Lajmet

​Osmani dhe Sorensen diskutojnë për pritshmëritë nga dialogu në Bruksel

Published

on

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sorensen, me të cilin ka diskutuar për diskutuam mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.

Osmani ka shkruar në Facebook se ky ishte takimin i saj i parë me Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sorensen, diskutuam mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.

“Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, ka shkruar ajo.

Lajmet

Kosova mposhtet thellë në Dublin nga Irlanda, e mbyll grupin në vendin e tretë dhe mbetet në Ligën B

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka mbyllur edicionin e pestë të Ligës së Kombeve me një humbje të rëndë 3:0 në udhëtim ndaj Irlandës, në takimin e zhvilluar të martën mbrëma në Dublin.

Pikë kthese e ndeshjes rezultoi të jetë minuta e 26-të, kur mbrojtësi Kreshnik Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq pasi ndali topin me dorë në vijën e portës. Nga pika e bardhë, Troy Parrott shënoi për 1:0 në minutën e 28-të. Ndonëse Kosova e nisi më mirë takimin përmes rasteve të Lindon Emërllahut dhe Vedat Muriqit, ky 11-metërsh dhe largimi i Hajrizit ndryshuan plotësisht rrjedhën e lojës.

Në pjesën e dytë, irlandezët thelluan epërsinë përmes një tjetër penalltie të realizuar përsëri nga Parrott në minutën e 50-të (pas një ndërhyrjeje të portierit Aro Muriq), ndërsa rezultatin përfundimtar 3:0 e vulosi Jack Moylan në minutën e 75-të me një goditje të saktë me kokë.

Me këtë humbje, Kosova e mbyll Grupin B3 në vendin e tretë me gjashtë pikë, duke siguruar megjithatë mbetjen në Ligën B për edicionin e ardhshëm. Austria e fitoi grupin me 12 pikë pas barazimit 1:1 me Izraelin, ndërsa Irlanda u rendit e dyta me tetë pikë, duke siguruar plejofin për Ligën A dhe një vend në vazon e dytë për shortin e kualifikimeve të “Euro 2028”. Izraeli përfundoi i fundit me katër pikë.

Për shkak të këtij renditjeje, Kosova do të pozicionohet në vazon e tretë për shortin e kualifikimeve të Kampionatit Evropian, i cili do të tërhiqet më 6 dhjetor. Përkundër mungesave dhe disfatës së thellë në ndeshjen e fundit ku u aplikua sistemi 5-3-2, “Dardanët” arritën objektivin kryesor të ruajtjes së statusit në Ligën B. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit për mungesë kuorumi, shtyhet shqyrtimi i Projektligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka dështuar të mbahet të martën për shkak të mungesës së kuorumit.

Këtë e bëri të ditur nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, i cili para gazetarëve foli edhe për Projektligjin për Gjykatën Speciale. Ai tha se vazhdimi i seancës së ndërprerë, ku ishte paraparë shqyrtimi i këtij projektligji, kërkon koordinim dhe dakordim mes partive politike.

“Është çështje komplet jashtë rendit të ditës së Kryesisë. Arsyeja që është ndërprerë seanca ka të bëjë me mungesë të kuorumit dhe realisht kryetarja Haxhiu ka autorizuar që, në koordinim me shefat e grupeve parlamentare, të caktohet një datë kur do të vazhdojë ajo seancë. Mbetet çështje e dakordimit politik, të menaxhuar dhe drejtuar nga kryetarja e Kuvendit”, theksoi Gola.

Ai u pyet edhe për dënimin e ish-presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gola shprehu keqardhje për procesin gjyqësor që po zhvillohet në këtë institucion, ndërsa bëri të ditur se vendimi i fundit do të trajtohet edhe në kuadër të grupit punues për strategjinë lidhur me ish-krerët e UÇK-së, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.

“Shprehim keqardhjen tonë për gjithë procesin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara. Ne e kemi themeluar një grup punues, në krye të të cilit është zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, dhe shpresojmë që edhe ky vendim të jetë si pjesë shtesë e këtij grupi punues”, tha ai./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjykata e Lartë në Beograd cakton paraburgimin dhe lëshon urdhërarrest për Milan Radoiçiqin

Published

on

By

Gjykata e Lartë në Beograd ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit dhe lëshimin e urdhërarrestit ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, pasi ky i fundit nuk është paraqitur në stacionin policor, konfirmim ky i dhënë për median serbe Insajder nga vetë Gjykata e Lartë në Beograd.

Sipas Gjykatës, vendimi për paraburgim dhe fletarrest është marrë për shkak se Radoiçiq i cili ndodhet nën hetime për pjesëmarrje në sulmin e armatosur në fshatin Banjskë nuk është lajmëruar në stacionin policor më 15 nëntor. Paraqitja periodike në polici ishte një nga masat e sigurisë të caktuara nga gjykata si garanci se ai do të ishte i disponueshëm gjatë kohëzgjatjes së hetimeve. Sipas po të njëjtave burime gjyqësore, paraburgimi u caktua për shkak të rrethanave që tregojnë se i pandehuri po fshihet ose është arratisur. Informacionin fillimor se për Radoiçiq është lëshuar urdhërarrest e kishte publikuar portali BIRN.

Milan Radoiçiq po hetohet në Serbi në kuadër të lëndës “Banjska”, e cila u iniciua pas konfliktit të armatosur në fshatin Banjskë të Kosovës më 24 shtator 2023, ku mbetën të vrarë katër persona, rreshteri i Policisë së Kosovës,  Afrim Bunjaku i cili ishte në detyrë dhe tre anëtarë të grupit të armatosur.

Radoiçiq kishte pranuar përmes avokatit të tij, Goran Petronijević, se kishte qenë përgjegjës logjistike për organizimin e grupit terrorist.

Ndonëse Prokuroria e Lartë në Beograd kishte kërkuar paraburgim pas nisjes së procedurës penale për vepra të tilla si armëmbajtje pa leje dhe vepra kundër sigurisë përgjithëshme, gjykata e kishte lënë të mbrohet në liri, me kusht që të dorëzonte pasaportën, të mos udhëtonte në Kosovë dhe të paraqitej në polici çdo dy javë. Që atëherë, prokuroria nuk kishte dhënë asnjë informacion për ndonjë përparim tjetër në këtë hetim.

Paralelisht me këto zhvillime në Serbi, në Kosovë është duke u zhvilluar një proces gjyqësor kundër 45 personave, ku rasti në Banjskë është cilësuar si terrorizëm dhe sulm ndaj rendit kushtetues, proces në të cilin dy persona tashmë janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe një tjetër me 30 vjet burgim.

Në kohën kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq ushtronte funksionin e nënkryetarit të Listës Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës me lidhje të ngushta me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, ndërsa më parë ishte shfaqur shpesh në tubime politike dhe në shoqërinë e zyrtarëve më të lartë shtetërorë të Serbisë. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Marko Hatlak kërkon falje për interpretimin e këngës “Oj Kosovo, Kosovo” në Bruksel

Published

on

Muzikanti dhe fizarmonicisti slloven, Marko Hatlak, ka kërkuar falje për përzgjedhjen dhe interpretimin e këngës “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë ceremonisë hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian 2026 në Bruksel.

Kënga, e cila përmban pretendime nacionaliste serbe ndaj Kosovës, kishte nxitur reagime të shumta pas interpretimit të saj në këtë aktivitet.

Hatlak, i cili ishte përgjegjës për përgatitjen e programit muzikor në emër të Komisionit Evropian, ka thënë se përzgjedhja ishte e paqëllimshme dhe se nuk ishte në dijeni të kontekstit historik e politik të këngës.

Në një reagim publik, ai ka shpjeguar se ishte ngarkuar të përzgjidhte dhjetë këngë, nga një për secilin vend pjesëmarrës në forum, dhe t’ia dorëzonte ato organizatorëve për miratim.

Sipas tij, gjatë kërkimit në Google për një këngë tradicionale nga Kosova, kishte hasur në “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila ishte përshkruar si këngë patriotike.

“Unë e përzgjodha atë nga këndvështrimi i një muzikanti, pra duke u bazuar në harmoninë, ritmin dhe tingullin e saj”, ka shpjeguar Hatlak.

Ai ka thënë se kishte vetëm një javë kohë për përgatitjen dhe interpretimin e programit dhe se, për shkak të afatit të shkurtër, nuk kishte arritur të hulumtonte prejardhjen dhe domethënien e këngës. Sipas tij, as organizatorët nuk e kishin vënë në pah natyrën problematike të përzgjedhjes gjatë shqyrtimit të programit.

“U kërkoj sinqerisht falje të gjithë atyre që janë prekur nga kjo ngjarje”, ka deklaruar muzikanti.

Hatlak ka bërë të ditur se kërkimfaljen ua ka dërguar drejtpërdrejt edhe ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku, ambasadorit të Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, kryenegociatorit për Integrimin Evropian, Jeton Zulfaj, si dhe komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Ai ka theksuar se nuk kishte pasur qëllim të ofendonte askënd dhe se nuk do ta kishte interpretuar këngën po ta kishte ditur kontekstin e saj.

“Po ta kisha ditur kontekstin dhe domethënien e saj, sigurisht që nuk do ta kisha interpretuar. Gjatë gjithë karrierës sime, jam përpjekur që përmes muzikës t’u sjell njerëzve vetëm gëzim dhe paqe të brendshme. Nuk ka qenë kurrë qëllimi im të fyej askënd”, ka shkruar ai.

Në fund, Hatlak ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar, duke shpresuar që kërkimfalja e tij të pranohet./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara