Lajmet

OKB: Numër alarmant i fëmijëve të vrarë në Sudan

Raportet tregojnë se shtatë fëmijë vriten ose plagosen çdo orë.

Published

on

Kombet e Bashkuara paralajmëruan të premten se një numër i madh fëmijësh po vdesin në konfliktin e Sudanit, duke vënë në dukje raportet që tregojnë se shtatë fëmijë vriten ose plagosen çdo orë.

“Siç u frikësuam dhe siç paralajmërohej, situata në Sudan është bërë fatale për një numër të madh fëmijësh”, u tha gazetarëve në Gjenevë, James Elder, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për fëmijë, UNICEF.

Ai tha se agjencia ka marrë raporte nga një partner i besuar – ende i pa verifikuar në mënyrë të pavarur nga OKB-ja se 190 fëmijë janë vrarë dhe 1.700 janë plagosur vetëm në 11 ditët e para të konfliktit, që ka filluar më 15 prill.

Elder vuri në dukje se ata numra janë mbledhur nga institucionet shëndetësore në Kartum dhe rajonin e Darfurit.

Kjo do të thotë se mbulon vetëm fëmijët që arritën në institucionet e kujdesit shëndetësor në ato zona, tha ai, duke paralajmëruar se “realiteti ka të ngjarë të jetë shumë më i keq”.

Qindra njerëz janë vrarë dhe qindra mijëra janë larguar nga shtëpitë e tyre në Sudan që nga fillimi i betejave tri javë më parë midis forcave të shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan dhe Forcave të Reagimit të Shpejtë (RSF) të ish- zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo.

Palët kanë rënë dakord për një varg armëpushimesh të shkurtra, por asnjëra nuk është respektuar plotësisht dhe të premten sulmet ajrore dhe të shtënat me armë vazhduan të tronditin Kartumin për ditën e 21 me radhë.

Agjencia e OKB-së për refugjatët dënoi gjithashtu situatën e rëndë në Sudan, duke u kërkuar të gjitha vendeve që të përmbahen nga kthimi i shtetasve sudanezë në vend.

“UNHCR u kërkon të gjitha vendeve që t’i japin civilëve që ikin nga Sudani qasje jodiskriminuese në territoret e tyre”, u tha gazetarëve Elizabeth Tan, shefja e mbrojtjes ndërkombëtare brenda kësaj agjencie.

“Kjo vlen për shtetasit sudanezë, shtetasit e huaj, duke përfshirë refugjatët që po strehoheshin nga Sudani, personat pa shtetësi dhe ata që nuk posedojnë pasaporta ose dokumente të tjera identiteti”, tha ajo, shkruan Rel.

UNHCR tha se po përgatitet për një largim të 860.000 njerëzve nga Sudani në vendet fqinje, me më shumë se 113.000 njerëz që janë larguar tashmë nga vendi. Qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur brenda Sudanit.

“Ne u jemi mirënjohës të gjitha vendeve fqinje që i kanë lejuar ata të kërkojnë siguri”, tha Tan.

Duke treguar për paqëndrueshmërinë aktuale në Sudan, ajo tha se agjencia u bëri thirrje vendeve që “të pezullojnë nxjerrjen e vendimeve negative për kërkesat për azil të paraqitura nga shtetas sudanezë ose persona pa shtetësi që banonin zakonisht atje”. Ajo theksoi se vendimet negative të azilit të dhëna më parë mund të kenë nevojë të rishqyrtohen.

Lajmet

Arrestohen katër persona për mashtrim milionësh me prona në Prishtinë

Published

on

By

Katër persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në një skemë mashtrimi dhe falsifikimi dokumentesh që dyshohet se ka rezultuar me përfitim të kundërligjshëm mbi 1.5 milion euro, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, më 19 shkurt 2026, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas një pune të gjatë operative dhe hetimore, kanë siguruar prova që implikojnë të dyshuarit me inicialet M.M., Sh.B., D.R. dhe B.Zh. në veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.

“Përmes veprimeve të kundërligjshme, përfshirë falsifikimin e dokumenteve si pasaportë e Serbisë dhe dokumente të tjera  dhe duke i përdorur ato si të vërteta, si dhe duke prezantuar një person të rrejshëm si person real, të dyshuarit kanë arritur të tjetërsojnë-shesin përmes noterit pronën e ankuesit M.T., në sipërfaqe prej 36.28 ari”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas të dhënave zyrtare, prona dyshohet se është shitur tek blerësi H.M. me pretendimin se dokumentacioni ishte i rregullt dhe ligjor. Në këmbim të kësaj shitjeje, të dyshuarit dyshohet se kanë përfituar shumën prej 1,578,180.00 euro.

Me urdhër verbal të prokurorit të rastit janë realizuar kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar 9,000 euro para të gatshme, të cilat do të shërbejnë si provë materiale në procedurat e mëtejme.

