Lajmet

Orët e gjata të punës vrasin 745 mijë njerëz në vit

Published

on

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), orët e gjata të punës vrasin qindra mijëra njerëz në vit.

Studimi i parë global i këtij lloji tregoi se 745 mijë njerëz vdiqën në vitin 2016 nga sulmi në tru dhe sëmundje të zemrës për shkak të orëve të gjata të punës. Sipas këtij raporti, njerëzit që jetonin në Azinë Juglindore dhe rajonin e Paqësorit Perëndimor ishin më të prekurit.

Hulumtimi gjithashtu zbuloi se puna 55-orëshe ose më shumë në javë shoqërohej me një rrezik 35% më të lartë të goditjes në tru dhe një rrezik me 17% më të lartë të vdekjes nga sëmundja e zemrës, krahasuar me një javë pune prej 35 deri në 40 orë.

Ndërsa, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, pothuajse 3/4 e atyre që vdiqën si rezultat i orëve të gjata të punës ishin burra të moshës mesatare ose më të vjetër.

‘Unë nuk jam duke kaluar gjithë ditën në Zoom’

Pesë javë më parë, një postim nga 45-vjeçari Jonathan Frostick në LinkedIn fitoi një publicitet të gjerë ndërsa përshkroi se si sulmi në zemër e “alarmoi” atë të ndërmerrte një veprim.

Ai sapo ishte ulur të dielën pasdite për t’u përgatitur për javën e punës kur ndjeu një shtrëngim në gjoks, një pulsim në fyt, në nofullën dhe krahun dhe vështirësi në frymëmarrje.

“Kam arritur në dhomën e gjumit në mënyrë që të mund të shtrihem dhe kam marrë vëmendjen e gruas time që telefonoi në 999”, tha ai.

Ndërsa u shërua nga sulmi në zemër, Frostick vendosi të ristrukturojë qasjen e tij për të punuar. “Unë nuk jam duke kaluar gjithë ditën në Zoom”, shton ai.

Postimi i tij goditi qindra lexues, të cilët ndanë përvojat e tyre të mbingarkesës dhe ndikimin në shëndetin e tyre.

Frostick nuk e fajëson punëdhënësin e tij për orët e gjata që po vendoste, por një i anketuar tha: “Kompanitë vazhdojnë t’i shtyjnë njerëzit në kufijtë e tyre pa u shqetësuar për mirëqenien e tyre personale”.

Sipas zyrtarëve të OBSH-së, puna në distancë dhe ngadalësimi ekonomik mund të kenë rritur rreziqet që lidhen me orët e gjata të punës.

“Ne kemi disa prova që tregojnë se kur vendet hyjnë në bllokim kombëtar, numri i orëve të punës rritet me rreth 10%”, tha oficeri teknik i OBSh, Frank Pega.

Studiuesit thanë se kishte dy mënyra që orët më të gjata të punës çuan në rezultate të dobëta shëndetësore: së pari përmes përgjigjeve fiziologjike ndaj stresit, dhe së dyti sepse orët më të gjata do të thotë që punëtorët kishin më shumë mundësi të përvetësonin sjellje të dëmshme për shëndetin si përdorimi i duhanit dhe alkoolit, më pak gjumë dhe stërvitje, dhe një dietë jo e shëndetshme.

Numri i njerëzve që punojnë me orë të gjata është rritur para se të fillojë pandemia, dhe ishte rreth 9% e popullsisë totale globale, sipas OBSh-së.

Në Mbretërinë e Bashkuar, sipas Office for National Statistics (ONS) njerëzit që punonin nga shtëpia gjatë pandemisë mbanin mesatarisht gjashtë orë shtesë të papaguara në javë./UBTNews

Lularta Buja, studente në Media dhe Komunikim në UBT

Lajmet

Bashkë-yjet e “Friends” refuzojnë të marrin pjesë në dokumentarin për Matthew Perry

Published

on

Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer nuk do të marrin pjesë në dokumentarin e ri të Netflix për aktorin e ndjerë Matthew Perry, sipas burimeve të cituara nga “Page Six”.

Bëhet fjalë për serialin dokumentar me tri pjesë “The One About Matthew Perry”, i cili do të trajtojë jetën, karrierën dhe betejën e aktorit me varësinë, përmes rrëfimeve të familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas burimeve, pesë aktorët e “Friends” janë kontaktuar nga ekipi i dokumentarit, por kanë vendosur të mos marrin pjesë. Në vend të tyre, dokumentari do t’u japë hapësirë njerëzve të tjerë që e kanë njohur dhe kanë qenë pranë Perry-t gjatë jetës së tij.

Një burim ka thënë se për Jennifer Aniston, e cila ishte veçanërisht e afërt me Perry-n, do të ishte e vështirë ta përjetonte përsëri humbjen në mënyrë publike dhe para kamerave.

Dokumentari, i drejtuar nga Mary Robertson, do të përfshijë edhe rrëfimin e motrës së Perry-t, Mia Perry Bowick, si dhe fotografi dhe video të papublikuara nga arkivi privat i familjes.

Matthew Perry u bë i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, i cili u transmetua nga viti 1994 deri më 2004. Pas përfundimit të serialit, ai mbeti i afërt me bashkë-yjet e tij.

Perry ndërroi jetë në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare. Sipas autoriteteve, shkaku i vdekjes ishte efektet akute të ketaminës. Hetimi për vdekjen e tij çoi në arrestimin e pesë personave, përfshirë asistentin e tij dhe dy mjekë.

Aktori kishte folur publikisht për betejën e tij me varësinë dhe për përpjekjet për t’u rehabilituar. Në vitin 2022 ai publikoi kujtimet “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, ku rrëfeu përvojën e tij personale me varësinë dhe shërimin./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ramë Lahaj nis turneun ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN” në Zürich

Published

on

Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, po përgatitet për koncertin që do të hapë turneun e tij ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”, më 10 tetor në Zürich të Zvicrës.

Në skenën e Kongresshaus Zürich, Lahaj do të performojë së bashku me ARMA Ensemble, me një program muzikor që ndërthur repertorin shqiptar me këngë italiane, chanson franceze dhe muzikë nga kinemaja.

Pas koncertit në Zürich, turneu do të vazhdojë në Düsseldorf më 30 tetor, në Vjenë më 8 nëntor dhe në Toronto më 13 dhjetor. Organizatorët kanë bërë të ditur se pritet të shtohen edhe qytete të tjera në kalendarin e turneut.

Biletat për koncertin në Zürich tashmë janë në shitje përmes platformës Ticketmaster.

Përmes këtij turneu, Ramë Lahaj synon të sjellë para publikut ndërkombëtar një program që bashkon traditën muzikore shqiptare me repertorin ndërkombëtar, duke promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në skenat botërore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Oficerët e FSK-së përfundojnë trajnimin ushtarak kanadez në Bosnje dhe Hercegovinë

Published

on

By

Pesë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në kursin “Defence Resource Management Course”, të organizuar nga Ushtria Kanadeze në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjatë trajnimit njëjavor, pjesëmarrësit avancuan njohuritë në menaxhimin e resurseve të mbrojtjes, prokurim, projekte dhe burime njerëzore, duke shkëmbyer praktikat më të mira ushtarake kanadeze që mund të zbatohen në FSK.

Përveç aktivitetit ushtarak, ekipi i FSK-së vizitoi edhe Shoqatën e Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u prit nga përfaqësues të komunitetit shqiptar atje.

Pjesëmarrja në këtë program ndihmon në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit ushtarak kosovar dhe fuqizon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Baleti i Shqipërisë dhe Kosovës bashkohen në një skenë, publiku duartroket për 10 minuta

Published

on

Premiera botërore e veprës “Neighbours / from Motherland”, e cila hapi Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë, u prit me duartrokitje për 10 minuta nga publiku.

Vepra, e krijuar nga Brigel Gjoka dhe Rauf “Rubberlegz” Yasi, bashkoi për herë të parë në të njëjtën skenë trupat e Baletit të Shqipërisë dhe Baletit të Kosovës.

E shfaqur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, kjo vepër e baletit bashkëkohor vuri në qendër rrënjët e përbashkëta dhe identitetin, duke sjellë një bashkëpunim artistik mes dy trupave shqiptare.

Salla e teatrit ishte e mbushur me artdashës, të cilët ndoqën hapjen e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë (IDFT).

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ndau pamje nga performanca dhe bëri të ditur se më 7 tetor shfaqja do të prezantohet edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Festivali vazhdon me aktivitete të tjera, duke sjellë në Tiranë artistë dhe produksione nga skena ndërkombëtare e vallëzimit bashkëkohor./ATSH/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara