Lajmet

Osmani: Kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë kohërat që Serbia pyetet

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e quajti propagandë pretendimin e Serbisë se nënshkrimi i marrëveshjes për mbrojtje midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, është veprim kërcënues për ata.

E para e vendit foli rreth kësaj teme pas një ngjarje të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), së bashku me iniciativën WE për Gratë Sipërmarrëse në Kosovë.

“Marrëveshja trilaterale midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë synon pikërisht këtë që t’i ndihmojmë njëra tjetrës për t’i ngritur kapacitetet e mbrojtjes. Pra, për ta mbrojtur vetën dhe asnjëherë për ta sulmuar dikë dhe në të një kohë bashkëpunimin ndërmjet shteteve aleate që e kanë dëshmuar që janë besnike ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe parimit të fqinjësisë së mirë, në të drejtën ndërkombëtare, por po ashtu në praktikën e NATO-s. Ka shumë shtete që janë anëtare të NATO-s, por nënshkruajnë marrëveshje bilaterale ose traktate me shtetet e tjera. Është një praktikë që ndodhë tërë kohën brenda shteteve të NATO-s që besojë në vlerat e njëjta. Serbia si shtet që nuk beson në ato vlera, por që i sulmon vazhdimisht, del me propagandë se kinse qenka shkelur një marrëveshje e vitit 1996. Por, kushdo që e lexon atë marrëveshje, e vëren një gjë, që Serbia po e bënë të njëjtën që e ka bërë gjithmonë, pra po gënjen, sepse nuk ka asnjë të vërtetë në atë që e kanë thënë dhe s’ka asnjë rrezik për ta. Ekziston veç një burim destabiliteti në rajon, e ajo është Serbia”, tha Osmani.

Ndër të tjera, Osmani tha se historikisht shtetet agresore siç është Serbia dhe Rusia, vazhdimisht tentojnë të paraqiten si viktima.

“Është interesante që historikisht shtetet agresore siç janë Serbia dhe Rusia vazhdimisht tentojnë të paraqiten si viktima. Nëse i shini deklarimet e tyre qesharake përkundër faktit që kanë një histori sulmesh, pushtimesh, histori gjenocidi, luftërash që i kanë shkaktuar vetë, shtete agresore si Serbia e Rusia paraqiten se kinse dikush po i sulmon ata. Në historinë e ekzistimit tonë, ne nuk e kemi sulmuar kurrë askënd. Në historinë e kombit tonë, shqiptarët dhe Kosova në veçanti gjithmonë e kanë mbrojtur vetën”, tha Osmani.

Të martën e 18 marsit, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, u nënshkrua deklarata e përbashkët trepalëshe midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.

Kjo marrëveshje synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta.

Vendi

Kuvendi ratifikon me 81 vota marrëveshjen me Suedinë për transferimin e të dënuarve

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar.
Gjatë prezantimit të projektligjit para deputetëve, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi se marrëveshje të tilla përbëjnë një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin evropian dhe forcimin e kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit.
Ajo sqaroi se, meqë marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, ratifikimi i saj nga Kuvendi është i domosdoshëm në bazë të nenit 18 të Kushtetutës.
Përkrahje për këtë marrëveshje ndërkombëtare kanë dhënë edhe grupet parlamentare opozitare, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, duke mundësuar kalimin e saj me konsensus të plotë në seancën plenare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shtyhet sërish seanca ndaj Xhevat Krasniqit, mungojnë prokurori dhe e dëmtuara

Published

on

By

Ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin e ish-profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj studenteve të Fakultetit të Mjekësisë. Seanca e radhës është caktuar për datën 24 dhjetor, në orën 09:30.

Gjykatësi i rastit, Bujar Ahmeti, ka bërë të ditur se shkak për shtyrjen ka qenë mungesa e prokurorit të Shtetit, e cila nuk ishte e arsyetuar, si dhe mungesa e njërës prej të dëmtuarave, Donika Veseli. Sipas tij, në mungesë të palëve kryesore, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e seancës.

Kjo shënon vonesën e radhës në këtë proces gjyqësor, pasi më parë janë shtyrë edhe nëntë seanca të tjera të planifikuara gjatë muajve shtator dhe tetor, për shkak të kërkesave të ndryshme të palëve në procedurë.

Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual. Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, ngacmimet e pretenduara kanë ndodhur përgjatë periudhës janar 2022 – dhjetor 2023, brenda hapësirave të Fakultetit të Mjekësisë.

Prokuroria pretendon se profesori Krasniqi është përfshirë në sjellje joverbale joetike të natyrës së ngacmimit seksual, me qëllim cenimin e dinjitetit të studenteve, duke shfrytëzuar pozitën e tij si profesor universitar. Në aktakuzë janë listuar katër të dëmtuara.

Krasniqi aktualisht ndodhet nën masën e pezullimit nga puna në Universitetin e Prishtinës, me vendim të rektorit Arben Hajrullahu, deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria. /Ekonomia Online/

Continue Reading

lajme

Rrahje mes katër personave në Vushtrri: Arrestohen dy të dyshuar, dy të tjerë në arrati

Published

on

By

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Vushtrri nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Sulm” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së luajtshme”, pas një rrahjeje mes katër personave të ndodhur në rrugën “Ismajl Qemali”.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, njësitë policore kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes ku kanë arritur të ndalojnë dy prej të dyshuarve, ndërsa dy të tjerët janë larguar në drejtim të panjohur.

Pas ofrimit të tretmanit mjekësor dhe intervistimit në stacionin policor, me vendim të prokurorit kompetent, dy të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Ndërkohë, policia bën të ditur se ka identifikuar edhe dy personat e arratisur dhe të njëjtit ndodhen në kërkim policor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Probleme globale me Microsoft: Pa qasje në Outlook edhe në Kosovë

Published

on

By

Si pasojë e problemeve të mëdha teknike që kanë prekur shërbimet e Microsoft në nivel global, edhe në Kosovë nuk ka qasje në platformën e postës elektronike Outlook.

Ndërprerja ka pamundësuar hapjen e emaileve dhe ka shkaktuar vështirësi në komunikimet zyrtare dhe punën e përditshme, njëjtë sikurse në shumë vende të tjera të botës.

Ekipet teknike të kompanisë janë duke punuar për identifikimin dhe rregullimin e defektit, ndërsa ende nuk ka një afat të saktë se kur do të rikthehet funksionaliteti i plotë i shërbimeve. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara