Lajmet
Osmani: Koha që Kosovës t’i ofrohet një rrugë e qartë drejt NATO-s, Serbia nuk e tregon atë synim
Ajo ka thënë se në Kosovë iniciativën e kanë analizuar nga ana politike, por edhe nga profesionale.
Published
4 years agoon
By
UBT newsNisma rajonale Ballkani i Hapur nuk e respekton parimin e përfshirjes dhe nuk i trajton të gjitha vendet në mënyrë të barabartë, ka vlerësuar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Në një intervistë për agjencinë MINA, Osmani ka thënë se në Kosovë iniciativën e kanë analizuar nga ana politike, por edhe nga ajo profesionale (eksperte).
“Kjo nuk është një iniciativë që do ta trajtonte Kosovën si partner të barabartë. Përkundrazi”, ka thënë Osmani.
Ajo vlerësoi se me iniciativën Ballkani i Hapur, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përpiqet të zgjerojë qasjen e tij hegjemoniste në të gjithë rajonin dhe ta trajtojë Kosovën si një partner të pabarabartë, duke mos e njohur pavarësinë e saj.
Sipas presidentes Osmani, dallimi i madh në mes të Ballkanit të Hapur dhe nismave të tjera është se iniciativat e tjera, por edhe krijuesit e tyre, i trajtojnë të gjitha shtetet si të barabarta.
“Ne jemi për marrëveshje që do ta përshpejtojnë anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian (BE), në vend që të krijohet një pritore që i jep arsye dhe justifikim Unionit që të mos shpejtojë procesin e anëtarësimit”, tha Osmani.
Ajo tha se pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE nuk mund të ketë Evropë të lirë, të bashkuar dhe paqësore dhe sigurisht që nuk mund të ketë siguri në kontinentin evropian.
“Prandaj, ne ishim shumë të qartë për këtë. Ne i respektojmë vendet e tjera, por në të njëjtën kohë dëshirojmë që të respektohet qëndrimi ynë, sepse është një qëndrim që është shqyrtuar përmes vlerësimeve shumë serioze të të gjithë faktorëve të nevojshëm”, tha Osmani.
Ajo tha se janë të shumta iniciativat në të cilat merr pjesë Kosova, duke shtuar se arsyeja e pjesëmarrjes së tyre është se atje trajtohen si të barabartë, si dhe respektimi i parimit të gjithëpërfshirjes që nga dita e parë.
“Prandaj, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor morën pjesë në krijimin e këtyre nismave, për dallim nga Ballkani i Hapur, i cili nuk është gjithëpërfshirës dhe që nuk na trajton në mënyrë të barabartë”, tha Osmani.
E pyetur se si e sheh problemin e demarkacionit të Malit të Zi dhe Kosovës, ajo tha se definitivisht nuk bëhet fjalë për ndonjë problem.
“Për më tepër, besoj se Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur në fazën ku çdo diskutim bazohet në parimin e marrëdhënieve të shkëlqyera fqinjësore. Kur mbizotëron ky parim në çdo diskutim, nuk do të thosha kurrë se gjërat që diskutohen janë problem. Përkundrazi, do të thosha se është një bisedë”, ka shqaruar Osmani.
Sipas saj, kjo nuk është më temë për politikanët.
Osmani kujtoi se Mali i Zi e ka ratifikuar Marrëveshjen në Kuvend shumë vite më parë dhe se Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar tre dokumente, gjegjësisht vetë Marrëveshjen, deklaratat e presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi dhe i treti, që është produkt i punës së komisionit.
Siç tha ajo, të tre dokumentet janë ratifikuar për të krijuar mundësi për formimin e një komisioni të përbashkët teknik.
“Pra, është komisioni teknik dhe ekspertët ata që duhet ta marrin përsipër punën dhe tani ekspertët duhet të përcaktojnë hapat e ardhshëm, në vend që politikanët të bëjnë deklarata që mund të dëmtojnë vetëm progresin”, tha Osmani.
