Lajmet

Olaf Scholz, kancelari gjerman më pak i përkrahur ndonjëherë

Vetëm 17 për qind e votuesve janë aktualisht të kënaqur me punën e qeverisë federale gjermane.

Published

on

Anëtarët e partisë socialdemokrate gjermane, nuk kanë shumë për të festuar kur të mblidhen këtë fundjavë në Gjermani në kongresin e partisë së tyre në Berlin, i cili zgjat nga 8 deri më 10 dhjetor.

Sipas sondazhit të fundit “Trendi Gjerman” (Deutschlandtrend), i cili bëhet rregullisht për shërbimin publik gjerman ARD, partia SPD e kancelarit, Olaf Scholz, aktualisht mund të llogarisë vetëm në 14 për qind të votave. Kjo është dy për qind më pak se në nëntor, e kjo është vlera më e ulët që nga qershori vitit 2021.

Partnerët në qeveri, të Gjelbrit, kanë aktualisht 15 për qind (+1), ndërsa liberalët (FDP) janë nën pragun e kërkuar për futje në Bundestag, me vetëm katër për qind (+/-0).

Sa i përket opozitës, partitë kristiandemokrate dhe kristiansociale, CDU dhe CSU, do të merrnin aktualisht 32 për qind (+2), që është vlera më e lartë që nga marsi 2021. Ndërsa në vendin e dytë është Alternativa për Gjermaninë (AfD) me 21 për qind (-1). E majta nuk do të futej në Bundestag, sepse do të fitonte vetëm tre për qind (-2).

Rënia e Olaf Scholzit

Vetëm 17 për qind e votuesve janë aktualisht të kënaqur me punën e qeverisë federale gjermane, që është një rekord i ri për nga numri i vogël i mbështetjes. 82 për qind e të anketuarve shprehin kritika.

Kancelari Scholz është në shënjestër të kritikave në veçanti: vetëm 20 për qind e të anketuarve janë aktualisht të kënaqur me punën e Olaf Scholzit. Kjo është vlera më e ulët për kancelarin federal, që nga fillimi i sondazheve të këtilla të Deutschlandtrend, në vitin 1997.

Gati çdo i dyti (48 për qind, që është një minus prej 16 në krahasim me prillin e vitit 2022) beson se Olaf Scholz po vepron si duhet. Ndërsa vetëm një e katërta e shohin atë aktualisht si një drejtues të mirë krizash (23 për qind; -14). Vetëm 12 për qind mendojnë se Scholzi ka aftëri të mira për të komunikuar në mënyrë bindëse (-15). Më në fund vetëm 27 për qind aktualisht besojnë se ai është personi i duhur në postin e kancelarit (që është një rënie prej -20 për qind krahasuar me vitin 2022).

Vendi

Arrestohet një grua në Podujevë për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve

Published

on

By

Në raportin e policisë, në 24 orët e fundit është raportuar një rast i keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve në Podujevë, që ka çuar në arrestimin e një personi.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, ku njësitet policore kanë vënë në pranga të dyshuarën grua nën dyshimin për kryerjen e kësaj vepre penale.

Sipas raportit, “e dyshuara është dërguar për tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë mbi gjendjen e fëmijës, mirëpo ka konfirmuar se rasti po trajtohet nga organet kompetente për procedura të mëtejshme hetimore.

Continue Reading

Lajmet

Ekstradohet nga Franca i kërkuari për vrasje në tentativë në rajonin e Pejës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Franca për në Kosovë, i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Operacioni u krye dje nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim të plotë me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante.

I dyshuari, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ishte arrestuar më parë nga autoritetet franceze pasi ishte shpallur në kërkim përmes INTERPOL-it për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë kosovare.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi u krye me sukses falë marrëdhënieve të mira ndërshtetërore, duke u theksuar se: “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre franceze”.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të policisë në rajonin e Pejës për procedim të mëtejshëm ligjor.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbetet aktive në luftën kundër krimit pa marrë parasysh kufijtë, duke deklaruar se: “Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale”.

Continue Reading

Vendi

Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.

Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.

Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.

Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.

Continue Reading

Lajmet

Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.

Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.

Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.

Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.

Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.

Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.

Continue Reading

Të kërkuara