Lajmet

Norvegjia, Danimarka dhe Finlanda drejt shoqërive pa para: Si e shohin të ardhmen?

Published

on

Vendet nordike të Evropës janë në krye të listës për t’u shndërruar në shoqëri pa para, sipas një analize të re që vlerëson përshtatshmërinë e shteteve për të operuar pa përdorimin e parave të gatshme. Norvegjia, për shembull, është më e përgatitura për këtë të ardhme, duke pasur një numër të ulët ATM-sh dhe një përqindje të lartë të përdoruesve të bankave online. Pas Norvegjisë, Finlanda dhe Danimarka renditen të dytat dhe të tretat, ndërsa Holanda, Suedia dhe Zvicra janë gjithashtu shumë të përgatitura për pagesat elektronike.

Pandemia e COVID-19 ka shtuar përdorimin e pagesave pa para, duke i bërë ato më të zakonshme në Evropë. Sipas Bankës Qendrore Evropiane, përdorimi i parave të gatshme ka rënë në 59% të transaksioneve në vitin 2022, krahasuar me 72% në vitin 2019. Në vendet nordike, përdorimi i parave ka rënë ndjeshëm, duke shndërruar pagesat elektronike në një normë të re, ndërsa shumica e konsumatorëve preferojnë opsione më të shpejta dhe më të përshtatshme si kartat dhe pagesat celulare.

Megjithatë, edhe pse këto vende janë përpara në këtë drejtim, autoritetet, përfshirë në Norvegji dhe Danimarkë, janë të vetëdijshme për rëndësinë e mbajtjes së mundësive për pagesat me para, për shkak të vulnerabilitetit ndaj sulmeve dixhitale dhe për të siguruar aksesin për ata që nuk kanë mundësi të përdorin teknologjinë. Të ardhmen pa para mbështet në një infrastrukturë të fuqishme digjitale dhe një besim të lartë në institucionet publike./UBTNews/

Vendi

Presidentja e re nis zyrtarisht detyrën: Homazhe në Prekaz, te varri i Rugovës dhe Demaçit

Published

on

By

Me të marrë detyrën si Presidente e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka zhvilluar homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Në Prekaz, Presidentja Shiroka Pula nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, tha Presidentja.

Ndërsa, gjatë homazheve te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, ajo vlerësoi urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.

“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, theksoi Presidentja Shiroka Pula.

Te varri i veprimtarit Adem Demaçi, Presidentja nderoi jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia kushtoi një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.

“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, u shpreh ajo.

Presidentja Shiroka Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave.

/E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Sindikata e Trepçës alarmon për sigurinë: Kërkohen hetim dhe investime pas bllokimit të minatorëve

Published

on

By

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ashpër pas incidentit të së mërkurës, ku 63 minatorë mbetën të ngujuar për disa orë në nëntokë si pasojë e një defekti elektrik.

Përmes një komunikate për media, Sindikata e ka cilësuar rastin si një “alarm serioz” që nuk guxon të kalojë në heshtje, duke theksuar se nuk mund të pritet tragjedia për të marrë masa. Përfaqësuesit e minatorëve kërkojnë nga institucionet përgjegjëse një hetim të plotë e transparent, përcaktim të përgjegjësive, si dhe vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës dhe rrugëve të emergjencës.

Sindikata njoftoi se ka ngritur vazhdimisht shqetësimet për pajisjet e vjetruara, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve nga shteti, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në mënyrë që punëtorët të mos vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Prof. Alban Kuriqi, i pari në Kosovë për ndikimin shkencor gjatë karrierës dhe ndër universitetet private shqipfolëse në rajon për vitin 2025 

Published

on

By

Prof. Alban Kuriqi, nga UBT, renditet i pari në Kosovë për ndikimin shkencor gjatë karrierës dhe i pari ndër studiuesit e identifikuar të universiteteve private shqipfolëse në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut për ndikimin shkencor gjatë vitit 2025, sipas një analize krahasuese të të dhënave ndërkombëtare Stanford/Elsevier.

Prof. Kuriqi rezulton gjithashtu i vetmi studiues i identifikuar nga universitetet private të Kosovës në të dyja kategoritë e analizuara, që përfshijnë ndikimin shkencor gjatë vitit 2025 dhe ndikiminshkencor përgjatë karrierës. Në krahasimin me studiuesit e identifikuar nga të gjitha universitetet e Kosovës, ai renditet i dyti për ndikimin shkencor gjatë vitit 2025.

Këto rezultate bazohen në përditësimin e vitit 2026 të databazës Updated Science-Wide Author Databases of Standardized Citation Indicators, e cila mbështetet në të dhënat bibliometrike të Scopus dhe vlerëson ndikimin shkencor përmes treguesve të standardizuar të citimeve.

Kontributi shkencor dhe rëndësia për UBT-në 

Veprimtaria kërkimore e Prof. Kuriqit përqendrohet në inxhinierinë hidraulike, menaxhimin e burimeve ujore, hidroenergjetikën, ndryshimet klimatike, ekohidrologjinë dhe restaurimin e lumenjve. Përmes publikimeve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, ai kontribuon në kërkimin shkencor për sigurinë ujore, qëndrueshmërinë mjedisore dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Ky pozicionim përfaqëson një arritje individuale të rëndësishme dhe kontribuon në forcimin e profilit kërkimor dhe dukshmërisë ndërkombëtare të UBT-së.

Rreth databazës Stanford/Elsevier 

Databaza paraqet dy kategori të ndikimit shkencor: ndikimin gjatë një viti kalendarik (single-year) dhe ndikimin gjatë karrierës (career-long). Vlerësimi mbështetet në treguesin e përbërë të citimeve (c-score), i cili merr parasysh citimet, bashkautorësinë dhe pozicionin e autorit në publikime.

Burimi: Ioannidis, J. P. A. (2026). August 2026 data-update for Updated Science-Wide Author Databases of Standardized Citation Indicators. Elsevier Data Repository, Version 9.

 

Continue Reading

Lajmet

Shembet pjesërisht një ndërtesë shtatëkatëshe në Stamboll, disa persona mbeten nën rrënoja

Published

on

By

Një ndërtesë shtatëkatëshe është shembur pjesërisht në Stamboll, duke shkaktuar një operacion të madh kërkim-shpëtimi për nxjerrjen e personave që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:40 sipas kohës lokale, në lagjen Cevizli të distriktit Maltepe. Tre katet e para të ndërtesës u shembën, ndërsa banorët e kateve të sipërme u evakuuan në mënyrë të sigurt.

Sipas autoriteteve, ndërtesa ka gjithsej 12 apartamente dhe rreth 33 banorë, ndërsa në katin përdhes ndodheshin edhe disa biznese, përfshirë një punishte tekstilesh.

Ekipet e kërkim-shpëtimit, të ndihmuara edhe nga qentë nuhatës, kanë nxjerrë deri tani gjashtë persona, mes tyre edhe tre fëmijë. Të shpëtuarit janë dërguar në spitalet e afërta për trajtim mjekësor.

Megjithatë, operacioni vijon, pasi besohet se persona të tjerë mund të jenë ende nën rrënoja, transmeton Telegrafi.

Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, tha se autoritetet kanë arritur të vendosin kontakt me gjashtë nga personat që dyshohet se ndodheshin në pjesën e shembur.

“Është një ndërtesë me kat përdhes dhe gjashtë kate. Sipas të dhënave zyrtare, aty jetojnë 33 persona. Katër apartamente janë dëmtuar”, tha Gül.

Ai shtoi se, sipas të dhënave të autoriteteve, dy persona nuk ndodheshin në shtëpi, ndërsa gjashtë të tjerë tashmë janë shpëtuar.

Në vendngjarje janë angazhuar ekipet e zjarrfikësve, shërbimet shëndetësore, forcat e sigurisë dhe AFAD, agjencia shtetërore turke për menaxhimin e emergjencave të mëdha.

Ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, tha se të gjitha institucionet shtetërore janë mobilizuar.

“Puna po vazhdon pa ndërprerje, me shumë kujdes dhe vendosmëri, duke mos lënë asnjë mundësi pa shqyrtuar, në mënyrë që të arrijmë sa më shpejt te qytetarët tanë nën rrënoja”, deklaroi Kurum. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkakun e shembjes së ndërtesës.  /TRT/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara