Lajmet

Osmani: Krishtlindja na kujton se përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa

Published

on

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë, duke thënë se festa e Krishtlindjes është një mundësi reflektimi për shpresën, bujarinë dhe bashkimin – një periudhë kur na kujtohet fuqia e dashurisë dhe shpresës.

Urimi i plotë i Presidentës Osmani për Krishtlindje:

Festa e Krishtlindjes është një mundësi reflektimi për shpresën, bujarinë dhe bashkimin – një periudhë kur na kujtohet fuqia e dashurisë dhe shpresës.

Në këtë ditë ne çmojmë posaçërisht lidhjet dhe traditat që na bashkojnë.

Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përballë sfidave, duhet të triumfojë shpresa.

Uroj të gjithë besimtarët e krishterë për Krishtlindje me shumë dashuri, gëzim dhe paqe! Le të na frymëzojë kjo festë për një të ardhme me shpresë të pakufishme!

Gëzuar për shumë mot Krishtlindjen!

Lajmet

Bonnie Tyler ndërron jetë në moshën 75-vjeçare

Published

on

Këngëtarja legjendare uellsiane Bonnie Tyler, e njohur në mbarë botën për hitet ikonike “Total Eclipse of the Heart” dhe “Holding Out for a Hero”, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga familja dhe ekipi i saj përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet zyrtare sociale.

Sipas njoftimit, Tyler ndërroi jetë të mërkurën në një spital në Portugali, ku po trajtohej pas një sëmundjeje.

“Në ditët në vijim do të publikojmë një deklaratë të mëtejshme, por për momentin kërkojmë privatësi për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, thuhet në deklaratën e familjes dhe ekipit të artistes.

Bonnie Tyler ishte një nga zërat më të veçantë të muzikës rock dhe pop. Me timbrin e saj karakteristik dhe një karrierë që zgjati për më shumë se pesë dekada, ajo la gjurmë në industrinë muzikore me këngë që vazhdojnë të dëgjohen dhe të pëlqehen nga miliona fansa në mbarë botën./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nis afati për konstituimin e Kuvendit, Kurti u dërgon ftesa për takim liderëve opozitarë

Published

on

By

Një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bëri certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, këtë të enjte ka filluar të rrjedhë zyrtarisht afati kushtetues për konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.

Sipas rregullave të përcaktuara me Kushtetutë, legjislatura e re e dalë nga votat e qytetarëve duhet të konstituohet brenda një afati prej 30 ditësh, që nënkupton se afati i fundit është data 9 gusht.

Me nisjen zyrtare të këtij procesi, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka lëvizur menjëherë duke u dërguar ftesa zyrtare për takim krerëve të tri partive kryesore opozitare në vend: Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Lajmi rreth këtyre ftesave është konfirmuar ekskluzivisht për RTV Dukagjini nga zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka.

“Po, sot në mëngjes kryeministri Kurti ka dërguar letër për takim kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës”, ka thënë Manxhuka për Dukagjinin.

Ky hap shënon fillimin e konsultimeve politike, pasi menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, pritet të nisin procedurat e rregullta kushtetuese për formimin e Qeverisë së re, e pasuar më tej edhe nga procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës së Kosovës. /Dukagjini/ /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Podujeva mirëpret për të tretin vit Festivalin Ndërkombëtar “Newborn Kosova”

Published

on

Podujeva ka mirëpritur për të tretin vit me radhë Festivalin Ndërkombëtar “Newborn Kosova”, i cili edhe këtë vit e nisi rrugëtimin nga ky qytet, duke sjellë një atmosferë të veçantë kulturore.

Në Sheshin “Katër Dëshmorët”, qytetarët shijuan një mbrëmje të pasur me art, traditë dhe folklor, ku ansamble nga Bullgaria, Holanda, Kosta Rika dhe Greqia prezantuan vallet tradicionale, muzikën dhe veshjet karakteristike të vendeve të tyre.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se është kënaqësi që qyteti vazhdon të jetë nikoqir i një festivali me karakter ndërkombëtar, i cili promovon shkëmbimin kulturor, miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve.

Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj festivalit, organizatorët i ndanë një mirënjohje kryetarit Bulliqi. Nga ana e tij, ai u dorëzoi mirënjohje ansambleve pjesëmarrëse, duke i falënderuar për kontributin në promovimin e kulturave të tyre përmes muzikës dhe vallëzimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” bashkuan rreth 60 mësues nga diaspora 

Published

on

By

Dita e tretë e Akademisë Verore të Fakultetit Media dhe Komunikim u zhvillua në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, duke mbledhur online rreth 60 mësues nga diaspora. Profesorët e UBT-së trajtuan tema bashkëkohore mbi podkastet edukative, videon edukative, storytelling-un digjital dhe digjitalizimin e tregimeve popullore.

Në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, dita e tretë e Akademisë Verore të Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT u zhvillua me pjesëmarrjen online të mbi 60 mësuesve nga diaspora.

Në kuadër të programit, Prof. Dr. Safet Zejnullahu dhe Prof. Ass. Driton Hyseni prezantuan temën “Krijimi i podkasteve edukative”, duke trajtuar rëndësinë e podkasteve si një mjet inovativ në mësimdhënie dhe komunikim. Gjithashtu, Prof. Ass. Driton Hyseni realizoi një demonstrim praktik mbi procesin e krijimit të një podkasti, nga planifikimi deri te realizimi teknik.

Prof. Ass. Edona Sulejmani prezantoi ligjëratën “Video edukative dhe storytelling digjital”, ku shpalosi mënyrat se si videot edukative dhe rrëfimi digjital mund të përdoren për të krijuar përmbajtje më interaktive dhe efektive në procesin mësimor.

Në pjesën e tretë të aktiviteteve, Prof. Dr. Xhevahire Millaku prezantoi temën “Digjitalizimi i tregimeve popullore”, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore përmes teknologjisë dhe transformimit të saj në përmbajtje digjitale.

Pjesëmarrësit nga diaspora ndoqën me interes ligjëratat dhe u angazhuan në diskutime me profesorët, duke shkëmbyer përvoja dhe ide mbi përdorimin e mjeteve digjitale në edukim.

Continue Reading

Të kërkuara