Lajmet

OKB: Bota duhet të përgatitet për zjarre edhe më ekstreme se këto të viteve të fundit

Zjarret e tila përkeqësohen nga ndryshimet klimatike.

Published

on

Numri i zjarreve të mëdha në mbarë botën do të rritet ndjeshëm në dekadat e ardhshme për shkak të ngrohjes globale dhe qeveritë nuk janë të përgatitura mirë për vdekjen dhe shkatërrimin që do të sjellin këto mega-zjarre, paralajmëroi OKB sot, përcjell UBT News.

Edhe përpjekjet më ambicioze për të frenuar emetimet e gazit serrë nuk do të parandalojnë një rritje dramatike të kushteve ekstreme të zjarrit, përfundoi një raport i porositur nga Programi i Mjedisit i OKB-së (UNEP).

“Deri në fund të shekullit, probabiliteti i ngjarjeve të zjarreve të ngjashme me ‘verën e zezë’ 2019-2020 të Australisë ose zjarret e mëdha të Arktikut në 2020 që ndodhën në një vit ka të ngjarë të rritet me 31-57 për qind”, thuhet në raport.

Zjarret e tilla po digjen aty ku kanë ndodhur gjithmonë por po shpërthejnë edhe në vende të papritura.

“Zjarret nuk janë gjëra të mira”, tha bashkëautori Peter, një ekspert në menaxhimin e zjarreve në pyje në Organizatën e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

“Ndikimet tek njerëzit – nga ana sociale, shëndetësore, psikologjike – janë fenomenale dhe afatgjata”, u tha ai gazetarëve në një konferencë.

Zjarret e mëdha, të cilat mund të bëhen të pakontrolluara për ditë ose javë, shkaktojnë probleme të frymëmarrjes dhe zemrës, veçanërisht për të moshuarit por edhe shumë të rinjë.

Një studim i fundit në The Lancet arriti në përfundimin se ekspozimi ndaj tymit të zjarrit rezulton, mesatarisht, në më shumë se 30,000 vdekje çdo vit në 43 kombe për të cilat kishte të dhëna.

Dëmet ekonomike në Shtetet e Bashkuara, një nga vendet e pakta që ka llogaritur kosto të tilla, kanë variuar nga 71 deri në 348 miliardë dollarë (63 deri në 307 miliardë euro) në vitet e fundit, sipas një vlerësimi të cituar në raport.

Zjarret e mëdha mund të jenë gjithashtu shkatërruese për jetën e kafshëve, duke i shtyrë disa specie të rrezikuara më pranë pragut të zhdukjes.

Gati tre miliardë gjitarë, zvarranikë, zogj dhe bretkosa u vranë ose u dëmtuan, për shembull, nga zjarret shkatërruese të Australisë më 2019-2020, kanë llogaritur shkencëtarët.

Zjarret e tila përkeqësohen nga ndryshimet klimatike.

Valët e të nxehtit, kushtet e thatësirës dhe lagështia e reduktuar e tokës të përforcuar nga ngrohja globale kanë kontribuar në zjarret e paprecedentë në pjesën perëndimore të SHBA-së, Australi dhe pellgun e Mesdheut vetëm në tre vitet e fundit.

Edhe Arktiku – më parë imun ndaj zjarreve – ka parë një rritje dramatike të flakëve, duke përfshirë të ashtuquajturat “zjarre zombie” që digjen nën tokë gjatë gjithë dimrit përpara se të shpërthejnë sërish në flakë.

Por zjarret gjithashtu përshpejtojnë ndryshimet klimatike, duke ushqyer një rreth vicioz të më shumë zjarreve dhe temperaturave në rritje.

I përpiluar nga 50 ekspertë të lartë, raporti bëri thirrje për një rishikim se si të trajtohet problemi.

“Përgjigjet e tanishme të qeverisë ndaj zjarreve shpesh janë vendosja e parave në vendet e gabuara”, duke investuar në menaxhimin e zjarreve sapo ato të fillojnë dhe jo në parandalimin dhe zvogëlimin e rrezikut, tha shefja e Mjedisit e OKB-së, Inger Andersen./UBTNews/

Lajmet

Dita e Kushtetutës së Kosovës

Published

on

By

18 vjet më parë, Kosova u bë me aktin më të lartë juridik, dokumentin bazë të shtetësisë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke i dhënë fund qeverisjes së Kosovës në bazë të rezolutës së Kombeve të Bashkuara 1244.

