Lajmet

​O’Brien: Nuk do të lejojmë dhunë në veri të Kosovës

O’Brien u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet provokuese në veri të Kosovës.

Published

on

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se ngjarje të dhunshme në veri të Kosovës, pas ngjarjeve në Banjskë në shtatorin e vitit të kaluar, Uashingtoni nuk do të lejojë të përsëriten.

Gjatë një bashkëbisedimi virtual me gazetarë më 11 janar, O’Brien u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet provokuese në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Ai tha po ashtu se është i kënaqur me bashkëpunimin dhe koordinimin e Policisë së Kosovës me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR në pjesën veriore të Kosovës, teksa rikujtoi se prania e paqeruajtësve ndërkombëtarë në këtë pjesë është rritur muajve të fundit.

“Po ashtu komunikimi dhe bashkëpunimi me Beogradin na ka lejuar një lloj qetësimi të situatës. Ne presim që kjo të vazhdojë dhe në muajt në vijim presim më shumë transparencë dhe diskutime. Kjo është shumë e rëndësishme veçmas pas ngjarjeve shtatorin e kaluar, kur një grup tentoi të dërgonte një sasi armësh që do të shkaktonin dhunë të madhe, nëse ata do të mund të çonin në fund planet e tyre. Mendoj se kjo është diçka që të dyja palët e kuptojnë se nuk do të lejohet të ndodhë dhe askush nuk dëshiron që kjo të përsëritet”, tha ai.

O’Brien iu referua sulmit në Banjskë të Zveçanit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh. Ky grup vrau një polic, ndërkaq gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues.

Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, por Beogradi mohoi çdo përfshirje.

Përgjegjësinë për sulmin, që Kosova e konsideron terrorist, e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Zyrtari i lartë amerikan tha se Ballkani Perëndimor “duhet të jetë evropiane, stabile dhe e sigurt, mbi të gjitha ky rajon ka nevojë për integrim ekonomik”.

Ai tha se kjo çështje është kyçe për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, pasi popullsia e tyre po largohet për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike.

O’Brien përsëriti se qëndrimi i SHBA-së nuk ka ndryshuar sa i përket mbështetjes së procesit të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ai u bëri thirrje palëve që të zbatojnë përgjegjësitë e tyre që dalin nga ky proces. Ai tha se ka pasur përparim në zbatimin e zotimeve të dialogut, sikurse ishte çështja e targave të makinave.

Zyrtari i lartë amerikan foli edhe për parregullsitë e raportuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë për zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore që Serbia mbajti më 17 dhjetor 2023. Ai tha se Uashingtoni pret që të punojë me Qeverinë serbe që të adresohen këto shqetësime, ndërkaq tha se SHBA-ja mbështet protestat paqësore në Serbi “nga njerëzit që ndiejnë se zgjedhjet ishin jofer dhe që rezultatet nuk ishin ashtu siç ata prisnin”.

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” ka mbajtur një sërë protestash në Serbi për të kundërshtuar rezultatin zgjedhor, sipas të cilave, Partia Progresive Serbe e presidentit Aleksandar Vuçiq, ka dalë fituese në të gjitha nivelet. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se gjatë procesit zgjedhor ka pasur parregullsi të shumta.

O’Brien foli edhe për situatën në Bosnje e Hercegovinë, duke kritikuar Millorad Dodikub, udhëheqësin e entitetit serb, Republika Sërpska.

Ai tha se Dodik me shënimin e Ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar, po tenton të largohet nga temat e rëndësishme.

Duke folur për kërcënimet e Dodikut se entiteti serb do të shpallë pavarësinë nga Bosnja, O’Brien tha se ai ishte në Dejton – ku më 1995 u arrit Marrëveshja e Dejtonit – dhe se ka punuar së bashku me Bosnjën për të hartuar Kushtetutën e Bosnjës.

“Diskutimet e tij për ndarje janë refuzuar në mënyrë eksplicite në Marrëveshjen origjinale të Dejtonit”, tha ai, duke shtuar se përpjekje të tilla ndarëse janë jokushtetuese.

Në fillim të vitit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë vlerësoi se politika e Millorad Dodik është e rrezikshme dhe se “vë në rrezik perspektivën evropiane të Bosnjës, demokracinë dhe ekonominë e saj”.

Dodik, presidenti i Republikës Sërpska, është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga Britania e Madhe, për shkak të kërcënimeve ndaj Marrëveshjes së Dejtonit.

Ndryshe, O’Brien ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 1999.

Nga viti 2022, Jim O’Brien ka punuar si shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën e ambasadorit, në Departamentin amerikan të Shtetit.

O’Brien më parë shërbeu në dy administrata amerikane, si i dërguar special presidencial. Ai shërbeu si këshilltar i lartë i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, dhe i dërguar presidencial për Ballkanin.

O’Brien ishte i angazhuar edhe në gjetjen e një zgjidhjeje për përfundimin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, e cila i dha fund kësaj lufte.

Ai gjithashtu, udhëhoqi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Gjykatën Ndërkombëtare për krime të luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, e cila ndihmoi për sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit./REL/

Vendi

MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara

Published

on

By

Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.

Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.

Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.

Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/

 

Continue Reading

Sport

Gallapeni: Nuk ia dolëm, por kjo nuk na ndalë

Published

on

By

Ylli i përfaqësueses së Kosovës, Dion Gallapeni, ka reaguar përmes një mesazhi prekës pas humbjes ndaj Turqisë në fazën “play-off”, e cila i dha fund ëndrrës për kualifikim në Kampionatin Botëror.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gallapeni ka shprehur dhimbjen e tij për rezultatin, duke theksuar se ekipi dha gjithçka në fushë dhe besoi deri në sekondat e fundit, por fati nuk ishte në anën e tyre.

“Nuk ia dolëm… por kjo nuk na ndalë. Është një humbje që dhemb, sepse dhamë gjithçka në fushë dhe besuam deri në fund,” u shpreh ai.

Tutje ai u shpreh se e ndjen zhgënjimin e madh të tifozëve, por nënvizoi se momente të tilla shërbejnë për t’i bërë lojtarët më të bashkuar dhe më të vendosur për të mos u dorëzuar kurrë.

Në mbyllje të mesazhit të tij, lojtari falënderoi publikun për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe dha një premtim të fortë se ekipi do të rikthehet edhe më i fuqishëm për të luftuar për çdo ëndërr që kanë nisur së bashku me tifozët dardanë.

Continue Reading

Vendi

“The Athletic” vlerëson guximin e Kosovës: “Nuk u mposhtën nga shiu, as nga presioni”

Published

on

By

Prestigjiozja amerikane “The Athletic” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë ndeshjes dramatike të mbrëmshme në Prishtinë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Edhe pse rrugëtimi i “Dardanëve” drejt ëndrrës për Botëror u ndal, analiza e gazetarëve amerikanë nxjerr në pah karakterin e fortë të ekipit tonë përballë një kundërshtari të nivelit të lartë.

Një humbje me dinjitet në “Fadil Vokrri”

Në një natë të karakterizuar nga një atmosferë e zjarrtë që i bëri ballë edhe kushteve të vështira atmosferike, “The Athletic” e përshkruan mjaft mirë qëndresën kosovare. Ata vënë në dukje se suksesi i Turqisë nuk erdhi pa vështirësi, duke cituar:

“Shiu i rrëmbyeshëm në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ nuk mundi ta zbehte atmosferën e zjarrtë, por gjithçka përfundoi me hidhërim për skuadrën guximtare të Kosovës.”

Ky vlerësim tregon se, përtej rezultatit 0-1, Kosova ka lënë mbresa si një “skuadër guximtare” që lufton deri në sekondën e fundit, veçanërisht me rastet e Fisnik Asllanit dhe Florent Muslijës që mbajtën në ankth turqit deri në fund.

Continue Reading

Lajmet

17 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO

Published

on

Sot shënohet 17-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, një moment historik për sigurinë, sovranitetin dhe orientimin Euroatlantik të vendit. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, përkujtoi sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se Shqipëria është një aleate e denjë, që kontribuon aktivisht në misionet dhe operacionet e NATO-s.

Ai shprehu krenarinë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave të Armatosura dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për paqe, stabilitet dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë.

Continue Reading

Të kërkuara