Lajmet

“Observim përtej Verdiktit të Hagës dhe pasojave të mundshme ndaj Sigurisë Kombëtare të Kosovës”

Published

on

Shkruan; Arian Kadriu- Profesor i Studimeve të Sigurisë në UBT

Si profesor i përkushtuar ndaj analizave të arkitekturës së sigurisë dhe rreziqeve në Ballkanin Perëndimor, si dhe si qytetar kosovar që e mban mend çmimin e madh që u pagua për lirinë tonë, ku në atë periudhë të luftës çlirimtare kundër regjimit gjenocidal të “kasapit të Ballkanit” Slobodan Millosheviq, shpesh shikoj studentët e mi në Prishtinë dhe mendoj se çfarë lloj të ardhmeje po ndërtojmë për ta.

Proceset aktuale dhe vendimet e ardhshme në Dhomat e Posaçme të Kosovës në Hagë kanë hedhur një hije të rëndë emocionale dhe politike mbi kombin tonë.

Sa herë që titujt ndërkombëtarë risjellin plagët e fundit të viteve ’90, më vjen në mend një bisedë që pata vite më parë me dajën tim, veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku më tha: “Dajko, ne nuk luftuam që fëmijët tanë të jetonin në frikë ose pasiguri të përhershme, luftuam që ata të mund të jetojnë lirshëm në një shtet sovran të qeverisur nga ligji”.

Këto fjalë për mua mbeten një pikë referance për domosdoshmërinë tonë strategjike sot. Rezultatet gjyqësore në Hagë paraqesin dilema të rënda sigurie për Republikën e Kosovës. Megjithatë, për të kaluar këtë moment, duhet të ndajmë dhimbjen emocionale nga strategjia jonë kombëtare, duke siguruar që nderi, sakrifica dhe paqja jonë të mbeten të palëkundura.

Shqetësimet për sigurinë dhe mundësitë për eskalime mund t’i parashohim në një perspektivë strategjike të sigurisë, ku verdiktet e pritura sjellin tre fusha të rëndësishme të pasigurisë që udhëheqësia institucionale duhet t’i menaxhojë.

E para është “Kërcënimet hibride dhe lufta informacionale”, ku armiku i jashtëm, veçanërisht shërbimet e inteligjencës armiqësore që operojnë në periferi rajonale, rutinisht shfrytëzojnë momentet e drejtësisë tranzitore dhe kaosit psikologjik te masat e zhgënjyera. Përmes fushatave të qëllimshme të dezinformatave, aktorët keqdashës përpiqen të ndezin pakënaqësi të brendshme, të paraqesin institucionet shtetërore si të nënshtruara dhe të nxisin trazira publike.

Qëllimi kryesor është të dobësohet besimi midis qytetarëve të Kosovës dhe aleatëve tanë perëndimorë, veçanërisht NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Gjithashtu rëndësi ka dhe mobilizimi i akademikëve të fushave të sigurisë, kibernetikës dhe fushave të tjera që ndërlidhen me sigurinë, si profesionistë të sigurisë dhe atdhedashës; detyra jonë akademike dhe kombëtare është të ndërtojmë reziliencë shoqërore, të forcojmë mekanizmat mbrojtës të hapësirës kibernetike informative dhe të garantojmë që dinjiteti dhe sovraniteti i Kosovës të mbeten të paprekshëm përballë çdo agresioni të mundshëm asimetrik.

E dyta është “Polarizimi i brendshëm dhe dinamika e protestave që mund të bëhen të dhunshme”, që shfaqet me peshën emocionale që bart shoqëria jonë në lidhje me trashëgiminë historike të UÇK-së e cila nuk mund të mbivlerësohet. Nëse vendimet shkaktojnë indinjatë të gjerë popullore, ekziston një rrezik i qartë që aktorët politikë ose fraksionet majtiste të shfrytëzojnë pikëllimin publik për fitim individual ose politik. Mobilizimi i pakontrolluar në rrugë rrezikon të eskalojë në përleshje me organet e rendit ose elementët e sigurisë ndërkombëtare (KFOR), duke dobësuar përfundimisht sigurinë e brendshme.

Duhet pasur parasysh se institucionet e sigurisë së shtetit tonë (Policia, FSK, AKI) meritojnë çdo lavdatë dhe mirënjohje për shërbimin që nga periudhat e themelimit të tyre. Ata janë djem dhe vajza, burra dhe gra, vëllezër dhe motra tona, të frymëzuar nga lufta çlirimtare e UÇK-së (disa prej tyre edhe veteranë të asaj luftë çlirimtare) për ta zgjedhur atë profesion dhe për të mbrojtur çdo qytetar të Republikës së Kosovës pa dallim feje, gjinie, etnie apo orientimi politik. Çdo sulm i mundshëm ose eskalim i dhunshëm ndaj tyre në emër të padrejtësisë ndaj UÇK-së përbën një paradoks dhe është sulm ndaj vetvetes për dikë që beson dhe ndihet emocionalisht i lidhur me Kosovën.

Kujdes të shtuar duhet të kenë edhe figurat publike, mediat dhe analistët duke treguar përgjegjësi sociale dhe të mos u japin hapësirë propagandës së shteteve ose aktorëve armiq, pasi gjuha e urrejtjes dhe lajmet e fabrikuara në rrjetet sociale janë shpesh shkaku kryesor që nxit dhunën joproporcionale në rrugë. Me fjalë të thjeshta apo “get to the point”, nuk e kemi luksin dhe komoditetin për luftëra dhe konflikte brenda llojit, sepse pasojat afatgjata do të ishin më shkatërrimtare se sa mund të parashikohen.

Rreziku i tretë është “Tensionet ndëretnike në zonat e ndjeshme”, ku mund të përshkruhen tensionet shoqërore në komunat me përzierje etnike, sidomos në veri të Kosovës, ku vazhdojnë të jenë të ndjeshme ndaj retorikës që vjen edhe nga Beogradi. Elementë radikalë nga të dyja anët e spektrit politik mund të interpretojnë vendimet gjyqësore si provokime, që mund të shkaktojnë incidente lokale të sigurisë dhe të ftojnë ndërhyrje më të gjerë ndërkombëtare ose të destabilizojnë procesin e brishtë të dialogut.

Kjo gjë i jep në dorë direkt justifikim për viktimizim qeverisë serbe dhe momentum për mundësinë në rëndimin e situatës së figurave heroike të gjalla të dënuara padrejtësisht në Hagë. Të mos bihet pre e provokimeve në raste të caktuara të cilat sipas me stampave të kaluara janë përsëritur, ku njëra nga armët më të fuqishme të qeverisë serbe është viktimizimi që çon deri te justifikimi për agresion dhe akte dhune nga ana e tyre, si ato që ndodhën në Banjskë dhe Ibër-Lepenc.

Për t’i evituar këto rreziqe dhe eskalime të mundshme duhet ruajtur stabilitetin e shtetit, të bëjmë çdo gjë të mundur dhe të bashkuar në rrugën e drejtë për të fituar në fazën e apelit të Gjykates Speciale. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë mbrojtëse e drejtë kundër një aparati shtetëror gjenocidal, e cila synonte zhvendosjen dhe nënshtrimin e dhunshëm të popullit tonë.

Asnjë tribunal gjyqësor në botë nuk mund të rishkruajë qartësinë morale të lëvizjes sonë të çlirimit apo të pakësojë sakrificën heroike të dëshmorëve tanë. Besoj fort se nderi më i madh që mund t’i bëjmë UÇK-së nuk gjendet në protesta potencialisht të dhunshme që destabilizojnë vendin tonë, por në ruajtjen e vetë shtetit për të cilin ranë ata dhe të tjerët që një kohë kanë sakrifikuar edhe lirinë. Patriotizmi i vërtetë ka rrënjë në forcimin e institucioneve tona të sigurisë kombëtare, respektimin e sundimit të ligjit dhe ndërtimin e një Kosove të pakapërcyeshme, demokratike dhe me të ardhme të afërt në arkitekturën euro-atlantike. “Forca e një shteti të ri nuk testohet nga stuhitë që përballon, por nga qëndrueshmëria me të cilën institucionet e tij mbajnë dhe sigurojnë lirinë.”

