Lajmet

​Njëzet e gjashtë vjet nga çlirimi i Kosovës

Published

on

Njëzet e gjashtë vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

E vlerësuar nga ata që e përjetuan si ditë e çlirimit dhe si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 qershori, ndonëse jo e njohur edhe si festë zyrtare, është një ditë kur nga ushtarakë dhe diplomatë botërorë do të mbahet mend si një ditë gati konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë, një ditë siç thuhej, “që do të mund të niste Luftën e Tretë Botërore”.

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë “befasisht” kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.

Rusia synonte prurjen e mijëra përforcimeve nga ajri, mirëpo pas intervenimit nga Uashingtoni, Bullgaria, Hungaria dhe Rumania refuzuan kërkesën e Moskës për shfrytëzimin e hapësirës së tyre ajrore.

Pas bllokadës amerikano-britanike të pistës së aeroportit, Ministria e Jashtme ruse e quajti ndërhyrjen e ushtarëve të saj “një gabim”. Dhe çdo gjë tjetër tashmë është histori.

Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.

Deri tash kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë./KosovaPress

Vendi

Mbi 100 gramë kokainë dhe marihuanë kapen në Vërmicë

Published

on

Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zbuluar dy raste të substancave narkotike gjatë kontrolleve në Pikën Kufitare të Vërmicës.

Në rastin e parë, gjatë kontrollit të një automjeti që po hynte në Kosovë, janë gjetur 104.90 gramë substancë e dyshuar si kokainë, e fshehur në çantën personale të një udhëtari.

Ndërkaq, në rastin e dytë janë zbuluar 5.53 gramë substancë e dyshuar si marihuanë, e fshehur në bagazhin e një automjeti. Gjatë kontrollit është gjetur edhe një thikë kuzhine e padeklaruar.

Rastet janë proceduar për hetime të mëtejshme nga autoritetet kompetente.

/A.K/

Continue Reading

Vendi

Mbyten dy vajza të mitura në Tale

Published

on

By

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në plazhin e Tales, ku dy vajza të mitura, të moshës 11 dhe 9 vjeçe, janë mbytur në det.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, tragjedia ka ndodhur rreth orës 12:50. Pas marrjes së informatës, zyrtarët policorë kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe, në bashkëpunim të ngushtë me pushuesit e tjerë, kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave të pajetë në breg.

“Në bashkëpunim me pushuesit, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupave të pajetë në breg“, thuhet në njoftimin e policisë.  /E.A/

Continue Reading

Vendi

Dyshime për cilësinë: Bllokohen mbi 1 mijë e 400 infuzione në Spitalin e Mitrovicës

Published

on

By

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se ka bllokuar përkohësisht 1,432 njësi të një produkti mjekësor në Spitalin Rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, pas dyshimeve se ai mund të mos jetë brenda specifikave të kërkuara të cilësisë.

Bëhet fjalë për infuzionet e llojit Compound Sodium Lactate (500 ml). Alarmi u ngrit fillimisht nga farmacistja përgjegjëse e spitalit, gjë që vuri në lëvizje Inspektoratin Farmaceutik dhe Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM).

Pas një inspektimi të dytë të kryer më 17 qershor, autoritetet urdhëruan bllokimin e menjëhershëm të këtij kontingjenti deri në pranimin e rezultateve nga analizat laboratorike. ShSKUK ka njoftuar opinionin publik se ky është një masë parandaluese dhe se mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë e plotë të pacientëve dhe cilësinë e barnave nëpër spitalet publike. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

KQZ gati për rezultatet përfundimtare: Përfundon rinumërimi i 185 vendvotimeve

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur zyrtarisht procesin e rinumërimit për të gjitha 185 vendvotimet e kontestuara. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, procesi ka përfunduar sot në orën 12:00 dhe të dhënat e reja tashmë janë përditësuar në platformën zyrtare të rezultateve.

Me këtë hap, KQZ-ja ka mbyllur teknikisht të gjitha aktivitetet e administrimit të votave dhe është gati për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Megjithatë, përpara shpalljes zyrtare, duhet të respektohen afatet ligjore për ankesat e mundshme. Elezi sqaroi se sot përfundon afati për ankesat lidhur me administrimin e numërimit nga dita e mërkurë (17 qershor), ndërsa po ashtu do të pritet nëse do të ketë ankesa për procesin e rinumërimit të përmbyllur sot.

Për më tepër, para se të procedohet tutje, KQZ-ja do të kërkojë një konfirmim zyrtar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të vërtetuar nëse ka ndonjë ankesë tjetër ende në shqyrtim.

Në fund, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) do të hartojë një raport të detajuar për gjetjet në secilin prej 185 vendvotimeve. Ky raport synon të konfirmojë se procesi i parë i numërimit nëpër komuna është zhvilluar me saktësi dhe në përputhje të plotë me vullnetin e shprehur të qytetarëve, raporton Ekonomia Online. /Ekonomia Online/ /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara