Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
28 tetor 1993
Edhe një kthim masiv i refugjatëve shqiptarë nga Greqia
Zëdhënësi i Ministrisë së Rendit Publik të Shqipërisë, konfirmoi se parmbrëmë ka filluar një kthim i refugjatëve shqiptarë nga Greqia. Edhe pse ende nuk ka shifra të plota për numrin e personave që janë dëbuar me dhunë nga forcat e policisë greke, besohet se vetëm parmbrëmë janë kthyer mbi 2.150 refugjatë në të dyja pikat kufitare në Kakavi dhe Kapshticë.
Ky është dëbimi i tretë masiv i refugjatëve shqiptarë nga Greqia brenda 20 muajve të fundit. Siç dihet vetëm në qershorin e kaluar me dhunë nga Greqia u dëbuan mbi 25.000 refugjatë shqiptarë.
Në të dy pikat e kufirit janë marrë masa të nevojshme, për pritjen, vendosjen dhe përcjelljen e refugjatëve në shtëpitë e tyre, bënë të ditur Radio-Tirana.
28 tetor 1994
Dhjetë raste të verdhëzës në Podujevë
Në komunën e Podujevës janë evidentuar 10 raste të sëmurësh nga verdhëza. Personat e sëmurë kryesisht janë nga Podujeva, Dumnica, Perani dhe Obranxha. Në fshatin Dumnicë deri më tash janë sëmurë 5 veta.
Tash për tash nuk dihet nëse është fjala për epidemi. Mjekët e Shtëpisë së shëndetit në Podujevë kanë rekomanduar që qytetarët të ndërmarrin masa preventive, sidomos në aspektin higjenik, në mënyrë që të pengohet përhapja e sëmundjes.
28 tetor 1995
Në Malishevë rreth 40 fshatra pa rrymë elektrike
Me vendimin e organeve të dhunshme të “Elektrokosovës”, që nga e enjtja, pa rrymë elektrike kanë mbetur 40 fshatra të komunës së Malishevës.
KI i Degës së LDK-së në Malishevë njofton se, sikur edhe sbumë herë deri më tash, rryma u ndërpre me pretekst të gjoja mospërmbushjes së obligimeve nga ana e banorëve të këtyre fshatrave.
Siç dihet edhe në aleboratin e fundit të radikalëve serbë të këtij muaji, ndërprerja e rrymës elektrike për vendbanimet shqiptare është propozuar si një mjet terrori për spastrimin etnik të Kosovës.
28 tetor 1997
Studentët e Fakultetit Pedagogjik në Shkup edhe sivjet bojkotojnë mësimin
Shkup, 28 tetor (QIK)
Studentët shqiptarë në Fakultetit Pedagogjik të Shkupit për shkak të mossigurimit të kuadrit arsimor në gjuhën shqipe, edhe sivjet bojkotojnë mësimin dhe thonë se nëse kjo çështje nuk zgjidhet nga ana e dekanatit, ata do të organizojnë një protestë publike.
Tani për tani mësimi ndiqet vetëm në lëndët ku ligjërojnë profesorët shqiptarë.
Për gjendjen e këtillë, e cila hyri në vitin e tretë, studentët fajësojnë dekanin, për të cilin thonë se nuk është i interesuar për t’i plotësuar kërkesat e studentëve shqiptarë, të cilat janë të garantuara edhe me Ligjin për Fakultetin Pedagogjik, të cilin e solli Kuvendi i Maqedonisë para dy vjetësh.
Studentët e Fakultetit Pedagogjik në Shkup, deri tash kanë realizuar disa takime me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, por ata nuk kanë dhënë rezultate të pritura.
28 tetor 1998
Bill Klinton: Kosova të kthehet prapë në duart e popullit të saj
Jam i inkurajuar që qëndrimi këmbëngulës dhe vendosmëria e NATO-s e kanë detyruar presidentin Millosheviq të tërheqë forcat e tij dhe të përmbushë në masë të madhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare. Shpresoj se klima e frikës dhe e kërcënimit do të eleminohet në Kosovë dhe se shqiptarët e Kosovës mund të kthehen në fshatrat e tyre, si dhe, çka është edhe më e rëndësishme në planin afatgjatë, mund të vazhdojnë negociatat për një zgjidhje të qëndrueshme e paqësore.
Që nga fillimi, kemi pasur tri objektiva dominuese në Kosovë: e para, të ndërpritet dhuna që kërcënon stabilitetin e brishtë të Ballkanit; e dyta, të pengohet shndërrimi i krizës humanitare në katastrofë, duke ndërprerë dhunën kundër shqiptarëve të Kosovës; dhe, e treta, Kosova të kthehet prapë në duart e popullit të saj, duke iu kthyer atij vetadministrimi.
Drejt të gjitha këtyre objektivave kemi arritur një përparim real. Luftimet janë ndalur; personat e zhvendosur kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre; ndihma humanitare po qarkullon; ndërsa Milosheviqi është dakorduar të bëjë negociata për vetadministrim të Kosovës dhe është pajtuar me një kalendar për ta arritur këtë qëllim.
Megjithatë, nuk mjafton vetëm premtimi i Millosheviqit për zbatimin e kërkesave. Ai duhet të vazhdojë përmbushjen e tyre. Për verifikimin e kësaj, bashkësia ndërkombëtare do të dërgojë një prani të madhe ndërkombëtare në Kosovë, nga toka dhe nga ajri, gjë që Milosheviqi e ka kundërshtuar për një dekadë. Si rezultat i përmirësimit të klimës së sigurisë, rreth 40 mijë njerëz të zhvendosur tanimë kanë zbritur nga malet në shtëpitë e tyre dhe i janë shmangur vdekjes nga të ftohtit. Derisa armëpushimi të vazhdojë në Kosovë do të futen më shumë punëtorë humanitarë dhe më shumë ndihma humanitare. Forcat serbe duhet të rrinë anash, postblloqet duhet të hiqen, shkalla e besimit te njerëzit që ende janë të zhvendosur duhet të rritet, në mënyrë që edhe ata të kthehen në shtëpi para të ftohtit.
Në planin afatgjatë, stabiliteti i Kosovës varet nga zgjidhja e qëndrueshme politike dhe nga krijimi i demokracisë dhe i shoqërisë civile, përfshirë edhe shtypin e lirë në gjithë Jugosllavinë. Z. Millosheviq është pajtuar për zgjedhje demokratike në Kosovë, të mbikëqyrura ndërkombëtarisht, për vetadministrim substancial dhe për polici lokale – me një fjalë, të drejtat që kosovarët i kanë kërkuar qëkur Milosheviqi ua hoqi atyre autonominë, para një dekade.
Vullneti për veprim i NATO-s, i kombinuar me diplomaci të vendosur, ka krijuar mundësi për ndërprerrjen e vuajtjeve dhe represionit në Kosovë dhe për të futur njerëzit e saj në rrugën e paqes. Por, kjo është shans e jo garancë. Prandaj, NATO vendosi sot ta ruajë autoritetin, forcën dhe gatishmërinë e saj për të vepruar, në qoftë se Millosheviqi u bishtnon zotimeve që ka marrë. Jemi në një çast shpresëdhënës, por nuk duhet të kemi iluzione se është një rrugë e gjatë para nesh derisa shpresa të triumfojë mbi urrejtjen në Ballkan. Sot ndihem shumë më mirë, por ende kërkohet që të sundojnë liria dhe paqja. Edhe një herë dua të falënderoj zotin Solana, gjeneralin Klark, zotin Hollbruk, zotin Hill dhe të tjerët që kanë punuar shumë për arritjen e kësaj.
Foto: Bill Klinton