Rekomandime strategjike për ruajtjen e paqes:

  • Komunikimet strategjike: Që nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet e sigurisë se si duhet t’u kundërpërgjigjen në mënyrë proaktive dezinformatave me mesazhe publike të qarta, empatike dhe faktike. Duhet të ketë një koordinim proaktiv të intensifikuar të sigurisë dhe harmonizim të vazhdueshëm operacional mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it të udhëhequr nga NATO, që është thelbësor për të parandaluar boshllëqet operative në zonat e cenueshme.
  • Atdhedashuria e maturuar akademike: E kërkon që dhimbja apo mospajtimi shoqëror të mos përkthehen në polarizim, trazira apo përplasje të brendshme, pasi çdo destabilizim i brendshëm pas këtij vendimi shfrytëzohet nga kundërshtarët e Kosovës për të arsyetuar narrativën e tyre.
  • Angazhimi dhe aktivizimi qytetar: Liderët politikë, akademikët dhe organizatat e veteranëve duhet të japin një shembull të angazhimit qytetar konstruktiv, duke nxitur shprehjen paqësore ndërkohë që refuzojnë dhunën.
  • Fokusi në integrimin euro-atlantik: Pasqyrohet me energjinë institucionale e cila duhet të mbetet e përqendruar tek objektivat tona strategjike afatgjata që janë anëtarësimi i plotë në NATO, integrimi në BE dhe prosperiteti ekonomik për të rinjtë tanë.

“Pas reve më të errëta del prapë dielli”

Me optimizëm të plotë që lufta ligjore për lirinë e heronjve të dënuar padrejtësisht dhe mundësinë e një fitoreje të drejtë në fazën e apelit, e them se Kosova ka përjetuar sfida shumë më të mëdha se sa mosmarrëveshjet gjyqësore në gjykatat ndërkombëtare. Ne kemi mbijetuar spastrimin etnik, kemi mbijetuar luftën dhe kemi ndërtuar një shtet modern të djegur e të shkatërruar nga hiri në më pak se tri dekada. Nuk duhet të ndikohemi nga frika, nga mosbesimi te njëri-tjetri apo nga paranoja e infiltruar dhe e fabrikuar nga armiqtë e jashtëm, por pikërisht në këtë fazë, më shumë se kurrë, duhet të udhëhiqemi përpara nga besimi, dinjiteti dhe paqja.

Rruga jonë përpara drejt së ardhmes nuk duhet të udhëhiqet as nga ankthi apo zemërimi, por nga vetëbesimi i palëkundur, dinjiteti institucional dhe angazhimi i palëkundur për paqe. Duke nderuar të vërtetën historike të luftës sonë për liri, ndërsa mbrojmë me vendosmëri institucionet tona demokratike, Republika e Kosovës do të dalë nga kjo faqe e ndërlikuar historike më e fortë, më e bashkuar dhe e vendosur përgjithmonë si një komb sovran në familjen e shteteve të lira dhe demokratike.

Asgjë e mirë nuk vjen lehtë; lirinë e kemi paguar shumë shtrenjtë me lot, me gjak, me djersë, me shumë viktima të vrara, me viktima të dhunuara dhe me njerëz të humbur që akoma sot nuk dihet për fatin e tyre. Kosova, falë edhe kontributit të ushtarëve çlirimtarë të dënuar në Hagë, e ka obligim edhe ndaj tyre të ruajë qetësinë, të konsolidohet si shoqëri e civilizuar dhe e unifikuar, si shtet i pavarur ta realizojë këtë luftë të drejtë ligjore drejt qëllimit të përbashkët për t’i ndihmuar ta fitojnë edhe një betejë të fundit ndaj një padrejtësie dhe të kthehen të lirë në vendin e tyre, për të cilin nuk e kanë kursyer as jetën!

