikshmërisë së lartë dhe për shkak të ndryshimit të lokacionit ku jetojmë, ndërkohë që shkolla “Ismail Qemali” tashmë është shumë larg nga vendbanimi ynë.

Për fund, si Presidente nuk kam asnjë kompetencë të vetme në çështje që lidhen me sistemin arsimor, përveç se të jap sugjerime – gjë që e kam bërë vazhdimisht. Ato bien ekskluzivisht në kompetencë të nivelit lokal (komunës) dhe atij qendror (qeverisë). Kjo nuk do të thotë që nuk janë bërë përpjekje e përmirësime, mirëpo sfidat janë ende tepër të mëdha e të vazhdueshme../S.K/KP/

Continue Reading

lajme

Ramadan Nishori ndan rrëfimin e tij para studentëve të UBT-së në një takim të mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar

Published

on

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me UBT, organizoi një takim të veçantë me studentë, i cili u fokusua në prezantimin e librit me rëndësi të madhe dokumentuese “Zëra të Padegjura – rrëfimet e burrave mbi tejkalimin e dhunës seksuale në luftë”.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët u njohën nga afër me rrëfimin e Ramadan Nishorit, i cili njihet si i mbijetuari i parë burrë që ka folur publikisht për përvojën e tij dhe që ka ndarë historinë personale në librin “Përtej Dhimbjes, Drejt Guximit”. Ai tregoi rrugëtimin e tij nga plagët e së kaluarës drejt forcës, shërimit dhe shpresës, duke sjellë një perspektivë të rëndësishme mbi stigmat që shpesh e shoqërojnë këtë temë.

Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e dokumentimit të përvojave të të mbijetuarve, si një mënyrë e domosdoshme për të ruajtur kujtesën historike, për të ndriçuar të vërtetën dhe për t’i dhënë zë atyre që për dekada janë mbajtur në heshtje. Studentët patën mundësinë të kuptojnë më thellë dimensionet emocionale, sociale dhe njerëzore të këtyre rrëfimeve.

Aktiviteti u mbështet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, duke dëshmuar rëndësinë ndërkombëtare të përpjekjeve për adresimin e traumave të luftës dhe mbështetjen e të mbijetuarve.

Continue Reading

Rajoni

Art, media dhe kujtesa historike: Vizita e studentëve të UBT-së në Reporting House

Published

on

Studentët e programit Art dhe Media Digjitale të UBT-së u mirëpritën në Reporting House, të shoqëruar nga profesori dhe njëkohësisht kuratori i kësaj ekspozite, Gazmend Ejupi. Ky aktivitet pati për qëllim t’u ofrojë studentëve një përvojë të thellë praktike dhe njohuri të drejtpërdrejta mbi mënyrën se si artit bashkëkohor mund t’i shërbejë gazetarisë dhe dokumentimit historik.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të eksploronin ekspozitat dhe të njiheshin me rrëfimin e historisë së Kosovës gjatë viteve 1989–1999, i paraqitur nëpërmjet instalacioneve artistike, videove dokumentare dhe formateve vizuale kreative.

Pika kryesore e diskutimit ishte roli i artit si mjet për reflektim shoqëror dhe dokumentim historik, duke u fokusuar në mënyrën se si ekspozitat dhe instalacionet bashkëkohore mund të bëjnë historinë më të prekshme dhe të kuptueshme për publikun e sotëm.

Studentët shprehën interes dhe kuriozitet të veçantë për procesin krijues pas secilit projekt dhe diskutuan për sfidat që paraqet përcjellja e historive të ndërlikuara përmes artit dhe mediave digjitale.

Vizita theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet artistëve dhe gazetarëve, dhe mënyrën se si kjo bashkëpunim mund të sjellë perspektiva të reja për edukimin dhe ndërgjegjësimin publik.

Continue Reading

Sport

​FBK emëron Bujar Locin përzgjedhës të Kosovës ndaj Shqipërisë

Published

on

Federata e Basketbollit e Kosovës njofton se Bujar Loci do të drejtojë Përfaqësuesen e Kosovës në konkurrencën e meshkujve në ndeshjen ndaj Shqipërisë në FIBA EuroBasket 2029 Pre-Qualifiers.

Bujar Loci ka qenë basketbollist i KB Pejës, ku fitoi tri herë titullin, tri herë Kupën dhe një herë Superkupën si basketbollist.

Karrierën e vazhdoi si trajner po ashtu te KB Peja, duke qenë kryetrajner e më pas edhe ndihmëstrajner. Loci me sukses ka drejtuar edhe Sigal Prishtinën e Rahovecin, kurse ka qenë trajner edhe te KBF Penza.

Për shumë vjet është ndihmëstrajner te Përfaqësuesja e Kosovës, kurse nga edicioni i kaluar është trajner në Grapeland (Rahoveci 029), duke e udhëhequr nga Liga e Parë në ProCredit Superliga, ku është trajneri i vetëm vendor në elitë.

Ndër të tjerash, Bujar Loci, ka qenë përzgjedhës i Kosovës në vitin 2005, duke udhëhequr Dardanët në turneun në Aleksandri, në lojën ndaj Egjiptit dhe Rumanisë.

Debutimi i tij do të jetë më 30 nëntor 2025, në ndeshjen e parë parakualifikuese Shqipëria vs Kosova, ora 18:00./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Real Madrid paralajmëron gjigantët evropian për Vinicius Jr

Published

on

E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi po bëhet gjithnjë e më e paqartë, sepse kontrata e brazilianit skadon në vitin 2027 dhe rinovimi i tij nuk është zgjidhur ende, duke hapur derën për interesim të madh nga klubet e tjera.

Sipas DefensaCentral, Real Madridi ka bërë të ditur se nuk do të pranojë asnjë ofertë nën 100 milionë euro për sulmuesin dhe kjo shifër tashmë u është komunikuar agjentëve që pyesin çdo ditë për situatën e lojtarit.

Vetë lojtari ka treguar publikisht se dëshiron të vazhdojë te Real Madridi, por me ardhjen e trajnerit Xabi Alonso roli i tij ka ndryshuar.

Ai nuk është më titullar i padiskutueshëm, për shkak të sistemit më të ngurtë dhe rotacioneve që po përdor trajneri. Ky ndryshim ka krijuar pasiguri te lojtari dhe ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në klub.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, është i vendosur të mos humbasë kontrollin mbi situatën: ose rinovim, ose shitje por asnjë largim me ulje çmimi.

Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë dhe nëse Vinicius ndihet i rëndësishëm në projektin e Xabi Alonsos, rinovimi mund të bëhet realitet.

Për momentin, një gjë është e sigurt se Real Madridi nuk pranon oferta nën 100 milionë euro për yllin brazilian./S.K/KP/Al Jazeera/

Continue Reading

Të kërkuara