Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka theksuar se tensionet në Ballkanin Perëndimor janë në rritje dhe ka kërkuar që procesi i zgjerimit të BE-së të vazhdojë.
Kallas e bëri këtë deklaratë para takimit të Këshillit për Punë të Jashtme, që po mbahet në Luksemburg, duke theksuar se është e domosdoshme të ketë histori suksesi për të ruajtur stabilitetin në rajon.
“Ne shohim se po rriten tensionet dhe definitivisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit. Kjo është diçka e prekshme dhe vërtetë na duhen histori suksesi,” tha Kallas, duke nënvizuar rëndësinë e përparimit të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, Kallas nuk përmendi shtetet konkrete ku tensionet po rriten, por e gjithë vëmendja është përqendruar në Bosnje e Hercegovinë, ku autoritetet e entitetit të Republikës Sërpska kanë ndërmarrë veprime që kanë rritur shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për mundësinë e shkëputjes së këtij entiteti serb nga Bosnja.
Kajas Kallas theksoi se një natë më parë kishte pasur një “darkë shumë të mirë me miqtë tanë” nga Ballkani Perëndimor. Në këtë darkë, Kosova u përfaqësua nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Pasi mori pjesë në darkë, Gërvalla zhvilloi gjithashtu një takim të veçantë me Kallasin.
Gërvalla theksoi se kërkoi nga Kallas që Kosova të trajtohet si “partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese,” duke kërkuar një angazhim të mëtejshëm nga Bashkimi Evropian në procesin e integrimit të Kosovës.