Lajmet

Opozita akuzon Nagavcin për keqpërdorim në subvencionimin e teksteve shkollore, Nagavci: Kurrë nuk kam vjedhur

Published

on

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është akuzuar nga deputet opozitarë për keqpërdorim me subvencionimin e teksteve shkollore.

Ata këto akuza i bënë gjatë raportimit të ministres në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Opozita akuzoi Nagavcin se ka favorizuar shtëpinë botuese “Albas” për tekstet shkollore që sipas tyre, nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

Ministrja Nagavci ka thënë se në furnizimin që është bërë më herët me tekste shkollore ka pasur dëshmi për keqpërdorime të buxhetit, sipas ministres, marrë parasysh kërkesat e prindërve për blerje të librave dhe vështirësisë së shpërndarjes, kanë zgjedhur subvencionimin. Ajo ka thënë se nuk ka pasur asnjë ankesë nga asnjë komunë që dikush ka mbetur pa u pajisur me tekste.

“Ka qenë një raport që është mundësuar teksti alternativ, në vitin 2022-23. Ne në fillim të këtij procesi kemi kërkuar nga shkollat që t’i kenë tekstet shkollore sipas udhëzimit administrativ që të ripërdorën. Ka pas dëshmi për keqpërdorime të buxhetit në mbetje të teksteve shkollore. Dy raporte nga ZKA, për vitin 2012. ZKA në një raport vlerësues por MAShT-in, konstaton se vetëm në 6 shkolla ka pasur një sasi të numrave, që kapin vlerën mbi 1 milionë euro. Ka edhe raportime tjera që kanë qenë raportime të stoçeve të ndryshme të librave dhe keqpërdorimit dhe menaxhimit të mjeteve buxhetore për tekstet shkollore. Është dëmtuar buxheti me formimin e stoçeve të teksteve shkollore”.

“Në fillim të vitit shkollorë, kemi kërkuar nga drejtoritë komunale që të na njoftoj për rastet kur fëmijët nuk janë të pajisur me tekste shkollore. Cilat kanë qenë arsyet dhe çfarë duhet ndërmarrë. Nuk kemi pas asnjë kërkesë nga asnjë komunë, që dikush ka mbetur pa u pajisur me tekste, po flas për drejtoritë e arsimit, të gjitha shkollat.  Pastaj është krijuar një Komision për verifikimin e aplikacioneve, ka pas organizata ekipore që kanë asistuar në aplikim.  Pastaj jemi siguruar për të iu ofruar asistencë prindërve në mënyre që te mos mbet asnjë nxënës pa u furnizuar me libra”, ka thënë ministrja.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka pyetur ministren se kur është bërë kompletimi i furnizimeve me tekste, me datë në të gjitha shkollat. Për këtë Ngavci ka thënë se mundësia për aplikim ka qenë në muajin gusht.

“Mundësia për aplikim ka qenë në muajin gusht nëse dikush nuk ka aplikuar në muajin gusht ka pas sfida, pagesat janë realizuar edhe në muajin shtator, tetor e kështu më radhë që askujt të mos i mohohet e drejta e garantuar me ligj. Sa i përket Gjakovës nuk jam në njohuri, nuk mbaj mend se kemi ndonjë ankesë, kërkesë, qoftë nga zyrtarët komunalë apo drejtoritë”,  ka thënë Nagavci.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se mbi 20 për qind të subvencionimit kanë qenë të keq planifikuar.

“Mbi mbi 20 për qind ka keq planifikim të subvencionimit. Bazuar në buxhetin për planifikim dhe dy vendimet e planifikuara ku janë shkuar 5 milionë euro që kanë qenë të planifikuara, si dhe dy vendet se bashku 12 milionë, në total 17 milionë, në raport për subvencionimin janë shpenzuar 11 milionë, ku janë tjerat. Sa është numri i saktë i shpenzimeve, a ka përfitues që kanë përfituar jashtë vendit. Pse dështuan negociatat me shtëpitë botuese kur çmimi ka qenë i negociuar ka qenë 4 mijë e 800”, ka thënë Haxhiu.

Nagavci ka thënë se sa i përket ndarjes buxhetore nuk ka pasur shkelje te ligjit sa i përket subvencionimit.

“Vendimi për subvencionim ka qenë largimi i stoçeve asnjë fëmijë të mos mbetet pa tekste shkollore. Sa i përket ndarjes buxhetore, unë si ministre e arsimit, mund të ndryshojë në vlerën 5 për qind, qeveria sipas ligjit, nuk ka tejkaluar nuk ka shkelje diçka të ngjashme sa i përket subvencionimit. Së sa kanë mbetur nxënës pa u pajis me tekste ne nuk kemi asnjë të dhënë zyrtare për ndonjë nxenës apo fëmijë që ka mbetu pa u pajisur me tekste. Është zvogëluar numri i nxënësve është shtuar numri i teksteve shkollore, në vitin 2022/23, totali i furnizimit me libra ka qenë 4 milionë e 485 mijë e 562 tekste si numër për furnizim”,  ka thënë Nagavci.

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka pyetur ministren Nagavci se pse shtëpisë botuese “Albas”, e cila ka fituar tenderin për tekste shkollore, i janë rritur të hyrat.

Kjo pasi sipas tij, Nagavci ka lidhje me këtë shtëpi botuese.

“Ju thatë që janë 11 milion, krahasimi me shpenzimet e hargjuara, pasi që në ta kaluarën janë shpenzuar më pak e ka pas me shumë nxënës, ndërsa tani janë më pak nxënës sot e me shumë janë shpenzuar, a konsiderohet korrupsion kjo? Çështja e dytë, është hekur dorë me arsyetimin se çmimet jene të larta nuk u pajtuat për afro 5 milion, ndërsa tani kushtoj 2 fish ose tre më shtrenjtë”.

“Ju jeni pajtuar nga “Albas”, më herët kur nuk keni qenë ministre, kështu duke i vlerësuar librat e tyre të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret e librit. Ju keni pas lidhje se keni punuar për “Albas”, më pas janë shpërblyer nga ministria. Pastaj ndërhynë Dejona Mihajli, e njihni ju së bashkëpunoni me të.  Pse janë rritur të hyrat e “Albas” me tendera”, ka thënë Kastrati.

E deklaratat e deputetit Kastrati, ministrja Nagavci tha se nuk ja vlen të komentohen. Ajo tha se kurrë asnjëherë nuk ka vjedhur.

“Kurrë asnjëherë as dje as kurrë nuk jam person që vjedhi, e dyta, pyetet për buxhetin, për çdo ekzekutim të pagesës është verifikuar përmes ministrive që ekzekutojnë nga thesari i shtetit, Ministria e Financave, banka. Si Ministri e Arsimit nuk kemi pas asnjë interferencë të vetme. Nuk dua të komentojë deklarata që nuk ia vlen të komentohen. Më pyetet se çka do të bënit nëse do isha në vendin tuaj, unë kam adresuar aty ku duhet të organet kompetente kur ka pas keqpërdorime, si deputete kam qenë korrekte kam adresuar fakte nuk kam shpif nuk kam thënë diçka që se di as vetë”, është kundërpërgjigjur Nagavci.

Rajoni

Rektori Hajrizi: Studentët e UBT-së, të gatshëm për tregun global të punës

Published

on

UBT ka dëshmuar se është institucioni lider në arsim, shkencë dhe inovacion në Kosovë e rajon, duke nxjerrë kuadro profesionale që sot kontribuojnë në kompani e industri të nivelit botëror. Në një intervistë në FIVE të Dukagjinit, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, thekson se përmes programeve moderne dhe industrive të krijuara brenda institucionit, studentët përgatiten jo vetëm për tregun e punës vendor, por edhe për atë global.

“Ne prodhojmë 400 arkitektë në vit, dhe nuk është se ka aq kompani vendore për t’i absorbuar. Ata punojnë për kompani globale. Po ashtu, ne përgatisim 1.000 programerë çdo vit, dhe kërkesa nuk është vetëm në Kosovë. Janë të mjaftueshme për tregun vendor, por ka kërkesa edhe në nivel botëror”, tha Rektori Hajrizi.

Ai nënvizoi se UBT ka arritur të harmonizojë kërkesat e tregut të punës me programet akademike, duke krijuar kushte që studentët të kenë qasje në teknologjitë më të reja, sikurse universitetet dhe industritë më të zhvilluara të botës.

“Studenti ynë ka mundësi të mësojë e të punojë me teknologjitë më të fundit, njësoj sikur studentët e universiteteve elitare në botë. Ne kemi krijuar edhe industri të brendshme, kompani ku studentët përjetojnë të gjithë ciklin organizativ të teknologjive dhe të kompanive moderne, në mënyrë që kur të dalin në treg të jenë të gatshëm menjëherë”, u shpreh Rektori.

Ai veçoi si shembull programet e arkitekturës dhe urbanizmit, ku studentët përgatiten me koncepte moderne të projektimit, por edhe fushën e “smart cities”, ku UBT është shembull ndërkombëtar për ndërtimin e qyteteve të mençura.

“Smart cities janë e ardhmja e qyteteve dhe e organizimit modern. Ne kemi treguar se edhe nga Kosova mund të ndërtohen modele të tilla të suksesshme. Nuk ka teknologji që e gjen në Amerikë, Gjermani apo Japoni, e që nuk mund ta hasësh edhe në UBT”, theksoi Hajrizi.

Duke folur për rolin e UBT-së në rajon, Rektori nënvizoi se institucioni ka qenë gjithmonë pararojë me programe unike dhe inovative, duke filluar që nga viti 2001 me menaxhimin inxhinierik, mekatronikën dhe më pas me teknologjitë e reja.

“Besoj se për Ballkanin gjithmonë kemi qenë një lloj lidershipi. Ne kemi qenë të parët që kemi hapur programe moderne, kemi krijuar qendra kërkimore dhe jemi pozicionuar ndërkombëtarisht, nga Londra, Vjena, deri në Finlandë. Ky është tregues se UBT është institucion proaktiv dhe inovativ në nivel global”, theksoi ai.

Në fund, Rektori Hajrizi potencoi se studentët e UBT-së nuk duhet të kenë kompleks inferioriteti, sepse tashmë kanë dëshmuar se janë të barabartë, madje shpesh më të mirë se bashkëmoshatarët e tyre në universitete ndërkombëtare.

“Shumë prej tyre sot punojnë në Zvicër, Gjermani, Amerikë, e më gjerë, duke kontribuar në zhvillime globale. Ky është konfirmim se UBT po udhëheq në Ballkan, duke prodhuar dije e kuadro të nivelit botëror”, përfundoi Rektori Hajrizi.

Continue Reading

Vendi

Në UBT Ferizaj u organizua sesioni informues për bursën prestigjioze Chevening Scholarship

Published

on

UBT Ferizaj ishte mikpritës i një sesioni të veçantë informues për bursën prestigjioze Chevening Scholarship, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ambasadës Britanike në Kosovë, në bashkëpunim me Chevening Alumni Foundation in Kosovo.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët e UBT-së në Ferizaj u njohën me procesin e aplikimit, kriteret e përzgjedhjes dhe afatet e rëndësishme, si dhe morën këshilla praktike për një aplikim të suksesshëm.

Ky aktivitet synoi të nxisë interesimin e studentëve për të aplikuar në bursën Chevening dhe të ofronte njohuri të thelluara mbi mundësitë që kjo bursë ofron pas përfundimit të studimeve, si zhvillimi i aftësive profesionale dhe krijimi i perspektivave të reja karrierike.

Continue Reading

Lajmet

Kosova e Turqia vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim shefin e Mbrojtjes së Turqisë, gjeneral Selçuk Bayraktaroğlu, me të cilin ka biseduar për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e trajnimeve, edukimit dhe mbështetjes në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së.

Jashari me këtë rast falënderoi Bayraktaroğlu për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë FSK-së në ngritjen e kapaciteteve profesionale, raporton KosovaPress.

Ndërsa, shefi i Mbrojtjes së Turqisë ri-konfirmoi përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me FSK-në, duke vlerësuar lart zhvillimin dhe profesionalizmin e ushtrisë së Kosovës.

Të dy gjeneralët u pajtuan për vazhdimin e zgjerimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes, thuhet në njoftimin e FSK-së./D.B/KP

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe AMIK nisin projektin “Inkuadrimi i Vajzave në Ndërmarrësi” me trajnimin e parë

Published

on

Në ambientet e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u zhvillua hapja e projektit “Inkuadrimi i Vajzave në Ndërmarrësi”, një iniciativë e organizuar nga UBT në bashkëpunim me AMIK – Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës.

Ky aktivitet ka për qëllim fuqizimin e vajzave dhe grave të reja përmes ofrimit të njohurive praktike, mentorimit dhe krijimit të mundësive të reja për angazhim në botën e ndërmarrësisë. Pjesëmarrëset do të pajisen me shkathtësi të rëndësishme për të ndërmarrë iniciativa profesionale dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, duke rritur mundësitë e tyre për punësim, krijim të bizneseve të vogla dhe inovacion.

Në hapje të aktivitetit, u theksua rëndësia e partneritetit mes institucioneve akademike dhe sektorit financiar për mbështetjen e gjeneratës së re të sipërmarrësve.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vuri në pah se projektet e tilla janë të nevojshme për të krijuar një platformë të qëndrueshme për ndërmarrësi dhe zhvillim ekonomik në nivel vendi, dhe se bashkëpunimi me sektorin financiar dhe organizatat që mbështesin inovacionin është kyç për suksesin e vajzave të reja.

Zëvendësguvernatorja e Bankës Qendrore të Kosovës, Nesrin Shileku-Shala, i inkurajoi pjesëmarrëset duke theksuar rëndësinë e edukimit financiar, planifikimit dhe guximit për të ndërmarrë iniciativa të reja, duke u bërë modele suksesi për komunitetet e tyre.

Drejtori i Bordit të AMIK, Adrian Alo, theksoi se fuqizimi i vajzave përmes projekteve të ndërmarrësisë kontribuon në stabilitetin ekonomik dhe përfshirjen sociale, duke nxitur edhe zhvillimin e sektorit mikrofinanciar dhe inovacionin në vend.

Përfaqësuesi i AMIK, Prof. Shpresim Vranovci, nënvizoi rëndësinë e mentorimit dhe krijimit të rrjetit të kontakteve për pjesëmarrëset, si një element kyç për arritjen e suksesit profesional dhe zhvillimin e projekteve të reja sipërmarrëse.

Ndërsa, Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, theksoi se institucioni mbetet i përkushtuar të ofrojë platforma praktike për zhvillimin e studentëve dhe të rinjve, duke i lidhur ata me sektorët strategjikë të ekonomisë dhe aktorë që kontribuojnë drejtpërdrejt në krijimin e mundësive të reja për punësim, ndërmarrësi dhe inovacion.

Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së vajzave dhe grave në ekonominë inovative dhe ndërmarrëse të vendit, duke nxitur një kulturë të barazisë, sipërmarrësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social.

Continue Reading

Të kërkuara