Duke komentuar luftën në Ukrainë, ajo tha se që nga 24 shkurti është rrezikuar e gjithë arkitektura e sigurisë në kontinentin evropian.
Sipas vlerësimit të saj, synimi i Rusisë nuk është vetëm të shkatërrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, por edhe të luftojë kundër sistemeve të bazuara në vlera dhe mënyrës së jetesës demokratike.
“Njëkohësisht, Rusia po përpiqet të minojë bashkëpunimin dhe arritjet transatlantike në këtë pjesë të rajonit. Tashmë, përballë një agresioni të tillë, duhet të jemi të bashkuar jo vetëm në fjalë dhe deklarata, por edhe në veprim të përbashkët”, tha Osmani.
Ajo tha se tani për tani të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, kanë zgjedhur të jenë në anën e Ukrainës.
“Ndërsa Serbia vazhdimisht ka demonstruar, dhe së fundmi ka konfirmuar me telefonatë mes Vuçiqit dhe presidentit rus Vladimir Putin se kanë zgjedhur të jenë me Rusinë në këtë agresion. Fatkeqësisht Rusisë i dhanë frymëmarrjen artificiale që i duhej për të vazhduar këtë luftë”, tha Osmani.
Ajo tha se Bashkimi Evropian duhet t’i dërgojë një mesazh shumë të qartë Serbisë se nëse vazhdon në atë rrugë, negociatat e anëtarësimit do të pezullohen.
Osmani theksoi se anëtarësimi në BE dhe NATO është rruga e vetme përpara për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Vendi im nuk ka parë kurrë opsione të tjera. Këtë e kemi parë jo vetëm si këndvështrim të popullit të Kosovës, por si vizion të çdo qeverie dhe institucioni që e ka udhëhequr vendin deri më tani”, tha Osmani.
Ajo kujtoi se disa vende të rajonit tashmë janë në NATO, përfshirë Malin e Zi, i cili, shtoi ajo, ka kontribuar në sigurinë më të madhe në rajon.
Sipas Osmanit, është koha që Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës t’i ofrohet një rrugë e qartë dhe e përshpejtuar drejt NATO-s.
“Natyrisht, Serbia nuk e tregon atë synim. Megjithatë, duhet të jetë e qartë për të gjithë të tjerët që po punojnë për anëtarësimin në NATO se, nga pikëpamja e sigurisë, anëtarësimi është i nevojshëm në dritën e agresionit të Rusisë në Ukrainë”, tha Osmani.
Siç theksoi ajo, Kosova ka formuar një grup punues ndërinstitucional, i cili i kalon nëpër të gjitha kriteret e aplikimit dhe procedurat, për të përcaktuar kohën më të mirë për të aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në NATO.
“Kur ai grup të përfundojë punën e tij, ne do të mund të dalim me datën e saktë”, tha Osmani.
Ajo tha se rruga drejt anëtarësimit në NATO kalon edhe përmes Partneritetit për Paqe, që është hapi i parë për në të cilin Kosovën duhet të punojnë.
“Aktualisht jemi duke u përballur me një situatë mjaft absurde, pasi Partneriteti për Paqe përfshin vende si Bjellorusia e Lukashenkos, si dhe Serbia, vende anti-NATO që as nuk po tentojnë ti bashkëngjiten aleancës”, tha Osmani.
E pyetur se çfarë reagimi pret nga Beogradi zyrtar kur Kosova të dorëzojë zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në NATO, ajo tha se ata kurrë nuk do ta kishin shpallur pavarësinë, po të kishin shikuar reagimet e Serbisë.
“Është e qartë se interesat e Kosovës, por edhe vullneti i popullit, janë faktorë parësor në vendimmarrjen për të ardhmen tonë apo anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, tha Osmani.
Ajo tha se anëtarësimi i Kosovës në ato organizata nuk paraqet vetëm veprime politike, duke shtuar se qytetarët kanë përfitimin përfundimtar.
