Lajmet

Osmani: Do të bëj çmos për të evituar zgjedhjet, edhe pak ditë sqarohen të gjitha

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka propozuar që ta takojë edhe njëherë para se të përfundojë afati 10-ditor.

Osmani ka theksuar se, pavarësisht kërkesave të disa partive politike për zgjedhje të reja, detyrimi i saj si Presidente është që të bëjë çdo përpjekje për t’i shmangur ato.

Kryetari i VV-së, njëkohësisht kryeministër në detyrë, ka kërkuar që të më takojë edhe njëherë para se të skadojë afati 10-ditor, dhe pas konsultimeve që ka brenda partisë politike — a do të vijë apo jo, është çështje e tyre, por ne kemi detyrim kushtetues që të respektojmë ato afate. Pastaj, nëse ka propozim për mandatar të ri, atëherë hyjnë në shprehje dispozita të reja kushtetuese dhe afate të reja, por megjithatë, nëse nuk ka qeveri, dihen ato që janë 30-40 ditë për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Osmani.

Presidentja gjithashtu ka shprehur keqardhje që, sipas saj, vonesat në konsolidimin e institucioneve kanë kushtuar shumë vendit.

Është fat i keq për Kosovën dhe qytetarët që partitë politike nuk kanë arritur të konsolidojnë e konstituojnë të gjitha institucionet, përfshirë edhe Qeverinë, dhe ka kaluar kohë e gjatë e humbur, dhe bashkë me kohën kemi humbur edhe shumë mundësi për vendin tonë. Si Presidente do të angazhohem që të respektohet Kushtetuta në përpikëri. Por një gjë që është shumë me rëndësi ta dini është që aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese thonë se Presidentja duhet të bëjë çmos që t’i evitojë zgjedhjet. Partitë politike kanë qëndrimet e tyre: dikush dëshiron sot, nesër, pasnesër, por detyrimi i Presidentes është tjetër. Detyrimi i Presidentes është që të bëjë çmos që të evitohen zgjedhjet, dhe atë detyrim unë duhet ta kryej në përputhje të plotë me Kushtetutën. Prandaj do t’ju lutem për durim edhe për pak ditë, derisa të sqarohen të gjitha rrethanat rreth caktimit të mandatarit të dytë”, tha ajo.

Osmani ka bërë të ditur se ende nuk dihet nëse Vetëvendosje do të dalë me propozim për mandatar të ri, duke theksuar se kjo pritet të sqarohet në fillim të javës së ardhshme.

“Tani aty nuk u sqarua që do të vijnë me propozim, por u përmend si mundësi, e cila përfundimisht do të sqarohet në fillim të javës së ardhshme. Me Kushtetutë lejohet, pra nuk ka kufizim për mandatarin e dytë; për mandatarin e parë është ai që ka shumicën. Nuk janë të përcaktuara me Kushtetutë kriteret. Në rastin konkret, obligimi i Gjykatës është që Presidentja duhet të bëjë çmos për të evituar zgjedhjet, dhe unë duhet ta dëshmoj që kam bërë çmos për t’i evituar zgjedhjet. Mirëpo, nuk mund të paragjykojë se me çfarë propozimi do të vijë VV-ja, sepse sot u kërkua kohë për takim, pasi është brenda afatit të caktuar deri më 5 nëntor. Ne jemi në konsultime e sipër me ekipin tim rreth asaj se cilat do të jenë kriteret — të zëmë që nuk mund të mandatohet dikush që është i involvuar në korrupsion — që do t’i marrim parasysh si kritere mbizotëruese. Në fillim të javës do të kuptojmë nëse do të ketë propozim apo jo”, theksoi Osmani.

Në vijim, Presidentja ka folur edhe për çështjen e buxhetit dhe Planit të Rritjes, një instrument i Bashkimit Evropian që parashikon mbi 800 milionë euro për Kosovën.

Çështja e dytë që kam ngritur është nëse mund të gjejmë rrugë përpara për procedimin e buxhetit dhe Planit të Rritjes, një instrument i BE-së ku Kosovës i jepen mbi 800 milionë euro. Sa më shumë vonesa, aq më shumë humbim mundësinë në këtë qasje. Nuk kishte gatishmëri nga një numër i madh për procedimin e buxhetit që u miratua sot. Megjithatë, unë propozova që të shohim mundësi të tjera kushtetuese, një prej tyre është të miratohet zgjatja e buxhetit të vjetshëm, së paku deri më 31 mars 2026, që qytetarët të mos përballen me mungesë pagash dhe mirëqenieje. Kjo do të ishte gjendje e rëndë, sepse mbijetesa e tyre varet nga paga që marrin në fund të muajit.

Osmani ka shtuar se, nëse mungon vullneti nga qeveria, ajo vetë është e gatshme ta ndërmarrë nismën për zgjatjen e buxhetit dhe procedimin e Planit të Rritjes, duke theksuar se një veprim i tillë njihet si e drejtë kushtetuese e Presidentes./EO

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria Themelore në Prishtinë jep detaje për përleshjen e armatosur në Podujevë

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me përleshjen e armatosur që ka ndodhur sot rreth orës 13:40 në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë.

Sipas njoftimit zyrtar, në ngjarje janë përfshirë tre persona, ndërsa si pasojë e të shtënave me armë zjarri janë plagosur tre prej tyre dhe një kalimtar i rastit.

Dyshohet se personat e përfshirë kanë lidhje familjare (nip dhe dajë), ndërsa motivi paraprak lidhet me një mosmarrëveshje mes tyre.

Menjëherë pas pranimit të informatës, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës, ku janë ndërmarrë veprimet e para hetimore për zbardhjen e rrethanave.

Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, ndërsa të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se hetimet për rastin po vazhdojnë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Të shtëna me armë zjarri në Podujevë, katër persona të plagosur

Published

on

By

Lajm i përditësuar:

Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur sot rreth orës 13:30 në Podujevë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enisa Pllana për UBTnews, duke bërë të ditur se njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes pas pranimit të informatës.

Sipas informacioneve të para, fillimisht u raportua për tre të lënduar, ndërsa së fundmi në Qendrën Universitare Klinike të Kosovës (QKUK) është dërguar për trajtim mjekësor edhe personi i katërt. Të gjithë të plagosurit po marrin ndihmën e nevojshme shëndetësore.

Aktualisht, njësitet e policisë po vazhdojnë med ndërmarrjen e veprimeve intensive operativo-hetimore në terren, me qëllim të identifikimit të personave të përfshirë dhe sqarimit të plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Nga burrat me maska te varësia nga morfina – ‘Little House on the Prairie’ ishte shumë më i errët sesa kujtohet.”

Published

on

Netflix pritet të sjellë javën e ardhshme një adaptim të ri të “Little House on the Prairie”, bazuar në serinë e njohur të librave për fëmijë të autores Laura Ingalls Wilder.

Seriali origjinal, i transmetuar nga viti 1974 deri në 1984, u bë një fenomen televiziv ndërkombëtar, duke ndjekur jetën e familjes Ingalls në qytetin Walnut Grove të Minesotës gjatë shekullit XIX. Ai tërhoqi deri në 20 milionë shikues për episod në Shtetet e Bashkuara dhe u transmetua në më shumë se 100 vende të botës.

Edhe pse shumë njerëz e kujtojnë si një serial të ngrohtë familjar, kritikët theksojnë se versioni i viteve ’70 trajtoi tema shumë më të rënda sesa përshtypja që ka lënë te publiku.

Përveç historive për jetën e përditshme në komunitet, seriali përfshinte edhe tema si abuzimi i fëmijëve, vrasjet, varësia nga droga, vetëvrasja, problemet e shëndetit mendor, kanceri dhe vështirësitë e shtatzënisë.

Sipas studiuesve të televizionit, këto histori pasqyronin realitetin e ashpër të jetës në kufirin amerikan gjatë shekullit XIX, ku sëmundjet, humbja e fëmijëve dhe komplikimet gjatë lindjes ishin të zakonshme.

Versioni i ri i Netflix-it pritet t’i qëndrojë më besnik toneve familjare dhe frymës së librave origjinalë të Laura Ingalls Wilder, duke ofruar një qasje më të afërt me materialin burimor.

Mbetet të shihet nëse adaptimi i ri do të arrijë suksesin dhe ndikimin kulturor që pati seriali origjinal, i cili edhe sot vazhdon të mbetet ndër produksionet televizive më të dashura për disa breza shikuesish./BBC/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zbulimi pranë Jerusalemit hedh dritë mbi jetën e njerëzve para 3 mijë vjetësh

Published

on

Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik pranë Jerusalemit ka ofruar njohuri të reja mbi jetën e njerëzve që jetuan rreth 3.000 vjet më parë, gjatë periudhës së Tempullit të Parë.

Sipas “The Times”, edhe pse varri i lashtë ishte dëmtuar nga punimet ndërtimore dhe grabitjet, studiuesit arritën të nxirrnin informacione të vlefshme falë analizës së ADN-së së ruajtur në mbetjet njerëzore.

Vendi i varrimit u zbulua pranë Abu Ghosh, afër vendbanimit antik të Kiryat Yearim, ku arkeologët gjetën rreth 150 enë qeramike dhe mbetje skeletore të disa individëve, përfshirë edhe fëmijë.

Sipas ekspertëve, varri ishte përdorur për disa breza gjatë epokës së vonë të hekurit, në kohën e Mbretërisë së Judës.

Ruajtja e ADN-së në rajonin e Levantit është jashtëzakonisht e rrallë për shkak të temperaturave të larta dhe lagështisë, por studiuesit arritën të nxirrnin mostra nga kocka petrose e kafkës, një nga pjesët më rezistente të trupit të njeriut.

Analiza u realizua nga një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh, ku bënin pjesë gjenetisti David Reich dhe arkeologu Israel Finkelstein.

ADN-ja u rikuperua pjesërisht nga dy individë, duke zbuluar të dhëna për linjat e tyre amtare dhe atërore, por jo një pamje të plotë të prejardhjes së tyre.

Shkencëtarët theksuan se nuk ka prova të drejtpërdrejta që personat e varrosur ishin izraelitë, pasi në varr nuk u gjetën mbishkrime apo shenja që do të përcaktonin identitetin e tyre etnik. Përfundimet mbështeten kryesisht në stilin e qeramikës, mënyrën e varrimit dhe afërsinë me qendrat e njohura të Mbretërisë së Judës.

Njëri prej individëve mbante kromozomin Y të haplogrupit J2, një linjë gjenetike e përhapur në Azinë Perëndimore dhe rajonin e Kaukazit, ndërsa të dy individët kishin linja të ndryshme mitokondriale, duke treguar prejardhje të ndryshme nga ana e nënës.

Sipas studiuesve, gjetjet nuk japin një përgjigje përfundimtare mbi identitetin etnik të banorëve të asaj kohe, por tregojnë se rajoni ishte një pikë takimi e popullsive të ndryshme./atsh/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara