Lajmet

Organizatat evropiane: Liria e medias në Kosovë është përkeqësuar

Published

on

Liria e medias në Kosovë ka hyrë në një periudhë të qartë përkeqësimi, si pasojë e ndërhyrjeve politike, sulmeve verbale ndaj gazetarëve dhe dobësimit të pavarësisë së institucioneve mediale, thuhet në raportin e publikuar më 20 korrik nga organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve.

Raporti u hartua pas një misioni ndërkombëtar faktmbledhës, i zhvilluar në Prishtinë më 24-26 mars të këtij viti nga përfaqësues të tetë organizatave ndërkombëtare për lirinë e medias, përfshirë: Reporterët pa Kufij (RSF), Institutin Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave (ECPMF) dhe Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU), me mbështetjen e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Delegacioni zhvilloi takime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, gazetarë, redaktorë, përfaqësues të RTK-së, Komisionit të Pavarur të Mediave, sistemit të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe diplomatë ndërkombëtarë.

Në përfundim të misionit, organizatat vlerësojnë se, ndonëse Kosova vazhdon të ketë një peizazh mediatik pluralist, nivel relativisht të ulët të sulmeve fizike ndaj gazetarëve dhe një kornizë ligjore kryesisht të harmonizuar me standardet evropiane, këto zhvillime janë zbehur nga një klimë gjithnjë e më problematike për lirinë e medias.

Raporti identifikon disa arsye kryesore për këtë vlerësim: ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili më vonë u shpall antikushtetues, problemet me financimin dhe pavarësinë e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si dhe shtimin e sulmeve verbale dhe diskreditimit të gazetarëve nga politikanët, veçanërisht nga përfaqësues të partisë në pushtet.

Sipas raportit, këto zhvillime kanë ndikuar edhe në renditjen ndërkombëtare të Kosovës.

Në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave të Reporterëve pa Kufij për vitin 2026, Kosova renditet e 84-ta nga 180 vende, duke rënë për 28 pozita, krahasuar me vitin 2023.

Organizatat paralajmërojnë se kjo ka dëmtuar reputacionin e Kosovës si një nga vendet më të avancuara në rajon për lirinë e medias dhe i bëjnë thirrje Qeverisë së ardhshme që ta rikthejë besimin në institucionet demokratike dhe në procesin e reformave.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Zyra e Kryeministrit lidhur me këto gjetje dhe është në pritje të përgjgjes.

Përndryshe, një pjesë e konsiderueshme e raportit i kushtohet edhe sigurisë së gazetarëve.

Sipas autorëve, megjithëse sulmet fizike kanë rënë krahasuar me vitin 2023, gazetarët përballen gjithnjë e më shumë me kërcënime verbale, fushata diskreditimi dhe ngacmime në internet, që shpesh burojnë nga figura të larta politike.

Vetëm gjatë vitit 2025, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 69 raste që përfshinin gazetarë dhe media, përfshirë raste denigrimi publik, diskreditimi dhe sulmesh online.

Raporti vëren se një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve lidhen me deklarata ose veprime të zyrtarëve publikë dhe politikanëve.

Delegacioni shpreh shqetësim edhe për retorikën e përdorur ndaj gazetarëve, duke përmendur raste kur kryeministri Kurti ka kritikuar mediat ose gazetarët publikisht.

Sipas raportit, organizatat i kanë bërë thirrje kryeministrit dhe partisë së tij që të shmangin gjuhën denigruese ndaj gazetarëve dhe të japin shembull për një debat publik më të respektueshëm.

Raporti thekson se gjatë takimit me delegacionin, Kurti nuk e pranoi seriozitetin e shqetësimeve lidhur me sigurinë e gazetarëve, ndërsa më vonë Zyra e Kryeministrit, në përgjigje me shkrim, tha se ai nuk mbështet dhe nuk toleron sulmet verbale ndaj gazetarëve dhe se vetë nuk ka përdorur gjuhë fyese ndaj tyre.

Raporti, po ashtu, ngre shqetësime për gjendjen në transmetuesin publik RTK.

Sipas organizatave, financimi i pamjaftueshëm, paqartësitë ligjore dhe pretendimet për presion politik kanë krijuar një situatë që rrezikon pavarësinë editoriale të transmetuesit publik.

Delegacioni përmend dëshmitë e gazetarëve për largime nga emisionet, procedura disiplinore dhe ndërprerje emisionesh, ndonëse menaxhmenti i RTK-së i ka mohuar këto pretendime.

Një kapitull i veçantë i kushtohet Komisionit të Pavarur të Mediave.

Raporti rikujton se ligji për KPM-në, i miratuar nga Kuvendi në vitin 2024, u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese, e cila konstatoi se cenonte pavarësinë e institucionit.

Organizatat shprehin shqetësim se edhe procesi i mëvonshëm i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KPM-së dhe bordit të RTK-së është zhvilluar me procedura të përshpejtuara dhe jotransparente, duke ngritur dyshime për ndërhyrje politike.

Raporti kritikon, gjithashtu, nivelin e transparencës së institucioneve publike.

Gazetarët i kanë thënë delegacionit se qasja në informata zyrtare mbetet e vështirë, se konferencat për media janë të rralla dhe se komunikimi me zyrtarët është i kufizuar.

Organizatat vënë në dukje edhe rritjen e vazhdueshme të numrit të ankesave për moslejimin e qasjes në dokumente publike gjatë viteve të fundit.

Megjithatë, raporti evidenton edhe disa zhvillime pozitive.

Organizatat vlerësojnë bashkëpunimin me sistemin gjyqësor, duke përmendur trajtimin më të shpejtë të rasteve që lidhen me gazetarët dhe miratimin e Strategjisë 2026-2028 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, e cila, mes tjerash, u jep përparësi rasteve që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe shpifjen. /REL/

 

 

Continue Reading

Vendi

ATK: Mbi 900 milionë euro të hyra gjatë vitit 2026

Published

on

Agjencia Tatimore e Kosovës ka njoftuar se nga janari deri në shtator të këtij viti ka mbledhur 908.8 milionë euro të hyra tatimore, apo 114.5 milionë më tepër se në periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Kjo është një rritje prej 14.5 për qind.

Po ashtu ATK ka thënë se ka rënë numri i ndëshkimeve për 22 për qind.

“Këta tregues pasqyrojnë një qasje të orientuar drejt përmbushjes më të madhe tatimore, parandalimit të parregullsive dhe administrimit më efikas të obligimeve tatimore. Rezultatet mbështeten nga puna e vazhdueshme e ATK-së në disa drejtime, duke përfshira monitorimin e bizneseve, me fokus të veçantë te tatimpaguesit me rrezik të lartë tatimor.  Informimi dhe edukimi i tatimpaguesve, përmes komunikimit më të gjerë dhe orientimit për përmbushjen e drejtë të obligimeve.  Parandalimi i shkeljeve, duke synuar rritjen e përmbushjes vullnetare dhe zvogëlimin e nevojës për masa ndëshkuese. Digjitalizimi i shërbimeve tatimore, për qasje më të lehtë, procedura më efikase dhe shërbime më të mira për tatimpaguesit”, ka njoftuar ATK. /A.K/

Continue Reading

Rajoni

Policia në Shqipëri: 71 policë të plagosur, disa prej tyre rëndë

Published

on

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u kërkoi protestuesve që të distancohen nga dhuna. 

Ai në  një konferencë për media ka thënë se deri tash janë plagosur 71 policë, disa prej tyre me lëndime të rënda.

Ka shtuar se protesta është e drejtë e garantuar, por s’mund të jetë mburojë për dhunën e shkatërrimin.

“U bëj thirrje prindërve e mësuesve që të mos lejojnë nxënësit të përfshihen në akte dhune të organizuar. Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës nuk  janë studentë, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda e jashtë vendit. Nga të gjithë të ndaluarit në natën e parë, asnjë nuk është student. Në natën e dytë një numër shumë i vogël i tyre ishin studentë. Çdo sulm ndaj policëve është sulm ndaj shtetit”, ka thënë ai. 

Ai ka thënë që nuk duhet ngatërruar vetëpërmbajtjen e policisë së shtetit me dobësi.

Hita ka thënë për vjedhje janë arrestuar disa persona dhe ndaj tyre janë ngritur edhe aktakuza.

Ai ka thënë se kreu i forcave të rendit në Shkodër është lënduar rëndë gjatë protestës, porse tashmë është  në trajtim dhe në gjendje stabile.

Hita ka deklaruar se reagimi i policisë ka qenë proporcional me sjelljen e protestuesve.

“Nuk ka pasur qasje të ndryshme nga policia. Jemi të vendosur të përballojmë çdo akt dhune ndaj çdo institucioni shtetëror dhe privat, si dhe të mbrojmë jetën e qytetarëve. Reagimi ka qenë proporcional. Ju nuk e keni parë lumin e gurëve që kanë rënë mbi policët”, tha ai./A.K/

Continue Reading

lajme

Kosova rrezikon organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ICMG paralajmëron masa

Published

on

By

Kosova rrezikon të humbasë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, pas paralajmërimeve nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) për mospërmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ICMG-ja ka shprehur shqetësimin për vonesat në përgatitjet e këtij organizimi madhor sportiv.

Sipas dokumentit të publikuar nga Rama, institucionet përgjegjëse nuk i janë përgjigjur letrës së dërguar më 21 shtator 2026. Po ashtu, mungon garancia bankare që duhej të sigurohej në janar, ndërsa mbetet e papaguar edhe tarifa e muajit qershor.

ICMG-ja ka paralajmëruar se këto mangësi mund të rrezikojnë seriozisht organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.

Më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv pritet të shqyrtojë mundësinë e thirrjes së një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e këtij eventi.

Pas publikimit të letrës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për situatën e krijuar, duke e cilësuar rrezikun e humbjes së organizimit si një goditje të madhe për sportin kosovar.

Ai ka theksuar se mungesa e përgjigjeve institucionale dhe mosrealizimi i obligimeve po e vënë në pikëpyetje një mundësi historike për vendin.

Fitimi i së drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 ishte vlerësuar si një nga arritjet më të rëndësishme në historinë e sportit të Kosovës, ndërsa zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime për realizimin e këtij projekti.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Zyrtarë të lartë të NATO-s vizitojnë veriun e Kosovës, vlerësojnë situatën e sigurisë

Published

on

By

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George M. Wikoff, së bashku me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, kanë vizituar të enjten veriun e Kosovës.

Gjatë vizitës, ata kanë vëzhguar nga afër patrullimin e përbashkët të pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës përgjatë vijës kufitare.

Dy zyrtarët janë takuar gjithashtu me kryetarin e komunës së Zubin-Potokut, Milosh Peroviq, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë dhe zhvillimet në këtë pjesë të vendit.

Përmes një njoftimi, KFOR-i ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e sigurisë, duke bërë të ditur se vazhdon të monitorojë situatën në terren, të bashkëpunojë me komunitetet dhe të mbajë gatishmërinë operacionale.

Një ditë më parë, Wikoff dhe Vergori kanë zhvilluar takime me drejtues shtetërorë, përfaqësues institucionalë dhe komunitete të ndryshme.

Ndërkohë, NATO ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka shënuar përmirësime. Megjithatë, Aleanca ka theksuar se çdo ndryshim në praninë dhe strukturën e KFOR-it do të varet nga zhvillimet në terren, duke mos përjashtuar rikthimin e masave të mëparshme në rast të përkeqësimit të sigurisë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara