Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Faisal Ghazi Ismail Hifzi, me të cilin bisedoi për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve.
Në fokus të diskutimit ishte thellimi i bashkëpunimit ekonomik, përfshirë nxitjen e investimeve në Kosovë, si dhe mbështetja e mëtejshme ndërkombëtare që Arabia Saudite mund të ofrojë për Kosovën. Palët u pajtuan për rëndësinë e forcimit të lidhjeve ndërmjet qytetarëve të të dy vendeve dhe avancimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Arabisë Saudite, duke theksuar përkushtimin institucional të Kosovës për thellimin e kësaj miqësie.
Gjatë takimit, ambasadori Hifzi i dorëzoi Presidentes Osmani ftesën zyrtare të Lartmadhërisë së Tij, Princit të Kurorës dhe Kryeministrit të Arabisë Saudite, Princit Mohammed bin Salman bin Abdulaziz Al Saud, për të marrë pjesë në forumin prestigjioz “Future Investment Initiative”, që do të mbahet së shpejti në Riad.
Presidentja falënderoi ambasadorin për ftesën dhe ritheksoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të punuar ngushtë me Mbretërinë e Arabisë Saudite në funksion të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit strategjik./D.B/KP