 

 

Continue Reading

Lajmet

Vlora Spanca rizgjidhet Auditore e Përgjithshme e Kosovës

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka rizgjedhur Vlora Spancën në pozitën e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës.

Në votimin e zhvilluar në seancën plenare, Spanca mori mbështetjen e 62 deputetëve, ndërsa u regjistrua vetëm një abstenim. Me këtë vendim të Kuvendit, ajo do të udhëheqë Zyrën Kombëtare të Auditimit edhe për një mandat pesëvjeçar.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton në parim Projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Nisma ligjore mori mbështetjen e gjerë të deputetëve, duke u votuar me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Në të njëjtën seancë plenare, deputetët votuan në parim edhe Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Mijëra maturantë nga trojet shqipfolëse zgjedhin UBT-në – një destinacion akademik që tejkalon kufijtë

Published

on

By

UBT është bërë një nga destinacionet më të kërkuara akademike nga të rinjtë nga trojet shqipfolëse, duke mirëpritur çdo vit maturantë dhe studentë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe vise të tjera shqiptare. Për ta, zgjedhja e UBT-së nënkupton një mundësi për të studiuar në Kosovë, si dhe një mundësi për t’u bërë pjesë e një ekosistemi akademik me standarde ndërkombëtare, mundësi globale dhe lidhje të fuqishme me tregun e punës.

Në 25-vjetorin e themelimit, UBT e ndërton këtë rrugëtim mbi një kombinim të cilësisë akademike, kërkimit shkencor, inovacionit, teknologjisë dhe ndërkombëtarizimit, të dëshmuar përmes rangimeve prestigjioze, akreditimeve dhe vlerësimeve ndërkombëtare.

Rangime ndërkombëtare që dëshmojnë cilësinë dhe ndikimin

Një nga dëshmitë më të fundit është Times Higher Education (THE) Impact Rankings 2026, ku UBT është pozicionuar në grupin institucioneve më të mira në botë për ndikimin në zhvillimin e qëndrueshëm. Në krahasimin rajonal, UBT është renditur si institucioni akademik më i lartë ndër institucionet e përfshira nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

UBT është vlerësuar në të 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, duke dëshmuar ndikimin e tij në fusha që shkojnë përtej arsimit – nga kërkimi shkencor dhe inovacioni, te shëndeti, barazia, energjia e pastër, zhvillimi ekonomik dhe angazhimi me komunitetin.

Në SCImago Institutions Rankings 2026, UBT është renditur si institucioni më i mirë në Kosovë për kërkim shkencor, ndërsa në Webometrics është pozicionuar si institucioni më i mirë privat i arsimit të lartë në Kosovë dhe në hapësirën shqipfolëse, si dhe i treti në hapësirën shqipfolëse për citimet e publikimeve shkencore.

Po ashtu, UBT është renditur lart në WURI – World University Rankings for Innovation, në një platformë ku vlerësohen universitetet për inovacion dhe ndikim, krahas emrave të njohur ndërkombëtarisht si Harvard, MIT, Oxford dhe Stanford.

Në GreenMetric World University Rankings, UBT është pozicionuar ndër 250 universitetet më të mira në botë për veprimet ndaj ndryshimeve klimatike, duke e lidhur zhvillimin akademik me qëndrueshmërinë mjedisore.

Akreditime dhe njohje prestigjioze ndërkombëtare

Një tjetër dëshmi e rëndësishme e standardeve ndërkombëtare të UBT-së është akreditimi nga British Accreditation Council (BAC). Në vitin 2026, UBT u bë institucioni i parë dhe i vetëm në Kosovë dhe në rajon që mori këtë akreditim prestigjioz për një periudhë katërvjeçare. Procesi i vlerësimit përfshiu programet akademike, cilësinë e mësimdhënies, infrastrukturën, menaxhimin institucional, shërbimet për studentët dhe mekanizmat e përmirësimit të vazhdueshëm.

Në vitin 2026, UBT ka zgjeruar edhe më tej profilin e tij ndërkombëtar përmes njohjeve të reja, përfshirë akreditimin nga International Federation of Sports Medicine (FIMS) dhe njohjen e cilësisë nga AESOP – Association of European Schools of Planning për fushën e planifikimit hapësinor dhe urban.

Çmime që e vendosin UBT-në në hartën globale të arsimit

Përveç rangimeve dhe akreditimeve, UBT është vlerësuar edhe me çmime ndërkombëtare për inovacion, sipërmarrje dhe angazhim shoqëror. Ndër to veçohet çmimi “European Young Entrepreneurial University of the Year” nga Triple E Awards, ndërsa në edicionin e fundit të Global Triple E Awards, UBT u shpall “Engaged University of the Year”. Në të njëjtin vlerësim, Rektori Prof. Dr. Edmond Hajrizi u shpall “University Leader of the Year – Runner up”, duke u renditur ndër liderët më të vlerësuar globalisht në arsimin e lartë.

UBT është gjithashtu anëtar i ACEEU – Accreditation Council for Entrepreneurial & Engaged Universities, rrjet global që lidh institucione të arsimit të lartë të angazhuara në sipërmarrje, inovacion dhe ndikim shoqëror.

Një institucion që nuk njeh kufij

Këto rezultate i japin një dimension të ri zgjedhjes së UBT-së nga maturantët e trojeve shqipfolëse. Përtej afërsisë gjeografike dhe gjuhës së përbashkët, UBT ofron një përvojë akademike që synon t’i lidhë studentët me standardet, teknologjitë dhe mundësitë e një bote gjithnjë e më globale.

Me mbi 50 programe Bachelor dhe Master, më shumë se 200 laboratorë modernë, Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik, një rrjet prej 240 partnerësh ndërkombëtarë dhe një ekosistem të gjerë të kërkimit, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, UBT ofron mundësi për zhvillim akademik dhe profesional në një mjedis të orientuar nga e ardhmja.

Nga teknologjia, inxhinieria dhe biznesi, te arkitektura, drejtësia, shëndetësia, sporti, mediat, artet, gjuhët dhe shkencat sociale, studentët mund të zgjedhin nga një gamë e gjerë programesh të lidhura me kërkesat e tregut të punës dhe profesionet e së ardhmes.

Me një histori 25-vjeçare, rangime ndërkombëtare, akreditime prestigjioze, çmime globale dhe një ekosistem të ndërtuar rreth arsimit, shkencës dhe inovacionit, UBT vazhdon të ndërtojë një destinacion ku të rinjtë nga Ulqini, Presheva, Tetova, Shkupi, Kukësi, Shkodra, Tirana dhe qytete të tjera të trojeve shqipfolëse mund të studiojnë, zhvillohen, lidhen me botën dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre.

 

Continue Reading

Lajmet

Më 24 dhe 25 tetor mbahet Konferenca Ndërkombëtare e Shkencave Mjekësore në UBT

Published

on

By

Parku Inovativ i UBT-së në Lipjan do të jetë mikpritës i Konferencës Ndërkombëtare për Mjekësi, Infermieri dhe Shkenca Teknike Mjekësore, e cila do të zhvillohet më 24 dhe 25 tetor.

Ngjarja është akredituar zyrtarisht si aktivitet i Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP), duke u ofruar profesionistëve shëndetësorë mundësinë e marrjes së pikëve kredituese.

Aktiviteti u dedikohet infermierëve, biokimistëve, teknikëve të radiologjisë, anesteziologjisë, farmacisë, si dhe profesionistëve të tjerë të fushës. Sipas vendimit të akreditimit, pjesëmarrësit aktivë do të shpërblehen me 20 pikë EVP, ndërsa ata pasivë me 15 pikë.

Kostoja e pjesëmarrjes është 20 euro. Të gjithë të interesuarit duhet të kryejnë pagesën në llogarinë bankare të UBT-së në BPB, ta dërgojnë dëshminë me e-mail në [email protected] dhe ta paraqesin atë fizikisht ditën e ngjarjes për të konfirmuar pjesëmarrjen.

Continue Reading

Të kërkuara