Të dyshuarit po hetohen për veprat penale “mashtrimi” , “falsifikimi i dokumenteve”  dhe “legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës dhe konsultimit me prokurorin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, raportoi Policia.

Continue Reading

Lajmet

Kancelari gjerman Merz, uron Kurtin për mandatin e ri

Published

on

By

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rizgjedhjen e tij në krye të Qeverisë së Kosovës. Në letrën drejtuar Kurtit, Merz shprehu gatishmërinë për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Jam i bindur se me përvojën tuaj do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejmë euroatlantik të Kosovës”, shkruan kancelari gjerman, duke theksuar se Kosova ka një partner të fortë dhe të besueshëm në Gjermani gjatë këtyre proceseve.

Merz gjithashtu përmendi sfidat përpara Qeverisë së Kosovës, duke përfshirë avancimin e dialogut të normalizimit me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Gëzohem që do të vazhdojmë së bashku të thellojmë marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore ndërmjet vendeve tona”, përfundon kancelari në mesazhin e tij drejtuar Kurtit.

Continue Reading

Lajmet

Hapet Konsullata e Lituanisë në Kosovë

Published

on

By

Lituania ka hapur zyrtarisht Konsullatën e saj në Kosovë, një ngjarje kjo që po konsiderohet si një hap historik drejt thellimit të raporteve diplomatike dhe bashkëpunimit mes dy shteteve. Në ceremoninë zyrtare të organizuar me këtë rast, ambasadori jorezident i Lituanisë për Kosovën, Eduardas Borisovas, deklaroi se hapja e kësaj konsullate përfaqëson një angazhim konkret për forcimin e bashkëpunimit në sferën institucionale, ekonomike dhe atë kulturore. Borisovas nënvizoi se vendi i tij mbetet një mbështetës i palëkundur i integrimit evropian të Kosovës dhe konsolidimit të shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare, raporton RTK.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, i cili e vlerësoi këtë akt si një dëshmi të besimit të ndërsjellë dhe partneritetit strategjik. Sipas tij, prioritet mbetet shkëmbimi i përvojave në reformat demokratike dhe fuqizimi i raporteve parlamentare. Rëndësinë e kësaj pranie diplomatike e theksoi edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili u fokusua te bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke u shprehur se konsullata do të jetë një urë e rëndësishme për koordinimin e çështjeve me interes të përbashkët.

Nga ana tjetër, Konsulli i Nderit, Bashkim Zeqiri, u zotua se do të punojë intensivisht për promovimin e interesave të dyanshme, duke krijuar mundësi të reja në fushën e ekonomisë, arsimit dhe investimeve. Hapja e kësaj konsullate shihet si një sinjal i fuqishëm i përkushtimit të Lituanisë dhe Kosovës për një partneritet afatgjatë, të bazuar në solidaritetin dhe vizionin e përbashkët për një të ardhme brenda familjes evropiane.

Continue Reading

Lajmet

SHBA kërkon reformimin e NATO-s: Synohet reduktimi i misioneve në Kosovë, Irak dhe rajone të tjera

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga NATO një ndryshim rrënjësor të strategjisë së saj, duke propozuar reduktimin e misioneve jashtë territorit tradicional të aleancës. Ky plan, i cili brenda qarqeve diplomatike po njihet si “rikthim në rregullimet e fabrikës”, synon që NATO të përqendrohet kryesisht në detyrat e saj bërthamë të mbrojtjes dhe parandalimit, duke lënë anash menaxhimin e krizave në rajone të tjera, raporton POLITICO.

Sipas burimeve diplomatike, administrata amerikane po lobon për mbylljen e misionit këshillues në Irak dhe zvogëlimin e prezencës paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë. Kjo lëvizje është pjesë e një vizioni më të gjerë për ta trajtuar NATO-n si një pakt strikt mbrojtës euro-atlantik, duke kufizuar angazhimet e saj në zona që konsiderohen jashtë sferës parësore të sigurisë së aleancës. Në këtë kuadër, SHBA-ja po sugjeron gjithashtu që partnerët si Ukraina dhe vendet e Indo-Paqësorit të mos jenë pjesë zyrtare e takimeve në samitin e ardhshëm në Ankara.

Ky drejtim i ri, i prezantuar si “NATO 3.0”, kërkon që forcat evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe të jenë të afta të përballen me skenarët më kritikë të mbrojtjes. Ndonëse Uashingtoni ka rikonfirmuar përkushtimin e tij ndaj sigurisë evropiane, kërkesa për të reduktuar praninë në vatra të ndryshme të krizave ka nxitur diskutime mes aleatëve. Shumë vende anëtare vlerësojnë se partneritetet dhe misionet aktuale janë thelbësore për stabilitetin e përgjithshëm, ndërkohë që çdo ndryshim i mundshëm në terren do të kërkojë dakordësinë e plotë të të gjithë aleancës.

Continue Reading

Të kërkuara