17 shkurti i vitit 2008 shënoi Kosovën në hartat politike të shteteve të pavarura ndërsa dy muaj më pas Kuvendi i Kosovës ratifikoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila më 15 qershor të po atij viti hyri në fuqi.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet për këtë ditë do të pushojnë më 9 prill, e enjte.

Continue Reading

Vendi

UBT lanson Global Virtual Campus, një model i ri i arsimit pa kufij

Published

on

By

UBT ka lansuar zyrtarisht konceptin më të ri inovativ në fushën e arsimit, Global Virtual Campus, një platformë që synon të transformojë mënyrën se si ofrohet edukimi në nivel global, përmes partneritetit strategjik me EON Reality.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky model është një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së arsimit gjithëpërfshirës dhe të qasshëm për të gjithë.

Në këtë kontekst, Global Virtual Campus është një koncept dhe model i ri, modeli i së ardhmes, që mundëson ofrimin e të njëjtës përmbajtje dhe të njëjtës cilësi kudo në botë, me të njëjtin potencial dhe përvojë, pa humbur kohë dhe me kosto të përballueshme për të gjithë. Pra, kjo qasje e aksesueshmërisë dhe përballueshmërisë, kudo dhe në çdo kohë, është thelbi i Global Virtual Campus, të cilin po e ofrojmë përmes partneritetit tonë me EON”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi deklaroi se UBT ka një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në arsimin e lartë, duke u renditur ndër institucionet më të vlerësuara globalisht në fusha kyçe si inovacioni, qëndrueshmëria, ndërmarrësia dhe shkenca.

Ai nënvizoi se institucioni njihet për standarde të larta cilësie dhe është i akredituar nga mekanizma ndërkombëtarë, përfshirë British Accreditation Council, si dhe gëzon një validim të fortë në raport me sistemin amerikan të arsimit.

“Ne besojmë fuqishëm në rëndësinë e kontaktit njerëzor dhe bashkëpunimit fizik, por në të njëjtën kohë duhet të shfrytëzojmë maksimalisht potencialin që ofron inteligjenca artificiale për të rritur cilësinë dhe për të zgjeruar qasjen në arsim”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Një nga shtyllat kryesore të këtij transformimi është integrimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara të vizualizimit në procesin mësimor. Sipas Hajrizi, përvoja e gjatë e partneritetit me platforma inovative si EON ka mundësuar ndërtimin e një sistemi që garanton cilësi të lartë të mësimdhënies, pavarësisht vendndodhjes së studentëve.

Global Virtual Campus synon të ofrojë përmbajtje dhe standard të njëjtë edukimi kudo në botë, duke eliminuar barrierat gjeografike dhe kohore, dhe duke hapur një epokë të re të arsimit global.

Video e plotë

Continue Reading

Lajmet

Kryesia dështon të miratojë rendin e ditës: Mospajtime për rezolutën e luftës

Published

on

By

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka përfunduar pa një pajtim për rendin e ditës të seancës së radhës, pas mospajtimeve mes partive politike për pozicionimin e rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës.

PDK-ja, e mbështetur edhe nga opozita tjetër, ka insistuar që kjo rezolutë të jetë pika e parë e rendit të ditës për seancën e së premtes. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që ajo të trajtohet si pikë e fundit, duke kërkuar një dakordim më të gjerë paraprak.

Për shkak të kësaj bllokade, rendi i ditës pritet të miratohet në fillim të seancës plenare. Përveç rezolutës për luftën, në agjendë janë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, votimi për anëtarin e Këshillit Prokurorial, si dhe debati për rritjen e çmimit të naftës.

Continue Reading

Vendi

Kurti pret drejtoren e NATO-s: FSK po përgatitet për mision në Gazë

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe sigurinë në vend.

Gjatë takimit, Kurti falënderoi aleancën veri-atlantike për rolin e saj në stabilitetin e Kosovës, ndërsa kërkoi më shumë mundësi trajnimi për pjesëtarët e FSK-së në institucionet e NATO-s.

Kryeministri njoftoi se Forca e Sigurisë së Kosovës, pas sukseseve në disa misione ndërkombëtare, aktualisht po përgatitet për të zbarkuar në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Kryeministri Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ndërsa, shtoi se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Ndërsa, përmendi edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Nga ana tjetër, zyrtarja e lartë e NATO-s vlerësoi lart këtë vendim dhe falënderoi Kosovën për bashkërendimin e ngushtë me aleancën në rrugën drejt integrimit.

 

Continue Reading

Të kërkuara