Lajmet

Një në dhjetë persona vuan nga problemet me veshkat

Sëmundjet kronike të veshkave dhe dëmtimet akute të tyre shpesh shkaktohen si pasojë e kushteve shoqërore.

Published

on

Sëmundjet kronike të veshkave dhe dëmtimet akute të tyre janë kontribuues të rëndësishëm në rritjen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet e tjera dhe faktorët e rrezikut, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, hipertensionin, obezitetin, si dhe infeksionet si HIV, malaria, tuberkulozi dhe hepatiti.

Gjithashtu, këto sëmundje te fëmijët jo vetëm që çojnë në sëmundshmëri dhe vdekshmëri të konsiderueshme gjatë fëmijërisë, por gjithashtu rezultojnë në probleme mjekësore përtej fëmijërisë në moshë më të rritur.

Problemi

Me gjithë barrën në rritje të sëmundjeve të veshkave në mbarë botën, kontrasti dhe pabarazia në kujdesin shëndetësor ndaj personave me sëmundje të veshkave janë ende të përhapura. Sëmundjet kronike të veshkave dhe dëmtimet akute të tyre shpesh shkaktohen si pasojë e kushteve shoqërore në të cilat njerëzit lindin, rriten, jetojnë, punojnë, duke përfshirë moshën, varfërinë, diskriminimin gjinor, mungesën e arsimit, rreziqet në punë dhe ndotjen.

Transplantimi konsiderohet trajtimi me kosto më efektive i sëmundjeve kronike të veshkave. Kërkesat për infrastrukturë fizike dhe ligjore, si dhe paragjykimet kulturore kundër dhurimit të organeve shpesh paraqesin barriera në shumë vende, duke e bërë dializën mundësinë e parazgjedhur.

Megjithatë, përderisa politikat dhe strategjitë kombëtare për sëmundjet jo të transmetueshme në përgjithësi janë të pranishme në shumë vende, shpesh mungojnë politikat specifike të drejtuara ndaj depistimit, parandalimit dhe trajtimit të sëmundjeve të veshkave. Më shumë se gjysma (53%) e vendeve që kanë një strategji gjithëpërfshirëse të sëmundjeve jo të transmetueshme (NCD) nuk kanë udhëzues apo strategji të menaxhimit për përmirësimin e kujdesit ndaj njerëzve me sëmundje kronike të veshkave.

Këtë vit, Dita Botërore e Veshkave ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për barrën e lartë dhe në rritje të sëmundjeve të veshkave në mbarë botën dhe nevojën për strategji për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve të veshkave.

“Veshka të shëndetshme për të gjithë” bën thirrje për mbulim shëndetësor universal për parandalimin dhe trajtimin e hershëm të sëmundjeve të veshkave.

Qëllimi përfundimtar i një politike të mbulimit shëndetësor universal është promovimi i shëndetit të popullatës duke siguruar qasje universale, të qëndrueshme, dhe të barabartë në kujdesin shëndetësor për të gjitha grupet socio-ekonomike.

Në mënyrë të veçantë, Dita Botërore e Veshkave u bën thirrje të gjithëve që të advokojnë për masa konkrete në çdo vend për të përmirësuar kujdesin ndaj veshkave:

Inkurajimi dhe adoptimi i stileve të shëndetshme të jetesës (akses për ujë të pastër, aktivitet fizik, dietë të shëndetshme, kontrolli ndaj duhanit). Shumë lloje të sëmundjeve të veshkave mund të parandalohen, shtyhen dhe/ose mbahen nën kontroll kur ekzistojnë masat e duhura parandaluese.

Kryerja e depistimit për sëmundjet e veshkave në kujdesin shëndetësor parësor duke përfshirë (p.sh. testet e urinës dhe gjakut). Depistimi i individëve me rrezik të lartë, diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi është me kosto efektive për të parandaluar ose vonuar sëmundjet në veshka që shkojnë në fazën e fundit të sëmundjes.

Sigurimi që pacientët me sëmundje të veshkave të marrin shërbimet bazë shëndetësore për të cilat ata kanë nevojë (p.sh. presionin e gjakut, kontrollin e kolesterolit, medikamentet kryesore) për të vonuar progresin e sëmundjes pa vuajtur vështirësi financiare.

Thirrja për politika qeverisëse transparente, akses të barabartë dhe të qëndrueshëm në shërbimet e kujdesit shëndetësor të avancuar (p.sh., dializë dhe transplant të veshkave) dhe mbrojtje më të mirë financiare (p.sh. subvencionet) që sa më shumë burime të bëhen të disponueshme. Thyerja e pengesave social-ekonomike dhe zgjerimi i qasjes në shërbime gjithëpërfshirëse për të plotësuar nevojat e popullsisë, janë thelbësore për të garantuar barazi dhe cilësi në kujdesin shëndetësor ndaj personave me sëmundje të veshkave. 850 milionë njerëz në mbarë botën është vlerësuar të kenë sëmundje të veshkave nga shkaqe të ndryshme. Sëmundjet kronike të veshkave shkaktojnë të paktën 2.4 milionë vdekje në vit dhe janë shkaktari i 6-të i vdekjeve. Dëmtimet akute të veshkave prekin mbi 13 milionë njerëz në mbarë botën, dhe 85% e këtyre rasteve gjenden në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Si pasojë e këtyre dëmtimeve akute të veshkave është vlerësuar se vdesin rreth 1,7 milionë njerëz çdo vit.

lajme

Ramadan Nishori ndan rrëfimin e tij para studentëve të UBT-së në një takim të mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar

Published

on

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me UBT, organizoi një takim të veçantë me studentë, i cili u fokusua në prezantimin e librit me rëndësi të madhe dokumentuese “Zëra të Padegjura – rrëfimet e burrave mbi tejkalimin e dhunës seksuale në luftë”.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët u njohën nga afër me rrëfimin e Ramadan Nishorit, i cili njihet si i mbijetuari i parë burrë që ka folur publikisht për përvojën e tij dhe që ka ndarë historinë personale në librin “Përtej Dhimbjes, Drejt Guximit”. Ai tregoi rrugëtimin e tij nga plagët e së kaluarës drejt forcës, shërimit dhe shpresës, duke sjellë një perspektivë të rëndësishme mbi stigmat që shpesh e shoqërojnë këtë temë.

Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e dokumentimit të përvojave të të mbijetuarve, si një mënyrë e domosdoshme për të ruajtur kujtesën historike, për të ndriçuar të vërtetën dhe për t’i dhënë zë atyre që për dekada janë mbajtur në heshtje. Studentët patën mundësinë të kuptojnë më thellë dimensionet emocionale, sociale dhe njerëzore të këtyre rrëfimeve.

Aktiviteti u mbështet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, duke dëshmuar rëndësinë ndërkombëtare të përpjekjeve për adresimin e traumave të luftës dhe mbështetjen e të mbijetuarve.

Continue Reading

Rajoni

Art, media dhe kujtesa historike: Vizita e studentëve të UBT-së në Reporting House

Published

on

Studentët e programit Art dhe Media Digjitale të UBT-së u mirëpritën në Reporting House, të shoqëruar nga profesori dhe njëkohësisht kuratori i kësaj ekspozite, Gazmend Ejupi. Ky aktivitet pati për qëllim t’u ofrojë studentëve një përvojë të thellë praktike dhe njohuri të drejtpërdrejta mbi mënyrën se si artit bashkëkohor mund t’i shërbejë gazetarisë dhe dokumentimit historik.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të eksploronin ekspozitat dhe të njiheshin me rrëfimin e historisë së Kosovës gjatë viteve 1989–1999, i paraqitur nëpërmjet instalacioneve artistike, videove dokumentare dhe formateve vizuale kreative.

Pika kryesore e diskutimit ishte roli i artit si mjet për reflektim shoqëror dhe dokumentim historik, duke u fokusuar në mënyrën se si ekspozitat dhe instalacionet bashkëkohore mund të bëjnë historinë më të prekshme dhe të kuptueshme për publikun e sotëm.

Studentët shprehën interes dhe kuriozitet të veçantë për procesin krijues pas secilit projekt dhe diskutuan për sfidat që paraqet përcjellja e historive të ndërlikuara përmes artit dhe mediave digjitale.

Vizita theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet artistëve dhe gazetarëve, dhe mënyrën se si kjo bashkëpunim mund të sjellë perspektiva të reja për edukimin dhe ndërgjegjësimin publik.

Continue Reading

Sport

​FBK emëron Bujar Locin përzgjedhës të Kosovës ndaj Shqipërisë

Published

on

Federata e Basketbollit e Kosovës njofton se Bujar Loci do të drejtojë Përfaqësuesen e Kosovës në konkurrencën e meshkujve në ndeshjen ndaj Shqipërisë në FIBA EuroBasket 2029 Pre-Qualifiers.

Bujar Loci ka qenë basketbollist i KB Pejës, ku fitoi tri herë titullin, tri herë Kupën dhe një herë Superkupën si basketbollist.

Karrierën e vazhdoi si trajner po ashtu te KB Peja, duke qenë kryetrajner e më pas edhe ndihmëstrajner. Loci me sukses ka drejtuar edhe Sigal Prishtinën e Rahovecin, kurse ka qenë trajner edhe te KBF Penza.

Për shumë vjet është ndihmëstrajner te Përfaqësuesja e Kosovës, kurse nga edicioni i kaluar është trajner në Grapeland (Rahoveci 029), duke e udhëhequr nga Liga e Parë në ProCredit Superliga, ku është trajneri i vetëm vendor në elitë.

Ndër të tjerash, Bujar Loci, ka qenë përzgjedhës i Kosovës në vitin 2005, duke udhëhequr Dardanët në turneun në Aleksandri, në lojën ndaj Egjiptit dhe Rumanisë.

Debutimi i tij do të jetë më 30 nëntor 2025, në ndeshjen e parë parakualifikuese Shqipëria vs Kosova, ora 18:00./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Real Madrid paralajmëron gjigantët evropian për Vinicius Jr

Published

on

E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi po bëhet gjithnjë e më e paqartë, sepse kontrata e brazilianit skadon në vitin 2027 dhe rinovimi i tij nuk është zgjidhur ende, duke hapur derën për interesim të madh nga klubet e tjera.

Sipas DefensaCentral, Real Madridi ka bërë të ditur se nuk do të pranojë asnjë ofertë nën 100 milionë euro për sulmuesin dhe kjo shifër tashmë u është komunikuar agjentëve që pyesin çdo ditë për situatën e lojtarit.

Vetë lojtari ka treguar publikisht se dëshiron të vazhdojë te Real Madridi, por me ardhjen e trajnerit Xabi Alonso roli i tij ka ndryshuar.

Ai nuk është më titullar i padiskutueshëm, për shkak të sistemit më të ngurtë dhe rotacioneve që po përdor trajneri. Ky ndryshim ka krijuar pasiguri te lojtari dhe ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në klub.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, është i vendosur të mos humbasë kontrollin mbi situatën: ose rinovim, ose shitje por asnjë largim me ulje çmimi.

Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë dhe nëse Vinicius ndihet i rëndësishëm në projektin e Xabi Alonsos, rinovimi mund të bëhet realitet.

Për momentin, një gjë është e sigurt se Real Madridi nuk pranon oferta nën 100 milionë euro për yllin brazilian./S.K/KP/Al Jazeera/

Continue Reading

Të kërkuara