Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë kanë mbajtur sot, në formë virtuale, forumin e tretë ekonomik Kosovë-Greqi, me fokus në sektorin e energjisë.
Përfaqësues të bizneseve dhe institucioneve nga Kosova dhe Greqia, ishin pjesë e këtij forumi me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve, si dhe forcimin e lidhjeve biznesore të kompanive kosovare dhe greke, njofton Klan Kosova. Në hapje të forumit ekonomik, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka vlerësuar se ky forum përbën një hap të rëndësishëm për bashkëpunimin ekonomik mes të dy vendeve.
“Këtë forum e vlerësojmë si një investim të veçantë në marrëdhëniet e përgjithshme ndërmjet Kosovës dhe Greqisë. Teksa nxisim bashkëpunimin, ne jemi gjithashtu të hapur dhe të gatshëm për të krijuar marrëdhënie të reja në fusha të tjera si shkenca, sporti, kultura, etj”, ka thënë Gërvalla.
Pjesë e forumit ishin edhe zëvendësministri i Jashtëm grek për Diplomaci Ekonomike dhe Hapje, Kostas Fragogiannis, kryetarët e Odave Ekonomike të Kosovës dhe të Odës Ekonomike dhe Industriale të Pireut.
Diskutimet dhe prezantimet e zhvilluara përgjatë këtij forumi kanë pasur si pikë qendrore tregun energjetik të Kosovës dhe Greqisë dhe në përgjithësi rrjedhat zhvillimore në këtë treg në Ballkan.
Gjatë forumit kanë prezantuar disa kompani kosovare të sektorit të energjisë si dhe janë zhvilluar diskutime me kompani greke rreth mundësive të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në ketë treg.
Gjithashtu janë realizuar prezantime mbi potencialet për investime nga përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës si dhe nga Agjencia KIESA.
Futbollisti Henrikh Mkhitaryan është detyruar të lërë fushën në minutën e 32-të të ndeshjes kundër Napolit për shkak të një problemi fizik.
Sipas testeve mjekësore të kryera në Institutin “Humanitas” në Rozzano, mesfushori armen ka pësuar tendosje muskulore në muskulin semitendinosus të kofshës së majtë.
Interi njoftoi se gjendja e tij do të rivlerësohet javën e ardhshme, ndërsa koha e rikuperimit ende nuk është përcaktuar.
Skuadra e Cristian Chivu do të përballet të mërkurën (29 tetor) me Fiorentinën në “San Siro”, ndërsa më 2 nëntor udhëton në Verona për sfidën ndaj ekipit vendas./S.K/KP/
Kevin De Bruyne rrezikon ta mbyllë para kohe vitin 2025 pas lëndimit të pësuar në ndeshjen Napoli–Inter.
Mesfushori belg u detyrua të largohej nga fusha menjëherë pas shënimit të golit nga penalltia, pasi ndjeu dhimbje në kofshën e djathtë dhe më pas u pa me paterica në pankinë.
Sipas Gazzetta dello Sport, dyshohet për një këputje të rëndë në bicepsin femoris, e cila mund ta mbajë jashtë fushave për disa muaj. Napoli shpreson që dëmtimi të mos ketë prekur zonën ku lojtari u operua në vitin 2023 gjatë kohës së tij te Manchester City.
Nëse konfirmohet se bëhet fjalë për një dëmtim serioz, De Bruyne mund t’i nënshtrohet një operacioni, gjë që do ta detyronte të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit. Edhe në rastin më të mirë, ai pritet të qëndrojë jashtë për dy ose tre muaj, duke i dhënë fund praktikisht vitit 2025.
Napoli ndërkohë mund të detyrohet të bëjë ndryshime në listën e Ligës së Kampionëve, me mundësi që në vend të belgut të përfshihet njëri mes Marianuccit apo Mazzocchit. Rezultatet e ekzaminimeve priten të përcaktojnë kohën e rikuperimit të mesfushorit./S.K/KP/
Humbja ndaj Lazios i ka kushtuar trajnerit Igor Tudorit, ku klubi bardhezi ka vendosur ta shkarkojë trajnerin kroat pas një serie rezultatesh të dobëta në fillim të këtij sezoni.
Sipas La Gazetta dello Sport detyrën e përkohshme të trajnerit do ta marrë Massimo Brambilla, deri në emërimin e pasardhësit të ri.
Nën drejtimin e Tudorit, Juventusi ka zhvilluar tetë ndeshje në Serie A, ku ka grumbulluar vetëm 12 pikë dhe ndodhet aktualisht në vendin e tetë të renditjes.
Në fazën e grupeve të Champions League, bardhezinjtë kanë siguruar vetëm dy pikë në tre takime, çka ka thelluar krizën e skuadrës torineze./S.K/KP/
Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës Hysen Durmishi, ka njoftuar se kanë vënë nën mbrojtje Malin Mokna dhe Liqenin e Ujmanit.
Ai ka thënë se javën e kaluar ka nënshkruar vendimin për mbrojtje paraprake të “Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit”, i cili sipas tij është nga vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në Kosovë.
“Me këtë vendim, Republika e Kosovës bëhet shteti me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje të natyrës në gjithë Ballkanin Perëndimor. Pas një studimi njëvjeçar në terren, është konstatuar se kjo zonë përbën pasuri të rrallë natyrore, me biodiversitet të pasur dhe peizazhe me rëndësi të veçantë ekologjike e shkencore”, ka shkruar Durmishi.
Ai ka shkruar se zona me sipërfaqe prej 192.19 km² tashmë vihet nën mbrojtje paraprake, siç ka thënë duke e ngritur në 12.4% përqindjen e territorit të Kosovës që mbrohet ligjërisht./S.K/EO/