“Pasi Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, qytetarët tanë më në fund do të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pra, në fund të fundit kjo është çështje e të drejtave të njeriut”, ka thënë ajo.
Siç ka vlerësuar ajo, të thuash “Jo” anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të thotë të thuash “Jo” për një standard më të lartë të të drejtave të njeriut në Evropë, sepse Kosova është pjesë e kontinentit.
Gjithashtu, t’i thuash “Jo” anëtarësimit në organizata si Interpoli do të thotë “Jo” për luftën kundër krimit ndërkufitar. Nëse shteti e përkrah luftën kundër krimit ndërkufitar, atëherë duhet ta përkrahë pjesëmarrjen e Kosovës në ato mekanizma”, tha Osmani.
Ajo tha se kjo vlen edhe për organizatat tjera ndërkombëtare, duke shtuar se kur Kosova të jetë e gatshme të aplikojë për anëtarësim në NATO, reagimi i Serbisë është padyshim diçka për t’u kushtuar vëmendje.
“Nuk po shkojmë askund. Sa më shpejt ta kuptojnë dhe ta pranojnë përmes njohjes reciproke, do të jetë më mirë për ta, por edhe për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, përfundoi Osmani.
Rajoni
Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës
Published
1 hour agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.
Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.
Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.
Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.
Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.
Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.
Aktualitet
Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit
Published
2 hours agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Trupi Gjykues në rastin e madh të Speciales ku po gjykohen krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, e përkrahur edhe nga mbrojtja e Selimit, se Prokuroria nuk duhet të dorëzojë apo zbulojë materiale të tjera, cilado qofshin ato, që nga momenti i mbylljes së çështjes gjyqësore – 18 shkurt 2026.
Sipas Trupit Gjykues, Prokuroria me materialet që ia ka komunikuar gjyqtarëve në sistemin e brendshëm të punës më 4 dhe 10 mars 2026, respektivisht më 4 mars ka dorëzuar katër materiale dhe gjashtë ditë më vonë edhe një material tjetër, nuk janë prova të reja në proces, raporton Klan Kosova.
“Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli. Zbulimi i provave nuk i është komunikuar gjykatës për qëllime të pranueshmërisë por si njoftim për palën e kundërt, pjesëmarrësit dhe Panelin”, thuhet në vendimin e Charles Smith.
“Paneli gjithashtu nuk sheh ndonjë meritë në argumentin e Mbrojtjes se, me mbylljen e rastit, interesi legjitim i Panelit në mbikëqyrjen e detyrimeve të zbulimit, siç përcaktohet në vendimin e kornizës ligjore, nuk vlen më”.
Mbrojtja e Hashim Thaçit i konsideroi materialet e dorëzuara javë pas mbylljes së rastit, të padrejta dhe të papranueshme. Sipas kryembrojtësit të Thaçit, Luka Misetiq, paraqitja e njëanshme e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në këtë fazë, përfshirë materiale që ZPS i sheh si inkriminuese në procese tjera, mohojnë të drejtën e Thaçit për një proces kundërshtues. /Ekonomia Online/
Vendi
Zhvilloni të ardhmen e turizmit modern përmes vizionit akademik të UBT-së
Published
2 hours agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Misioni i Fakultetit të Turizmit në UBT është përqendruar në aplikimin e përsosmërisë në mësimdhënie dhe kërkime shkencore, duke krijuar një mjedis gjithëpërfshirës ku studenti është në qendër të vëmendjes për t’u përgatitur si udhëheqës i ardhshëm në biznes, shërbime publike dhe industri.
Ky program studimi ofron njohuritë më të avancuara në të gjitha dimensionet e turizmit, duke ndërthurur ekspertizën ndërkombëtare me nevojat e tregut lokal për të rritur bashkëpunimin midis studentëve, stafit akademik dhe komunitetit.
UBT, gjithashtu ka marrëveshje bashkëpunimi për Diplomë të Dyfishtë (Double Degree) me IMC Krems – University of Applied Sciences në Austri, një nga modelet më të suksesshme evropiane në arsimin për turizëm.
Përmes një natyre të fokusuar aplikative, programi synon formimin e specialistëve të mirëfilltë të cilët pajisen me aftësi të thelluara zbatuese për të garantuar një karrierë të suksesshme profesionale në një mjedis ekonomik gjithnjë e më kompleks.
Gjatë rrugëtimit akademik, studentët zhvillojnë kuptim kritik mbi teoritë ekonomike, mësojnë të përdorin teknologjinë e informacionit në dizajnimin e organizatave turistike dhe fitojnë aftësi inovative për zgjidhjen e problemeve të paparashikuara në këtë fushë.
Një nga pikat më të forta të këtij programi është lidhja e ngushtë me sektorin e industrisë, përfshirë hotelierinë, gastronominë dhe agjencitë turistike, çka siguron që kurrikula t’u përgjigjet plotësisht nevojave reale të tregut të punës.
Studentët përgatiten të menaxhojnë projekte komplekse, të kuptojnë pozicionin financiar të bizneseve turistike dhe të zbatojnë procedurat e menaxhimit të rreziqeve në operacionet e përditshme.
Për të mbështetur zhvillimin e gjeneratave të reja, UBT ofron mundësi të shkëlqyera financiare, duke përfshirë një bursë prej 20% për tre vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen në këtë fakultet.
Kjo mbështetje, e kombinuar me transferimin e njohurive dhe nxitjen e krijimtarisë, bën që të diplomuarit në Turizëm të jenë të gatshëm të marrin role udhëheqëse dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin arsimor, kulturor dhe ekonomik të vendit dhe rajonit.
Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.
Lajmet
Kuvendi ratifikon shtatë marrëveshje ndërkombëtare
Published
3 hours agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës pas një pauze rreth njëmujore, deputetët ratifikuan shtatë marrëveshje ndërkombëtare nga 12 sa ishin paraparë në rendin e ditës.
Në sallë ishin të pranishëm 81 deputetë, të cilët votuan pro shtatë marrëveshjeve të para. Mirëpo, seanca u përcoll me debate dhe largime, pasi deputetët e PDK-së lëshuan sallën në fillim të punimeve, meqë u refuzua kërkesa e tyre që draft-rezoluta për mbrojtjen e të vërtetës historike të vendosej si pikë e parë e rendit të ditës.
Nga ana tjetër, edhe pse ishin në sallë, deputetët e Listës Serbe nuk votuan as për prezencë e as për marrëveshjet në fjalë.
Ndërkaq, katër marrëveshjet e mbetura nuk u votuan nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me arsyetimin se ato kishin nevojë për shqyrtim paraprak.
Ndër vendimet më të rëndësishme që kaluan këtë të enjte ishte edhe marrëveshja e kredisë prej 33 milionë eurosh ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, e dedikuar për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Marrëveshjet e ratifikuara:
- Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.
- Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018.
- Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017.
- Marrëveshja e kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.
- Marrëveshja e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike.
- Marrëveshja e kredisë “Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.
- Marrëveshja e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.
Vlera e katër prej këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë edhe atë me Bankën Evropiane për Investime, shkon në 121 milionë euro.
Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës
Nora Gjakova nis karrierën si trajnere në Belgjikë
Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit
Dorëhiqet Gabriele Gravina, Italia mbetet jashtë Botërorit për herë të tretë radhazi
Zhvilloni të ardhmen e turizmit modern përmes vizionit akademik të UBT-së
Kuvendi ratifikon shtatë marrëveshje ndërkombëtare
Promovohet libri “Rrugëtimi drejt lirisë 1941-1991”, dëshmi e rëndësishme historike për Kosovën
Zendaya dhe Tom Holland shmangin zërat për martesë, theksojnë privatësinë e lidhjes
Petrit Halilaj prezantohet në Berlin me “Një Operë Jashtë Kohës”
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Vendi2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
