Lajmet

Oda Ekonomike Amerikane kërkon shtyrjen e afatit për liberalizim të tregut të energjisë

Published

on

Vetëm pesë ditë para hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizim të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka ngritur alarmin për pasojat e mundshme të këtij tranzicioni, të cilin e cilëson si të parakohshëm dhe të rrezikshëm për stabilitetin ekonomik të vendit.

Në një deklaratë për media, OEAK-u i bëri thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që ta shtyjë afatin e liberalizimit, për ta përdorur këtë periudhë për të krijuar kushtet që do ta bënin këtë reformë më të pranueshme për bizneset.

“Pa këto aspekte, liberalizimi rrezikon të shkaktojë dëme afatgjata në ekonominë, klimën e biznesit dhe konkurrueshmërinë e Kosovës”, thuhet në deklaratën e OAEK-ut.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka marrë vendim që nga data 1 qershor të gjitha kompanitë e mëdha, konkretisht ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.

Sipas ZRRE-së, numri i tyre është mbi 1.000.

Aktualisht, këto biznese furnizohen nga Operatori për Furnizim me Energji (KESCO), si furnizuesi kryesor i licencuar për energji me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.

Ndërsa nga 1 qershori, kompanitë e mëdha duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre, me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

Sipas Odës, ky vendim rrezikon të dëmtojë aktivitetet ekonomike në Kosovë, veçanërisht në sektorët industrialë me konsum të lartë të energjisë, pasi që bizneset po përballen me rritje të çmimit të energjisë deri në 200% për qind.

“Ky nuk është një treg konkurrues. Është një tranzicion i parakohshëm që imponon një shok financiar të menjëhershëm për bizneset, të cilat edhe ashtu janë nën presion për shkak të faktorëve të tjerë ekonomikë”, thuhet në deklaratë.

OEAK-u thekson gjithashtu se, ndryshe nga shtetet fqinje që kanë diversitet të burimeve energjetike si gazi natyror, Kosova varet pothuajse tërësisht nga energjia elektrike, gjë që e bën sistemin energjetik të vendit më të brishtë dhe më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të tilla.

Një shqetësim tjetër i ngritur nga OEAK-u është mungesa e një Kuvendi funksional, që sipas saj cenon llogaridhënien institucionale dhe vë në dyshim legjitimitetin e zbatimit të një reforme kaq të thellë pa mbikëqyrje parlamentare.

“Liberalizimi i tregut nuk është problem në vetvete, por mënyra se si po bëhet – pa një periudhë kalimtare, pa kushte reale tregu dhe me njoftim vetëm tre muaj më parë – është jo vetëm e papërgjegjshme, por potencialisht dëmtuese për të gjithë ekonominë”, theksohet në deklaratë.

Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2017, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

Aktualisht, në tregun e lirë të Kosovës janë të licencuara 18 kompani që ofrojnë furnizim me energji elektrike, shumica prej të cilave janë nga Kosova, por ka edhe kompani nga rajoni./REL/

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara