Lajmet

OKB: Më shumë se 400.000 fëmijë janë zhvendosur si pasojë e luftimeve në Liban

Published

on

Më shumë se 400.000 fëmijë në Liban janë zhvendosur në tre javët e fundit, tha një zyrtar i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për fëmijët. Ai paralajmëroi për “gjeneratë të humbur” në shtetin e përfshirë nga shumë kriza dhe tani po përballet edhe me luftë.

Izraeli ka përshkallëzuar fushatën e tij kundër Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor – përfshirë edhe duke nisur një ofensivë tokësore, pasi për një vit ka këmbyer zjarr në kufi, në kohën kur paralelisht po zhvillon luftë në Gazë kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Fëmijë të zhvendosur në Liban.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

Luftimet në Liban kanë detyruar 1.2 milion persona të largohen nga shtëpitë e tyre, shumica e tyre kanë ikur në Bejrut dhe në pjesë të tjera në veri të shtetit gjatë tri javëve të fundit, që kur janë përshkallëzuar luftimet.

Ted Chaiban, zëvendësshefi për veprime humanitare në UNICEF, ka vizituar shkolla që janë shndërruar në strehimore për familjet e zhvendosura.

“Këto tri javë të luftës kanë ndikuar shumë fëmijë”, tha Chaiban për Associated Press.

Aktualisht, 1.2 milion janë të privuar nga shkollimi. Shkollat e tyre publike ose janë të paqasshme, ose janë dëmtuar nga lufta, ose po përdoren si strehimore. Gjëja e fundit që i duhet këtij shteti është rreziku i një gjenerate të humbur”, shtoi ai.

Përderisa shkollat private libaneze ende janë duke operuar, sistemi publik i arsimit është goditur rëndë nga lufta.

Më shumë se 2.300 persona në Liban janë vrarë gjatë sulmeve izraelite, pothuajse 75 për qind e viktimave janë regjistruar në muajin e fundit, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë. Në tri javët e fundit, më shumë se 100 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 800 janë plagosur, tha Chaibani./REL/

Lajmet

Gjashtë motoçikleta sekuestrohen në Pejë për kundërvajtje në trafik

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 10 shtator, në Pejë janë sekuestruar gjashtë motoçikleta për kundërvajtje në komunikacion.

Sekuestrimi është kryer nga Njësia e Trafikut për Qytet e Stacionit Policor në Pejë, në kuadër të planit operativ “Siguria në shkolla”, i cili do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Sipas Policisë, motoçikletat janë sekuestruar për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë drejtimin pa patentë shoferi, pa regjistrim dhe pa helmetë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se aktivitetet në terren do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion.

Policia ka paralajmëruar “zero tolerancë” ndaj të gjithë kundërvajtësve në trafik./A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë

Published

on

By

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Zëvendësdekani i Departamentit të Turizmit në UBT, Prof. Alban Fejza, zhvilloi një takim në Ambasadën e Italisë në Kosovë, së bashku me Prof. Raffaella Ritucci dhe Lirdion Blakaj.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimeve të ndërsjella me UNITO – University of Turin dhe UNITA – Universitas Montium, aleanca universitare evropiane e koordinuar nga UNITO.

Diskutimi u fokusua në mundësi konkrete për bashkëpunim akademik, mobilitet, ndërkombëtarizim dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta, me synim që interesat e përbashkëta të shndërrohen në hapa konkretë.

Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të lidhjeve akademike dhe institucionale ndërmjet UBT-së, partnerëve italianë dhe hapësirës evropiane të arsimit të lartë.

Continue Reading

Lajmet

Tenderi afro 400 mijë eurosh për kamionë në Ekoregjion, aktakuzë ndaj tre personave

Published

on

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe ndaj subjektit juridik SH.P.K. “D.C & E”, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 7 qershor 2023 dhe gjatë periudhës 18 shtator 2023 deri më 16 nëntor 2023, në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie, A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për subjektin juridik SH.P.K. “D.C & E”.

A.G. dhe B.Sh. akuzohen se, në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik, kanë krijuar mundësi që tenderin “Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Ekoregjioni’”, në vlerë prej 385 mijë e 500 eurosh, ta përfitojë SH.P.K. “D.C & E”.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime buxhetit të KRM “Ekoregjioni” i është shkaktuar dëm në shumën prej 233 mijë e 685.37 eurosh.

Ndërkaq, R.Z. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”. Sipas aktakuzës, ai u ka paguar B.Sh. dhe A.G. shpenzimet e një udhëtimi jashtë territorit të Kosovës, me qëllim të koordinimit të veprimeve inkriminuese dhe ndikimit në dhënien e tenderit.

Prokuroria pretendon se R.Z. paraprakisht kishte arritur marrëveshje të kundërligjshme me të pandehurit, përmes së cilës ishin përshtatur specifikat teknike të tenderit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

OVL e UÇK-së kundërshton kërkesat për dënime ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Published

on

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka shprehur shqetësim lidhur me kërkesat e fundit të Prokurorisë së Specializuar për dënimin e Hashim Thaçit, Hajredin Kuçit, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Bashkim Smakajt, në rastin e pretenduar të pengimit të drejtësisë.

OVL e UÇK-së ka thënë se këto kërkesa nuk përbëjnë befasi, duke kritikuar qasjen e Prokurorisë së Specializuar ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Ato vijnë nga e njëjta Prokurori e Specializuar, e cila gjatë gjithë këtij procesi ka ndërtuar një qasje të njëanshme ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe ka ngritur akuza mbi një material të kontestueshëm, përfshirë edhe materiale të ardhura nga Serbia”, thuhet në reagimin e OVL-së.

Sipas tyre, kërkesat për dënime të rënda ngrejnë pikëpyetje nëse Prokuroria po përpiqet të arsyetojë punën e saj pas proceseve të zhvilluara në Hagë.

“Vendimi duhet të mbështetet në ligj dhe në standardet më të larta të drejtësisë, e jo në narrativat e Prokurorisë. Lufta e UÇK-së nuk mund të kriminalizohet përmes proceseve të njëanshme dhe drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi paragjykime politike”, thuhet në reagim.

OVL e UÇK-së ka theksuar se, pavarësisht kritikave ndaj Prokurorisë, pret që gjykatësit të vendosin në bazë të ligjit dhe standardeve të drejtësisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara