Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë kanë mbajtur sot, në formë virtuale, forumin e tretë ekonomik Kosovë-Greqi, me fokus në sektorin e energjisë.
Përfaqësues të bizneseve dhe institucioneve nga Kosova dhe Greqia, ishin pjesë e këtij forumi me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve, si dhe forcimin e lidhjeve biznesore të kompanive kosovare dhe greke, njofton Klan Kosova. Në hapje të forumit ekonomik, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka vlerësuar se ky forum përbën një hap të rëndësishëm për bashkëpunimin ekonomik mes të dy vendeve.
“Këtë forum e vlerësojmë si një investim të veçantë në marrëdhëniet e përgjithshme ndërmjet Kosovës dhe Greqisë. Teksa nxisim bashkëpunimin, ne jemi gjithashtu të hapur dhe të gatshëm për të krijuar marrëdhënie të reja në fusha të tjera si shkenca, sporti, kultura, etj”, ka thënë Gërvalla.
Pjesë e forumit ishin edhe zëvendësministri i Jashtëm grek për Diplomaci Ekonomike dhe Hapje, Kostas Fragogiannis, kryetarët e Odave Ekonomike të Kosovës dhe të Odës Ekonomike dhe Industriale të Pireut.
Diskutimet dhe prezantimet e zhvilluara përgjatë këtij forumi kanë pasur si pikë qendrore tregun energjetik të Kosovës dhe Greqisë dhe në përgjithësi rrjedhat zhvillimore në këtë treg në Ballkan.
Gjatë forumit kanë prezantuar disa kompani kosovare të sektorit të energjisë si dhe janë zhvilluar diskutime me kompani greke rreth mundësive të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në ketë treg.
Gjithashtu janë realizuar prezantime mbi potencialet për investime nga përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës si dhe nga Agjencia KIESA.
Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për përfshirjen në vrasjen e imamit në Zlipotok të Dragashit.
Në kërkesën e Prokurorisë një ditë më parë, thuhej se ekziston dyshimi i bazuar se më 29 qershor 2026, rreth orës 23:00, i pandehuri B.H. ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T., pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme që lidhej me shfrytëzimin e një prone, përkatësisht një livadhi.
Ndërkaq, i pandehuri I.H., (babai i të pandehurit B.H.) dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.
Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit, thuhet se me masën e paraburgimit do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe se do të mund të zhvillohen normalisht dhe pa pengesa procedura penale.
Tutje thuhet se është marrë parasysh edhe fakti se i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes çka për Gjykatën rezulton se me lënien në liri ekziston rreziku i ikjes dhe arratisjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, andaj masa e paraburgimit në këtë fazë është e domosdoshme./A.K/
Një person në Suharekë ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur nga rrufeja.
Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, rasti po trajtohet si “hetim i vdekjes”.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë autoritetet kompetente, si dhe ekipi mjekësor, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull kosovar.
“Lidhur me rastin, vdekjen e viktimës mashkull kosovar i cili dyshohet se është goditur nga rrufeja e ka konstatuar mjeku kujdestar.
Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë”, njofton Policia.
Hetimet po vazhdojnë nga njësitet përkatëse, ndërsa raporti i obduksionit pritet të konfirmojë zyrtarisht shkakun e vdekjes. /E.A/
Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me gjetjen e një trupit të pajetë të një burri në Podujevë. Ngjarja ka ndodhur të martën, më 30 qershor 2026, rreth orës 13:05.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë, pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës, shtetas kosovar.
Për rastin është njoftuar menjëherë prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit janë ndërmarrë masat e para procedurale për zbardhjen e rrethanave.
“Lidhur me rastin është gjetur trupi i pajetë i viktimës mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion”, bëhet e ditur në njoftim.
Rasti po trajtohet nga organet e hetuesisë si “hetim mbi vdekjen”, ndërsa rezultatet e autopsisë pritet të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes së viktimës. /E.A/
Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prishtinë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “dhunim”.
Sipas raporti 24-oresh, bëhet me dije se i dyshuari dhe viktima janë të dy shtetas kosovarë.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin, i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, i njëjti me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Rasti tashmë ka kaluar në fazën e hetimeve të mëtejshme në koordinim me organet e drejtësisë, ndërsa i dyshuari mbetet në ndalim policor. /E.A/