Lufta në Prekaz zuri vendin dominant në lajmet e datës 5 mars 1998. E kuptueshme. Përballë propagandës së Serbisë, gazetarët shqiptarë kryen me shumë sukses punën e tyre, duke njoftuar opinionin e brendshëm dhe të jashtëm për çfarë po ndodhte në Kosovë.
Lajmi i parë, me shenjën URGJENT, u dha që në orët e para të mëngjesit.
Qendra për Informim e Kosovës solli këtë ditë të gjitha lajmet për zhvillimet në Prekaz e në krejt Drenicën, duke përdorur kryesisht burimet e saj nga terreni.
Edicioni i parë (ora 7:30)
URGJENT! GJENDJE DRAMATIKE NË LLAUSHË E NË PREKAZ
Forcat serbe ua kanë mësyrë fshatrave
Forca të mëdha serbe po bëhen gati për të sulmuar fshatrat Prekaz dhe Llaushë të Skënderajt.
Një dëshmitar i besueshëm në Llaushë i tha QIK-ut se forcat serbe, në formacione ofanzive këmbësorie po i afrohen fshatit të tij nga tri anë të malit. Depërtimi ka filluar në orën pesë të mëngjesit.
Burimet e LDK-së njoftojnë për një gjendje të njëjtë edhe në fshatin Prekaz i Ulët.
Ndërkohë nga Mitrovica e Gllogoci njoftohet se forca të mëdha serbe po shkojnë në drejtim të Skënderajt.
Një burim i LDK-së në Gllogoc i tha QIK-ut në orën 6,30 min se drejt Skënderajt ishin nisur disa autoblinda me picgauerë dhe xhipa.
Në orën 7 po ky burim tha se në Gllogoc kishin arritur tre autobus me policë dhe disa kamionë.
Në orën 7, 20 një burim nga Skënderaj tha se forca të mëdha serbe me tanke e me autobus po arrijnë vazhdimisht për rreth fshatit Llaushë.
Një burim nga Prekazi tha në orën 7:25 se në moment po dëgjoheshin krisma armësh.
Burimet e LDK-së në Skënderaj thonë se pas masakrave të forcave serbe në Likoshan e Qirez, fshatarët e LLaushës e të Prekazit do të vetorganizohen në mbrojtje të familjeve dhe të shtëpive të veta.
Dega e LDK-së në Skënderaj dhe qytetarët e Drenicës u drejtojnë apel dramatik faktorëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë urgjentisht për të evituar një masakër të re të forcave serbe. /Ora: 7:30/

Edicioni i dytë u botua në orën 8:30.
Lajmet ishin: URGJENT! Në Prekaz shtihet me topa, në Llaushë u plagos me armë zjarri Miftar Rrecaj; Në Shipol të Mitrovicës nuk lejohet qarkullimi i njerëzve; Efekte katastrofale të luftës speciale.
Edicioni i tretë erdhi në orën 9:15: URGJENT! Nga Fabrika e Municionit në Skënderaj po shtihet me topa mbi Prekaz;
Në edicionin e katërt (ora 10:00) njoftohej se “Prekazi vazhdon të gjuhet me topa”. Njoftohej edhe për vendosjen e snajperistëve serbë rreth Presidencës dhe QIK-ut
Edicioni i pestë (ora 10:30) njoftonte për “Sulm masiv serb në një zonë të gjerë të Drenicës”.
Në edicionin e gjashtë (ora 11:50) njoftohej për një konferencë për shtyp, mbajtur nga këshilltari për informim i Kryetarit Rugova, Xhemajl Mustafa.
Lajmet e tjera të këtij edicioni ishin: Popullsia e Drenicës lëviz drejt Vushtrrisë; Kontakte të vështirësuara me fshatrat e Skënderajn; Radio Beogradi njoftoi për plagosjen e dy policëve afër Skënderajt.
Në edicionin e shtatë (ora 13:00) njoftohej se, pas gjuajtjeve nga larg, forcat serbe po u afrohen këmbë fshatrave të sulmuara.
Në edicionin e tetë ishin këta tituj: Dr. Rugova do të bisedojë me z. Robin Kuk; Përfaqësuesit e LDK-së takohen me z. Robin Kuk; Anëtarët e Kryesisë së LDK- së u nisën për në Vushtrri, Mitrovicë e Skënderaj; Situata në Drenicë e pandryshuar; Të larguarit nga vatrat e tyre po lëvizin në drejtim të Mitrovicës dhe të Gllogocit; Nga Spitali i Mitrovicës janë larguar të sëmurët shqiptarë; Gjendje e rëndë në Klinë; Në Prishtinë gjendje e tensionit; KMDLNJ: Lëvizje të forcave serbe në Junik; Të larguarit nga vatrat e veta arritën në Magurë të Lipjanit; Në Mitrovicë arriti Nikollas Hill; Këshilli për Organizimin e Protestave (KOP) shndërrohet në organ të përhershëm; Ollbrajt e Kinkel do të diskutojnë për Kosovën; Kinkel: Kosovën duhet ta bëjmë temë kryesore ndërkombëtare; Toni Bler foli për Kosovën; “Tajms”: NATO është shumë e shqetësuar për Kosovën; “Izvestia” shkruan se Millosheviqit duhet t’i lihen duart e lira në Kosovë; Apel i shtatë organizatave studentore nga Beogradi dhe Novi Sadi; AFP: Kronologji e ngjarjeve në Kosovë; Forca të mëdha policore po parakalojnë rrugëve të Podujevës; Në Bruksel 11 të rinj shqiptarë në ditën e tretë të grevës së urisë; Punëtorët e Institutit të Historisë apelojnë për pengimin e masakrës shtetërore serbe mbi shqiptarët në Kosovë; Shoqata e Intelektualëve të Drenicës apelon për për ndërprerjen e flakës në Drenicë; Akademia e Kosovës dënon ashpër masakrën policore në Drenicë; Policia dhe ushtria serbe kanë rrethuar disa fshatra të Vushtrrisë; Situatë e rëndë edhe në Pejë; “Human Rights Ëatch” kërkon hetime për masakrën e Drenicës; Rojteri njofton për të shtëna mbi policinë serbe dje në Prishtinë; Ndërpriten të gjitha aktivitetet sportive në Kosovë; Trajkoviqi dhe peshkopi Artemije paralajmëruan një vizitë në Tiranë?

Në edicionin e nëntë (ora: 16:00) botoheshin lajmet: Apel i kryetarit Rugova dërguar Klintonit, Blerit, Shirakut dhe Kolit të bëjnë trysni mbi regjimin e Beogradit; Kryetari Rugova bisedoi me telefon me ministrin britanik Kuk; Dr. R. Gjergji e B. Musmurati po qëndrojnë në Vushtrri; Në Prishtinë pasdite u mbyllën dyqanet; Podujevë: Policia u tërhoq nga qyteti i boshatisur nga njerëzit që në mesditë; Reagim i PSHDK-së për ngjarjet e sotme në Drenicë; Agjencia Rojter raportoi për sulmin e sotëm serb në Drenicë; “Kosovë, ne jemi me ty” është motoja e protestës që mbahet sot në Tetovë; PPD, PDSH, PRUP, PAD, RV dhe LGSH nesër në sheshin qendror të Shkupit organizojnë protestë; Kiro Gligorov: Milosheviqi pret që të përzihet Shqipëria; Qeveria shqiptare kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB‑së për situatën në Kosovë; Të veprojmë si një komb i vetëm në mbrojtje të interesave kombëtare; Ministri i jashtëm shqiptar kërkon zgjidhjen e problemit të Kosovës në rrugë paqësore;
Edicion i dhjetë (Ora 17,30) kishte këto lajme: Përfaqësuesit e LDK-së u takuan me Ministrin Robin Kuk; Vazhdon sulmi në Prekaz, Vojnikë e Açarevë; Kumtesë e KI të LDK-së: Serbia po zhvillon luftë speciale propaganduese; Delegacioni i FG të LDK-së u prit në Zyrën amerikane në Prishtinë; Korrespondenti i “Rilindjes” arriti paradite deri në Prekaz të Poshtëm; Apel i PEN-Qendrës Shqiptare PEN-it Ndërkombëtar; Apel i Institutit të Historisë; Apel i Shoqatës së Intelektualëve të Drenicës; Apel i Kryqit të Kuq të Kosovës; Policia pengoi protestën e grave para Zyrës Amerikane në Prishtinë; Disa familje janë vendosur në Miradi të Epërme; Subjektet politike në Mitrovicë kërkojnë ndërhyrje për të shpëtuar popullin e Drenicës; Parlamenti shqiptar sonte mban një mbledhje të jashtëzakonshme; “Human Rights Ëatch” kërkon hetime për masakrën e Drenicës.
Në edicionin e njëmbëdhjetë (Ora 19,30) botohen lajmet: Shtrëngohet rrethimi i fshatit Llaushë; Qeveria e Malit të Zi kërkon dialog serbo- shqiptar me ndërmjetës ndërkombëtar; Në Tetovë u mbajt miting përkrahjeje për shqiptarët në Kosovë; Protestë në Preshevë kundër terrorit serb në Kosovë; KMDLNJ apelon për ndihmë te organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut; Suedia orvatet ta ngrisë çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit;
Ndërsa, edicioni i dymbëdhjetë kishte këto lajme: Në Skënderaj e rrethinë kanë pushuar të shtënat; Dr. Rexhep Gjergji: Lagja Jasharaj digjet flakë nga artileria serbe; Policia serbe pranon se i vrau sot së paku 20 shqiptarë; R. Gjergji e B. Musmurati qëndruan në Vushtrri; Komunikatë e Këshilltarit për Arsim të Kryetarit të Republikës së Kosovës, Dr.Zejnullah Rrahmani; Komesariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë akuzon Beogradin se po i armatos refugjatët serbë në Kosovë.