Ndërprerjet me furnizim me energji elektrike po ndodhin për shkak të mbingarkesës së rrjetit për shkak të rritjes së konsumit, e jo për shkak të mungesës së energjisë, tha shefi ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Evetar Zeqiri.
Këtë deklaratë ai e bëri pas takimit që ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli zhvilloi me KOSTT-in dhe Kompaninë Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë (KEDS).
“Nuk ka mungesë të rrymës. Ne jemi duke prodhuar në maksimum në katër blloqe. KESCO po importon energjinë e munguar. Nuk bëhet fjalë për mungesë të energjisë, por bëhet fjalë për ngarkesë që ka prekur kufijtë”, tha Zeqiri.
“Problemi është i përkohshëm, vetëm në këtë javë dhe javën tjetër dhe pas kësaj pritet të çlirohen kapacitetet, të ulet ngarkesa dhe nuk do të ketë pengesa“, shtoi ai.
Ditëve të fundit, qytetarë në pjesë të ndryshme të Kosovës janë ankuar për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike. Institucionet e Kosovës, ndërkaq, u kanë bërë thirrje atyre që të kursejnë energjinë për shkak të mbingarkesës së rrjetit.
Ndërkaq, drejtori i Operimit të Sistemit në KEDS, Bujar Jupaj, tha për mediat se në periudhën nëntor-dhjetor ka pasur rritje të ngarkesës për 30 për qind, duke argumentuar se “ka rritje të kërkesës së paparashikuar”.
Ai tha se KEDS-i do të angazhojë 1.000 punëtorë shtesë për të intervenuar në rastet e mbingarkesës së rrjetit.
“KEDS-i ka rreth 730 mijë konsumatorë dhe nga të dhënat që i kemi, mbi 95 për qind të konsumatorëve që furnizohen në të njëjtën kohë. Po flasim për një 5 përqindësh të cilin e kanë një problem si pasojë e mbingarkesës”, tha ai, duke shtuar se piku i ngarkesës së rrjetit është arritur javën e kaluar me 2.500 megavatë të shpenzuara.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar se bizneseve po u shkakton telashe mungesa e energjisë elektrike. Ndërkaq, përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë thënë se institucionet ishin të papërgatitura për stinën e dimrit dhe masat e ndërmarra viteve të fundit, sikurse subvencionimi i pajisjeve efiçiente për ngrohje kanë çuar në rritje të konsumit.
“Subvencionimi i pajisjeve elektrike efiçiente ka rezultuar që shumë konsumatorë të ndryshojnë mënyrat e ngrohjes, duke kaluar në ngrohje me energji elektrike, qoftë përmes investimeve në klima apo pompa termike. Kjo ka shtuar kërkesën për energji në sistem, sepse qytetarët kanë kaluar nga ngrohjet me lëndë djegëse tradicionale në ngrohje me rrymë”, tha Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).
Por, kështu nuk mendon ministrja Rizvanolli. Ajo i cilësoi si “të pasaktë” lidhjen e çështjes së subvencionimit të pajisjeve me rritjen e ngarkesës së rrjetit.
“Sigurisht që kur janë dizajnuar skemat e subvencionimit është menduar çdo detaj. Prandaj, edhe ka qenë kushti që nuk mund të përfitoni nga pajisjet ngrohëse efiçiente që ngrohin me energji elektrike, përveç nëse jeni konsumator që ngroheni me energji elektrike me pajisje joefiçiente dhe nuk keni asnjë opsion tjetër”, tha Rizvanolli.
Sipas saj, nga të dhënat e viteve paraprake, përfituesit e subvencioneve për pajisje efiçiente për ngrohje me rrymë kanë konsumuar më pak energji elektrike.
Megjithatë, ajo shtoi se në rrjet në tre vjetët e fundit është rritur numri i konsumatorëve, përkatësisht sipas saj janë 60.000 amvisëri të reja të kyçura në rrjet dhe 8.500 biznese.
Ministria e Ekonomisë e Qeverisë së Kosovës, që nga viti 2022, disa herë ka ndarë subvencione për qytetarët që blejnë pajisje efiçiente për ngrohje, përfshirë pompa termike, kondicionerë/klima efikase, si dhe kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufa individuale me biomasë. Thirrja e fundit u bë edhe në shtator të këtij viti.
Në janar të këtij viti, ajo ka njoftuar se gjatë dy viteve të fundit janë realizuar pagesa për mbi 15 mijë familje, në një vlerë rreth shtatë milionë euro.
Kosova aktualisht prodhon energji elektrike në dy termocentralet, Kosova A dhe B, që funksionojnë me thëngjill. Por, shteti po ashtu importon rrymë me qëllim që të përmbushë kërkesat në rritje të konsumatorëve./REL/